
Prof. Hysen Kordha dhe kontributi i tij i çmuar në hartimin e historisë së Skraparit
Evdal Nuri
Zakonisht kur vdesin njerëzit flitet mirë, sido që të kenë qënë. Por kur bëhet fjalë për Hysen Kordhën, sado që të shkruash i mbetesh borxhlli, për kulturën e gjithanëshme, intelektin e përsosur, pjekurinë, bagazhin e madh të dijeve, vullnetin e jashtëzakonshëm për të studiuar e vlerësuar situatat në të cilën ndodhemi e plotë e plotë të tjera.
Hysen Kordha ka lënë gjurmë në jetën e tij si historian, shkencëtar i historisë shqiptare. Njeri i thjeshtë, i ëmbël, komunikues me kolegët e shkencëtarët. Ai ishte mik i të gjithëve, i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, i pranishëm dhe ndihmues i kësaj Shoqate. I përkushtuar në çdo punë që kryente, një studues i zellshëm me kumtesat e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare i suksesshëm.
Hyseni ka lindur me 6 shkurt 1941. Arsimin e mesëm Pedagogjike bëri ne Berat. Fillon mësues në vendlidje në fshatin Slanicë. Pas një viti pune , emërohet drejtor i shkollës 7 vjeçare Kutalli. Pastaj në seksionin e arsimit Berat.
Në vitet 1967-1971 kryen studimet në Universitetin e Tiranës në fakultetin filologjik për histori. Në nëntor angazhohet në një grup pune për historikun e Qarkut Berat, që kryesohej nga Kahreman Ylli. Pas kësaj pune mbetet në Tiranë. Fillon punë në Institutin e Historise. në vitet 1972-1974 ka punuar nëndrejtor i arkivit të shtetit, pas kësaj kthehet në Institutin e Historisë.
Në këto vite ka punuar si pedagog i jashtëm në disa fakultete. Ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin e Prishtinës në vitet 1972-1974.
Kohën më të gjatë të punës e ka në Akademinë e Shkencave, në sektorin e Enciklopedisë.
Në vitin 1972 merr titullin “Kandidat i Shkencave,”.
Në fillim të viteve 80′ merr titullin “Profesor në Shkencat Historike. Pjesëmarrës në disa konferenca kombëtare dhe lokale. Autor i disa zërave në Enciklopedinë Kombëtare, në Fjalorin Enciklopedik.
Veç kësaj pune të jashtëzakonshme shkencore, Prof. Hysen Kordha ka një kontribut të veçantë edhe në hartimin e historisë së Skraparit.
Ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë shkencorë të projektit të Muzeut Historik të Skraparit.
Si mik personal i Kahreman Yllit, nuk ka veprimtari shkencore, konferenca, mediume, podiume, festa të ngjarjeve historike të Skraparit që ai të mos merrte pjesë dhe të mos fliste, të mos mbante referate dhe ligjërata professor Hyseni, të cilat janë të arkivuara dhe përbëjnë një pasuri shkencore për Skraparin.
Hysen Kordha kaloi nga jeta, në moshën 83 vjeçare para një viti. Ka lënë disa një pasuri të tërë me shkrime historike dhe botime.
Akademiku Emil Lafe, për Prof. Hysen Kordhën…
Akademiku Emil Lafe që ”unifikoi” gjuhën shqipe, shkruan për Hysen Kordhën:
”Me Hysenin kam pasur miqësi që herët. Kur në Akademinë e Shkencave u krijua Qendra e Enciklopedisë Shqiptare (QESH) dhe filloi puna për “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (u botua më 1985), Hyseni u emërua redaktor shkencor në atë qendër.
Ishte hera e parë që ndërmerrej hartimi i një fjalori enciklopedik shqiptar. Vështirësitë ishin të mëdha. Rreth pesë mijë zëra.
Me urtësinë, qetësinë, durimin, mirëkuptimin ndaj kolegëve Hysen Kordha arriti të krijonte një bashkëpunim kolegjial të frytshëm me dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorë.
Në vjeshtën e vitit 1998, kur u emërova drejtor i Qendrës së Enciklopedisë nga punonjësit shkencorë me përvojë që kishin realizuar “Fjalorin enciklopedik shqiptar” të vitit 1985, kishte mbetur vetëm Hysen Kordha.
Ai u bë krahu im i djathtë dhe këshilltar i përhershëm për detyrën që na ishte ngarkuar. Puna pasditeve në shtëpi si edhe të shtunave e të dielave.
Kështu u arrit që të kapërceheshim vështirësitë dhe të botohej kjo vepër, “Fjalor enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (botim i ri, 2008–2009), me mbi 7500 zëra dhe mbi tri mijë faqe.
Ajo është vlerësuar si një nga arritjet më të çmuara të Akademisë së Shkencave dhe po shërben si bazë shkencore për enciklopedinë shqiptare me rreth dhjetë mijë zëra.”