Prejardhja e fshatit dhe e lagjes Caka
Luman Caka
As për fshatin e as për lagjen s’kemi patur dhe nuk kemi ndonjë dokument që të dëshmojë sado shkurt, lidhur me origjinën. Vetëm gojëdhëna nga brezi në brez, na dëshmon për kohën e mbuluar nga perdja e rëndë e misterit.
Toponimia dhe mikrotoponimia dëshmojnë për sllavizmat, që nga emri i fshatit, i cili në kohën e Zogut u ndërrua me vendim qeverie, por përsëri mbeti i paprekur.

Si kudo në Skrapar, edhe në Osojë ka shumë toponime, që, përveç sundimit sllav të trojeve tona, dëshmojnë edhe për origjinën fetare kristiane ortodokse. Te kisha Shën Mëria, Vodiçka Zostane, Sheturicë, Granicë, Semenicë (farishtë), Torishtë (vathë dhenësh) etj. Janë disa të të tilla, sidomos me prapashtesën sllave “icë”.
Në Shqipëri ndodhen katër Osoja, përveç tones, është edhe ajo e Mallakastrës si dhe e Oparit pranë Gjinikasit.
Është e vërtetuar se Osoja e Mallakastrës është krijuar prej tre vëllezërish që kanë ikur atje për shkak të hasmërisë nga Osoja jonë.
Fisi i parë atje ishte Çoçka, nga i cili u formuan pesë lagje të reja. Çoçka tani s’dëgjohet më, u zhduk, kanë mbetur vetëm gurët. Vendasit e quajnë fshatin e tyre “Osojë”.
Edhe një Osojë e katërt paska qenë midis Protopapës e Peshtanit, e cila ka patur tri shtëpi. Osoja pranë Gjinikasit, sipas gojëdhënave, e paska origjinën nga Vërtopi i Beratit. Edhe në Prespë, një kodër quhet Osojë.
Osoja e Skraparit ndodhet mes malesh në lindje të Çorovodës, rreth dy orë më këmbë larg, në lartësinë maksimale, Galinat 1000 m dhe minimale, 400 m mbi nivelin e detit, arat e lumit.
Kufizohet me Vlushën, Vëseshtën, Qafën dhe Polenën.
Për formimin e fshatit flet vetëm gojëdhëna.
Vëllezërit Sanxhaku apo Sanxha, Cufa dhe Caka apo Cekja, u vendosën, i pari në Vëseshtë, i dyti dhe i treti në Osojë.
Ky fakt është i besueshëm sepse mes banorëve të të tre fshatrave ka patur vajtje – ardhje të rregullta, që pothuajse u shuan pas viteve 1990.
Osoja ka dy lagje: Caka, që është gjysma, dhe fshati lart, i përbërë nga fise me më pak shtëpi. Caka është homogjene dhe në shekuj nuk ka bërë krushqi brenda saj, veç një rasti në vitin 1980.
Fshati, lagjja e sipërme përbëhet nga Muçot, Agot, Kahremani, Hasanllari.
Muçot janë vendosur në tre vende, në dy anët periferike të fshatit dhe në qendër. Kanë edhe epitet Vesho e Grazhdi, një pjesë e fisit të Muçove.
Fisi i vjetër në lagjen e sipërme qe Qomja, i cili kishte shtëpitë te Qomeshka, poshtë Lisit të Madh të Gjollit, mbi Arën e Hamzos. Nuk la trashëgimtarë. Ndodhen ca murishta të vjetra.
Një tjetër fis i shuar i lagjes në fjalë, ishte Nxholi apo Xholi, ardhur nga Xholët e Potomit. I kishin shtëpitë mbi varret, ku qe shkolla fillore. Tërë fiset janë të ardhur.

Në lagjen Cakë, fisi më i vjetër është ai i Lyt Qelit, me shtëpitë pranë qendrës, afër plevicës së evgjitit. Ka jetuar edhe fisi Vranxo, i cili në kohën e Dido Vranxos ka lënë Osojën dhe është vendosur në Blezënckë.
Dy fist ë tjerë kanë qenë Orhani, i ardhur nga Leskoviku dhe Harizi.
Një familje evgjitësh e kanë sjellë në lagjen tonë Saliu me Lilen e parë. Ata ikën në Përmet dhe sot pasardhës të tyre banojnë në Korçë me mbiemrin Caka.
Rreth tetë burra të fshatit tonë humbën në kurbet në Greqi, Turqi dhe Maqedoni.
Mbiemri Caka gjendet në 32 rrethe të Shqipërisë, sidomos në Tiranë, 50 familje; në Elbasan dhe Durrës, 50 familje; në Fier mbi 15 e kështu me radhë.
Në Veri ai ndeshet në Shkodër, Tropojë, Lumë, Lezhë, Mat, Dibër, Koplik, Laç, Pukë, Kukës etj.
Por mbiemri ynë haset edhe në Kaçanik, Vushtri, Gjakovë, Prishtinë, Prizeren të Kosovës, në lagjen Zofria të Athinës dhe Dobaj të Bosnje – Hercekovinës.
Kaq kemi mundur të gjurmojëmë. Kush të rrojë, të gërmojë.
Lidhur me mbiemrin tonë përmendim se, sipas Sefer Cakës, vajzën e pashait nga fisi Xholi, e mori grua Caka. Dihet gjthashtu se Musa Cerova, i ati i Riza Cerovës, qe nip në lagjen tonë. Po këtu në fisin e Çerçizit e ka origjinën Zylyftar Veleshnja (Caka). Sharova gjithashtu ka qenë pronë e Cakës, por e dhanë në Veleshnje për nigjah gruaje.
Cila është etimologjia e fjalës “Cakë” nuk dihet. Në tre fjalorë të gjuhës shqipe, “Cakë” do të thotë:
Trastë e vogël, torbë
Shajak i padëstilua
Pjesë e një pagese, kuotë
Edhe në fshatin tonë përdoreshin nofka siç ishte Çoçkë për Halitin. Guçet për tri shtëpitë tona; Halaçë për shtëpitë e Metushit dhe të Hajrullaut; Qerozë apo Kazollarë për gjashtë shtëpitë e “e përtejme”, Çekiçët ose Shkëmbët për shtëpitë e Liles dhe të Nesimit.

Mali përballë fshatit, si një pasqyrë e stërmadhe, e ndriçonte fshatin si rrallë në botë.
Ai ka qenë burim sherresh kohë pas kohe me Vlushën. Për këtë shkak është vrarë te Guri i Rrubullaktë, tej Gorricës së Gjollit, Zeka, i ati i Ramos dhe i Bajramit. Nga vendi ku derdhi gjakun ai, në vijë e drejtë, deri lartë mbi Majëz, në Krekëz, te Lëmi i Osojë, u vendos kufiri.
Ky kufi u quajt edhe Udha e Vjetër. Por më vonë, kur qe deputet Ali Koprëncka (1923), rruga e re, nga Gorrica e e Gjollit në Majëz mbeti kufiri përfundimtar, kufi i vendosur nga Dervish Zeqiri.
Për uljen e kufirit në dëm të lagjes tonë duhet të ndikuar deputeti në fjalë, pasi Mançet e Vlushës kanë ardhur nga Koprëncak, fis me Aliun.
Mali denbabaden ka qenë pronë e lagjes Cakë dhe të drejtën e kullotjes e kishin të barabartë dhe pa kufizim. Ishte mushá.
Nga arat e Likoçit deri në Krrabë, çdo qershor korrej bar, ku kullotnin bar dhen, dhi, karçinë e shelegë, e koloni bletësh, tufa pllumbash e dallandyshesh pa numër, zbukuronin vendin, ishin gëzimi dhe dëfrimi i fëmijërisë sonë.
Sikur t’i thuash sot një banori të lagjes, se Ara e Likoçit, Çuka e Murit, Zostanet, Gropa e Starihemit, Vodiçka etj., qenë dikur ara që mbilleshin e korreshin, jo vetëm s’e s’të beson dhe të quan shakaxhi, në mos të lajthitur.
Edhe procesi shekullor i erozionit që çau me valët e lumit malin dhe shteroi gjolin e dikurshëm, sot nuk ka si të besohet, por është fakt.
Vite e vite të shkuara, Shkëmbi ishte strehë e sigurt e dhive të egra, të cilat herë pas here e braktisnin atë dhe merrnin pyjet. Dhe të mëndosh se në kohë jo shumë të largëta, gjuetarët amatorë gjuanin sorkadhe në Shullër, me pozicionin Lëmi i Haskos, poshtë Arës së Brajkut, të duket çudi.
Duke gjykuar kohën, zakonet, traditat dhe duke marrë parasysh numrin e shtëpive, banorëve dhe varreve në pesë varreza të largëta, nxjerrim konkluzionin se Cakët kanë ardhur në Osojë, jo më parë se shekulli i 13-të.
Kjo duhet të ketë ndodhur në vitet e kryengritjeve të mdha e lëvizjeve të tilla masive drejt maleve, kundër sundimit bizantin, sllav e turk.
Gjithashtu është shumë e mundshme dhe e besueshme që Caka të ketë ardhur nga viset e Kosovës, që përmendëm më lartë.
E njëjta gjë mund të ketë ngjarë me Shatrin e Vlushës.
Në Tetovë të Maqedonisë së Veriut paska fshat Rasadishtë. Në lindje të Pejës, në mes të distancës ajrore Klinë – Burim (Istog) ndodhet fshati Osojan.
