“Portrete dëshnicare ndër vite”

“Portrete dëshnicare ndër vite”

Një zgjedhje nga  vërtetësia dhe sinqeriteti krijues i Gëzim Vodës

 

E kam admiruar, e kam ndjekur çap pas çapi dhe, më në fund, e kam veçuar nga gjithë ajo zallamahi e grafomani “krijuese”, që, fatkeqësisht sot bëhet me shumicë, madje edhe me promovime pompoze, krijimtarinë në disa gjini letrare dhe publicistike të Gëzim Vodës.

 

E kam bërë këtë zgjedhje, jo se Gëzimi ka bërë “çudira të mëdha” dhe”ka zbritur qiellin mbërdhe”, por se kontributi i tij modest në letërsinë dhe publicistikën shqiptare, ku, në të shumtën ai i është përkushtuar krahinës së tij, është, siç thuhet tani, 100 për qind bio, sepse buron tërësisht nga historia, filozofia dhe folklori popullor i krahinës së Dëshnicës dhe mban vulën dhe markën origjinale “Gëzim Voda Çorrogunji”.

 

Në tërë krijimtarinë e Gëzimit prej 12 librave dhe qindra shkrimeve publicistikë të botuar në shtypin shqiptar, mes rreshtave ndjen të rrahë një zemër e mallshme për truallin, tabanin, vendin ku u lind dhe për njerëzit e atij vendi, që, një pjesë të tyre,  ai i bëri personazhe të krijimtarisë së tij, si në këtë libër.

 

Por ka edhe disa arsye të tjera pse kam bërë këtë zgjedhje: Sepse ne, si kolegë krijues,  vërtet i përkasim dy krahinave të ndryshme, unë, Skraparit dhe ai Dëshnicës, por që janë krahina motërza, me të njëjtin fat historik dhe me të njëjtën etno-kulturë. Janë aq të afërta, “nip e dajo, siç më ka thënë dikur një plak i moçëm i anëve tona, sa, po t’i heqësh veshin njërit në Prishtë, oh, kërcen tjetri nga dhimbja në Shelq, Kajcë apo në Ballaban”!…

 

Pra krijimtarinë e tij e kam parë si një produkt, si një mjell që mund ta hedh pa frikë në “magjen time”.

 

E kam bërë këtë zgjedhje për vërtetësinë dhe sinqeritetin krijues të Gëzimit. Ai është pasqyra më transparente dhe më autentike e asaj që shkruan, ashtu siç do, ashtu siç di, ashtu siç duhet, pa sqimë, pa qibër dhe pa fjalë të mëdha e të kërkuara.

 

Dhe këto që thash më sipër më bindin edhe më tepër dhe nuk u heq asnjë presje, kur i thonë, sidomos tani, që më ra në dorëshkrim libri më i fundit i Gëzimit, “Portete dëshnicare ndër vite”.

 

Bashkë me dorëshkrimin, Gëzimi më lutej të shkruaja dhe dy fjalë për prezantimin e librit te lexuesi, të bëja Parathënin. Por ç’ndodhi? Duke lexuar librin, nuk gjeta dot vend, pasi Gëzimi, kishte bërë edhe “Thënien”, edhe Parathënien” dhe, siç do ta shikojë edhe vetë lexuesi, e kishte prezantuar librin në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Ndaj mua nuk më mbetet gjë, veçse të shfrytëzoj rastin, për ta përgëzuar autorin dhe për t’i thënë atij se libri “Portrete dëshnicare ndër vite”, me figurat protagoniste më në zë, më të njohura dhe më të spikatura, të vdekur dhe të gjallë të krahinës së Dëshnicës, të bëra ashtu bashkë dhe pranë njeri-tjetrit si në një kompleks gjigant memoria-skulptural, i ngjan një panteoni të pavdekshëm nderi me dimensione të gjera njerëzore.

 

Dhe, siç thotë populli, nderi shkon në derën e nderit, dmth, të atij që të di të nderojë, të autorit të këtij libri, Gëzim Voda.

Zylyftar Hoxha

 

CV

Gëzim Voda u lind në fshatin Çorrogunj të krahinës së Dëshnicës, Përmet dhe banon prej 45 vitesh nëTiranë.

Arsimin fillor dhe 7-vjeçar i ka kryer në vëndlindje. Ka kryer dy vjet shkollë pedagogjike në Elbasan, më pas Teknikumin Mekanik pashkëputje nga puna në Durrës dhe më pas akoma, Shollën e Lartë të të Partisë dhe Kursine Lartë të Filozofisë në Tiranë.

Ka punuar në në rrangje të larta në organet e Partisë Durrës, në Përmet, në Komitetin Qendror të Partisë, sekretar i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr-3 Tiranë dhe së fundi, furnitor në Ndërmarrjen e Përgjithëshme të Karburanteve Tiranë.

Pas viteve ‘9 0është marrë metregti  të vogël ambulante.

Gëzim Voda ka qenë dhe është në krye të shoqatës kulturore –  atdhetare “Dëshnica” dhe gazetës së kësaj shoqate me të njëjtin emër, prej themelimit e deri sot. Ka qenë bashkëpunëtor i shumë gazetave, si para, ashtu edhe pas viteve ’90.

Ndërkohëështëautori 12 librave në poezi  e prozë. E ka tërhequr më shumë gjinia e satires dhe humorit, ajo e monografisëme karakter biografiko-historik si dhe qëmtimet me karakter studimor të traditës krahinore.

 

Veprimtaria letraro – publicistike

 

1-“Mos m’i merrni për shaka” – Poezi satiriko-humoristike, viti 2002.

2-“Pengu i Qiellit” – Monografi, kushtuar pilotit të shquar dëshnicar, Fari Bubësi, viti 2005.

3-“Fjalë shpirti të dëshnicarëve” – Qëmtime studimore, krahinore, viti 2008.

4-“Diku gozhdë e diku thumba” – Poezi humoristike, viti 2011.

5-“Qesh nga derti, qaj nga qejfi” – Poezi satirike, viti 2011.

6-“Plaku i Anxhakëve” – Monografi përpatriotin dëshnicar, Islam Anxhaku, viti  2015.

7-“Fisi Voda, në Dëshnicë të Përmetit” – Përshkrim historik,  viti 2016.

8-“Shprehje dhe fjalë të tabanitdëshnicar”-Fjalor Frazeologjik, viti 2017.

9-“Sfiduesit e Qiellit”- Botim biografiko-historik për  15 pilotët dëshnicarë, viti 2018.

10-“Mësues Dinia, njeri I vijës së parë” – Monografi për bashkëfshatarin tim Abedin Meçani, viti 2018.

11-“Ngjesh e Qesh” – 101 rrëfme me realitete, qesëndi e humor – viti 2019.

12- “Portrete dëshnicare ndërvite” –  Botim historiko-biografik, viti 2021.