Projekti mesjetar: Durrësi, si Venecia, me gondola!…
Në Porto Romano dhe në gjithë ish-Kënetën ne mund të shëtitnim sot me gondola, barka e skafe, në qoftë se venecianët në gjysmë e dytë të shekullit të 14-të, kur kishin në sundim Durrësin, do të kishin realizuar një projekt të madh, por që u trembën nga kërcënimi osman dhe mosmarrëveshjet mes princërve vendës
Kemi bindjen se, po të vendosej në nënkaliminin e Urës së Dalanit në hyrje të Durrësit një gazetare televezive dhe të pyeste udhëtarët e rastësishëm që kalonin aty nëse e dinë prejardhjen etimologjike të Urës e Dajalanit, me siguri, shumica do ta lidhte me ndonjë emër njeriu, pronar që kishte pronat aty a ndonjë lidhje të tillë të përafërt.
Një pjesë fare e vogël, ndoshta ndonjë i moshuar do të jepte përgjigje më të saktë; se Dajlan në turqisht do të thotë kanal, ngushticë, grykë me ujë që lidh detin me kënetën, me liqenet e hauzet e brendshme; se Dalanet, në mungesë të barkave, përdoren për peshkim; se të tilla Shqipëria ka patur shumë në të gjithë bregdetin dhe se ka akoma që shfrytëzohen si rezervate peshkimi si Dajlani i Divjakës, Karavastasë, Nartës, Novoselës, Butrintit e shumë e shumë të tjerë.
Durrësakët e vjetër e dinë mirë, por edhe ne që udhëtonim me tren shikonim sa herë, se pikërisht aty te ura e sotme e Dalanit amatorët e peshkimit gjuanin peshk në kënetën që fillonte aty e që mbaronte në anën tjetër të Porto Romanos. Kjo kënetë e kishte lidjen me detin posht këmbëve të sotme të Urës. Durrësi qarkohej nga këneta, e cila në periudhën komuniste, u tha për tokë buke duke u shkripëzuar vende-vende.
Në pjesën veriperëndimore të kënetës ndodhet Porto Romano. S’dihet me saktësi se si e se qysh ky emër i bukur dhe tingëllues për italikët e gadishullit përtej Adriatikut, me të cilin ata kanë pagëzuar hotele të mëdhenj, restorante, parqe, plazhe, gjire detesh, vende të tjera qejfi e vakance, ka ardhur deri në brigjet tona, pikërisht 6 km larg Durrësit. Ndoshta në atë kohë të shkuar, ndonjë legjionari romak apo vetë Çezarit kur ndeshej me Pompeun; më pas kur Roma u shtri ndjeshëm drejt Lindjes, ndonjë kryqtari që shkonte drejt Jeruzalemit; apo pak më vonë akoma në Mesjetën e hershme, ndonjë tregtari venedikas që vinte dy herë në javë në Durrës me mallrat e tij, i ka ngjarë ky vend zbarkimi si Porto Romano i tij apo ka dashur ta bëjë të tijin këtë vend, dhe ia ngjiti Porto Romano.
E pikërisht në këtë Porto Romano dhe në gjithë ish-Kënetën ne sot mund të shëtisnim me gondola, barka e skafe, në qoftë se venecianët në gjysmë e dytë të shekullit të 14-të, kur kishin në sundim Durrësin, do të kishin realizuar një projekt të madh, por që u trembën nga kërcënimi osman dhe mosmarrëveshjet mes princërve vendës.
Sipas atij projekti, të gjetur nëpër arkiva, venecianët do të kishin hapur grykën e detit, do të kishin thelluar kënetën në stilin e tyre të njohur të ndërtimeve në ujë dhe do të na kishin bërë një Durrës-ishull, gjysmëvenecian, shumë herë më të bukur se ky i sotmi.
Tani s’ka shanse më të vihet në jetë ky projekt, që me mjetet e sotme do të ishte shumë i lehtë.
Porto Romano u bë kamp përqendrimi ndërkombëtar për ata që i rezistuan fashizmit; në kohën e socializmit u ndërtua uzina kimike, që prodhonte pesticide dhe një fabrikë tjetër lëkure, të cilat pas shkatërrimit kanë hapur një plagë të pashërueshme, të infektuar deri në palcë.
Tani ka projekte të tjera, disa spekulative dhe të dyshimta.
Shpërfytyrimi tjetër është uzurpimi i pakontrolluar i Kënetës nga mbi 15 mijë banorë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, që përsëri përbën një plagë tjetër sa ekologjike aq edhe shoqërore.
Shëmtimi në këtë zonë është historik. Shtëpitë në një pjesë të mirë janë të parametrave bashkëkohore, vila dy e trekatëshe, por fatkeqësisht 4-5 m nën nivelin e detit, ku kundërmon era e ujërave të zeza, të cilat s’kanë ku të venë përveç se te një kanal i bllokuar, i tejmbushur që përshkon tërë zonën, në të cilin është gjetur edhe rruga më e shkurtër për të sjellë me tuba plastikë ujin e pijshëm(!).
Panoramë më kaotike me lloj-lloj ndërtimesh e drejtimesh allamos, labirinte pa dalje, s’mund të të zërë syri gjetkë. Njerëzit këtu flenë në një shtrat me dreqin. Ajri, uji i pijshëm, qumështi dhe perimet janë shumë të ndotura nga mbetjet toksike, por çuditërisht organizmi specifik shqiptar i toleron pa asnjë pasojë.
Kush e di se ç’do të ishte bërë në një vend tjetër më sensibël, jo eksperimental si ne, ku veprojnë me shumicë edhe shoqata kafshësh, me këtë gjendje alarmante. Këtu çdo gjë është e ndotur, madje edhe muret e banesave, të cilat janë ndërtuar me material tulle e blloqesh të ish-godinave të fabrikave të mëparshme.
Edhe më zemërguri, pas asaj që ka parë në Kënetë dhe Porto Romano, nuk mund të jetë i qetë. Nuk mund të jetë i qetë edhe për faktin tjetër, që në këtë vend, po të kishte njerëz me vetëdije dhe mend, ai do të shëtiste tërë qejf duke soditur Durrësin-ishull, nga Ura e Dalanit deri tej në Rrashbull e Porto Romano.