Probleme infrastrukturore që prej vitesh nuk po gjejnë zgjidhje

Probleme infrastrukturore që prej vitesh nuk po gjejnë zgjidhje

 

Gjergji Qafoku

 

 

Është bërë shumë tërheqës dhe tundues pelengrenazhi i përvitshëm në malin e Tomorrit për shumë besimtarë bektashinj.

 

Për mua pak më tepër.

 

 

Aty kam Dervish Iliazin!…

 

 

Dua të sjell në vëmendje me këtë rast merakun e Dervish Iljazit për lehtësimin dhe krijimin e kushteve sa më të mira infrastrukturore për pelegrinët në Tomorr qysh më 19 Korrik 1919, kur me një letër trifaqëshe iu drejtohet autoriteteve të kohës për ndihmë.

 

Ja letra:

 

Drejtuar:

Prefekturës Berat, Krahinës (komunës) Kapinovë, nënprefekturës Mallakastër, Gramsh, Kolonjë, Leskovik, Tepelenë;

 

karahinave: Tomorricë, komuna Gjerbës e Kërpicë, Komuna Vlushë, Frashër, Këlcyrë, Krahës, Opar, Cakran.

 

Të ngarkuarit të Qeverisë shkelqesisë Tajar Zavalani!

 

 

Prej disa motesh është shpallur në formë jo zyrtare dhe as me irade pelengrenazhi në malin e shenjtë të Tomorrit.

 

Nga ana juaj lipset të na ndihmoni…

 

Nuk duhet të lejohet asnjë tregtar, qoftë edhe kaur (ortodoks– shënimi im), të tregtoji në zonën e Teqes e rreth saji…

 

 

Nga ana jonë janë siguruar kushtet:

 

Do vijnë dervishë nga teqetë e tjera për prerjen e kurbanit,

 

Është rregulluar dhoma e ushqimit, e ngrënies, pjesa e jashtme ka stola e tavolina prej druri të lëmuar

për ngrënien e ushqimit.

 

 

Çdo mysafirë do hajë një lugë gjellë për sevap.

 

 

Është rregulluar dhe hauri i hajvanëve…..

 

 

Kryesonjësi i Teqesë

 

Varfë Iliazi.

 

  1. Korrik 1919

 

 

 

Po sot, pas një shekulli e ca?

 

Megjithëse ka fonde dhe grumbullohen lekë nga faljet dhe lutjet e pelegrinëve, gjendja lë për të dëshiruar. Më të vërtetë në ç’xhepa shkojnë këto fonde, kur infrastruktura është copë-sopë?…

 

 

Po marrim rrugën:

 

Qysh në Plirëz apo Prokucë dhe merr maloren e Kapinovës, rruga është tepër e ngushtë, me pak xhepa për t’u shkëmbyer makinat.

 

 

Te Bregu i Kashutit, e përpjeta për në Teqe, ndryshe nga 20 km e shtruar, rruga këtu ka pak beton dhe shumë gropa.

 

 

Drejtuesit e Teqesë dhe të Kryegjyshatës pretendojnë se e kanë hapur dhe e kanë shtruar ata rrugën.  Por ajo rrugë, deri te “Gjurma” është bërë nga bamirësi Hasan Hysi, është bërë nga Fondi Zhvillimit dhe shkon deri te ish-baxhua edhe 5 km të tjera.

 

 

Teqeja nuk ka shtruar 300 m rrugë!

 

 

 Fondi i Zhvillimit ka bërë një kapanon të madh, pajisur me tavolina e stola për konsumimin e ushqimit (kurbanit), por ai është kthyer në klub me muzikë tallava e nuk dihet me ç’qira është dhënë. Po ashtu edhe furra e teqesë është dhënë me qiera!

 

 

Te sheshi i parkimit, dera prej hekuri që të shpie në Teqe është e mbyllur, besimtarët venë e falen te lokali i një privati të njohur, administrues i Teqesë. Atje shkon edhe makina!

 

 

Reklama e lokalit është trefish më e madhe se ajo që tregon teqenë dhe tyrbenë!

 

 

Te thertorja mungon veterineri!

 

 

Therja është dhënë me koncesion: 15 mijë lekë(të vjetra therja) dhe 30 mijë në Çukë! Kasapi merr  5 mijë, pjesën tjetër koncesionari dhe teqeja.

 

 

Në vitin më të keq, kohë e Kovidit janë therur 7 mijë kurbanë dhe në vitin më të mirë 13 mijë dhe 3 mijë në Çukë. Hesapet bëjini vetë sa miliona fitojnë.

 

Koncesionari ka vetëm punonjësit e biletave, pastrimin e kryen Bashkia Çorrovodë.

 

 

Gjatë kësaj kohe teqeja punëson mbi 30 persona, të gjithë me lidhje nepotike.

 

 

Paguhen jo pak, 80 mijë lekë në ditë plus 25 mijë lekë për ushqim ditor, me një kusht të vogël: duhet t’i shpenzojnë vetëm te privati.

 

 

Teqeja e Dervish Iliazit është teqe pa drejtues,  e lënë qëllimisht, që të drejtohet nga civilë siç është drejtuar deri tani.

 

 

Fondi i Zhvillimit dhuroi edhe një godinë për banjo publike, por që nuk funksionojnë. Mungon totalisht uji i pijshëm.

 

 

Eh, dhe sa e sa probleme të tjera ka! Por ato bjenë në veshë të shurdhët derisa nuk ndreqen! Dhe nga viti në vit bëhen më keq.

 

 

U larguam nga Dervish Iliazi, e taksëm për vitin tjetër!