Profesor Andon Sinjari dhe kontributi i tij shkencor në fushën e matematikës së aplikuar dhe të mendimit pedagogjik shqiptar
Ish – Pedagogjikas të Beratit!
“Orakujt e Tomorrit” me këtë shkrim përkujtimor të dr. Marela Gugës- historiane, iu kujton pedagogun tonë të famshëm të matematikës, Andon Sinjarin, të cilin e nderonim jo vetëm në orën e mësimit, por sa herë dëgjonim emrin e tij, kudo që ishim, hiqnim duart nga xhepat në shenjë respekti.
I përjetshëm kujtimi i Andon Sinjarit!
Shënimi i botuesit:
Z. Hoxha, ish-pedagogjikas i “Bab Dudë Karbunarës”
Dr. Mirela Guga
Teksa isha duke lexuar dy shkrime të vitit 1996 (vit kur ai u nda nga jeta), në gazetën “Mesazh” dhe “Mësuesi “ për matematicienin dhe pedagogun, doktorin e shkencave Andon Sinjari, mendova t’a ndaj vlerësimin tim dhe te ish-nxënesve e kolegeve të tij me të gjithë lexuesit.
Andoni u lind më 8 janar të vitit 1933 në qytetin e Beratit . Që i vogël ai , ishte një femije këmbëngulës dhe me vullnet, një matematikan i lindur, ndaj dhe shoket e pedagogjikes e quanin “mësuesi i Vogël”. Shkollën e mesme pedagogjike e mbaroi me medalje te artë, por që nuk e morri asnjëherë(arsye biografike).
Pas mbarimit të pedagogjikes, Andonit nuk iu dha e drejta për të vijuar studimet e larta, po për kete arsye. Kësisoj, ai punoi mësues sa në një fshat ne tjetrin. Pas disa vitesh, fiton të drejtën e studimit në UT, dega matematikë (korrespondence), të cilën e mbaron me rezultate të larta. Me pas, fillon punen si pedagog në Filialin e Beratit. Ishte njohës i gjuhës frënge, italiane dhe ruse, gjuhe që i vuri në funksion të kërkimit shkencor. Publikoi në revista shkencore e pedagogjike mjaft artikuj shkencorë në fushën e matematikës së aplikuar dhe të mendimit pedagogjik .
Në fushën e matematikës së aplikuar Andoni mbrojti dhe dizertacionin për gradën Kandidat i Shkencave(doktor) me temë “Mbi rrugët matematike të zbulimit të disa dukurive teknologjike në industrinë tekstile.”
Miq dhe kolegë e çmonin Andonin per ndihmesën e tij në trajtesa shkencore të mjekëve , inxhinierëve , teknikëve apo punonjësve shkencorë, kohë kur ai punonte si matematicien në Byronë Teknologjike të Kombinatit Tekstil.
Andoni ishte ndër të parët që u angazhua në lëvizjen demokratike te pas vitit 1990.
Andoni u martua me ish nxënësen e tij, mësuesen e gjuhë-letërsisë në shkollën “Thimi Tani”, Llambën, siç ne e thërrasim. Një grua me shpirt dhe zemër të madhe, mësuese e talentuar.
Andoni shuhet me 18 tetor te vitit 1996.