Promovohet libri “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit” i gazetarit Roland Qafoku  

Promovohet libri “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit” i gazetarit Roland Qafoku  

 

Promovohet libri “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit” me autor gazetarin Roland Qafoku. “I shtrirë në kohë që nga Mesjeta deri në ditët e sotme, ky libër me 990 faqe është njëkohësisht edhe historia e Skraparit e sjellë në një këndvështrim krejt të ri”, tha Qafoku gjatë prezantimit të librit para të pranishmëve.

 

 

Gjatë promovimit të librit ku morën pjesë personazhe dhe figura të njohura nga Skrapari, autori Qafoku shtoi se “kjo trevë ka nxjerrë personalitete si asnjë zonë tjetër e vendit”.

 

 

Ai spikati disa nga figurat e shquara historike të krahinës së Skraparit si “Riza Cerova, ish-gazetar dhe sponsorizues i artit dhe kulturës, Refat Gurazezi (15 vjet kryeredaktor i gazetës Dielli në Boston dhe 20 vjet Sekretar i Vatra-s, një skraparli model që bënte vetëm punën), Zylyftar Veleshnja patriot dhe atdhetar, Dashnor Dervishi një nga mendjet më të ndritura të diplomacisë shqiptare, Demir Zyka simbol i folklorit të Skraparit. Visar Zhiti poeti që u dënua nga regjimi dhe u dërgua në Spaç, shkrimtar i nivelit të lartë”, tha Qafoku. Xhevahir Spahiu, ikona e poezisë shqipe sipas gazetarit dhe produkti më sipëror që ka nxjerrë letërsia shqiptare, janë gjithashtu ndër emrat e vlerësuar në libër.

 

 

Nga 1990 e këtej, Qafoku përmendi emra si Ajli Alushani, mjek, pedagog, politikan dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Bashkim Caka jurist dhe ish-deputet, Ermonela Jaho soprano me emër botëror. “Kryekrenari e Skraparit me zërin e saj hyjnor”, tha Qafoku.

 

 

Personalitetet nga Skrapari spikatin edhe në botën e medias.

 

 

Ai përmendi gazetaren Ilva Tare e cila aktualisht jeton në SHBA, Mustafa Nanon, gjithashtu gazetar, analist dhe së fundi diplomat teksa shërben si ambasador i Shqipërisë në Zvicër apo dhe mjekun Pëllumb Piperon.