Promovohet në Durrës libri “Ku po shkon pa dashuri” i publicistit të njohur Sefedin Çela

Promovohet në Durrës libri “Ku po shkon pa dashuri” i publicistit të njohur Sefedin Çela

Shoqata “Tomorri”, dega Durrës dhe shtëpia botuese “Naimi” organizuan në një nga sallat e  e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës promovimin e librit “Ku po shkon pa dashuri” të publicistit të njohur, Sefedin Çela.

 

Në veprimtarinë e organizuar nga morën pjesë miq e lexues, gazetarë e të ftuar të tjerë.

 

 

Për librin dhe vlerat e tij në publicistikën shqiptare foli botuesi Naim Zoto.

 

Stili original rrëfimet e përshkrimet, portretet plot jetë që sjell autori i kapërcejnë kufijtë e një libri autobiografik. Për këto risi foli një nga miqtë e tij , mësuesi në pension, Ismail Sheroku.

 

Për mesazhet që përcjell libri foli prof. dr. Ajli Alushani. Kujtime nga veprimtaria e autorit sollën bashkëpunëtorët e tij, gazetarët Petro Dhimitri, Zylyftar Hoxha dhe Bashkim Koçi.

 

Ishte një veprimtari jo masive, por cilësore dhe e bukur.

 

 

 

Më posht, po japim të shkurtuar fjalën e botuesit të librit, Naim Zoto:

 

 

Libri “Ku po shkon pa dashuri” është një libër i veçantë në llojin e vet; një libër memoristik, për jetën e autorit, pra, Sefedin Çelës, por që vetë Sefedini pothuaj nuk del fare drejtpërsëdrejti, gjë e rrallë në librat dhe rrëfimet e njerëzve me status publik, protagonistët e mediave dhe politikës siç është Sefedin Çela, gazetar, pastaj në detyra të rëndësishme të institucioneve të kulturës shqiptare deri ministër Kulturës dhe drejtor i Përgjithshëm RTVSH.

 

 

Libra e shkrime publikohen e botohen me tepricë këto kohë, ashtu si fabrikohen përditë e përvit emra të vet-famshëm. Byk ka plot, por bukë e kokrra gruri bio nuk gjen dot! Sefedin Çela është si kalliri i grurit kokrra plot, por i përunjur, gati për t’i fshehur pas mullarëve apo qipive të kashtës që i kanë ngritur me ngut vetes të tjerët!
Në libër disa portrete të njerëzve nga më të zakonshmit deri te emra të njohur për kontributet e tyre në nivel kombëtar. Informacioni dhe vlerësimet për ta nuk jepen përmes epiteteve apo prezantimeve formale, por përmes detajeve ose mbresave të drejtpërdrejta gjatë njohjes me ta.
Në libër ka përshkrime fantastike të autorit për familjen, fshatin, vendlindjen për shokët apo kolegët e punës. Askund nuk ka Sefedin, askund nuk del autor, por nuk ka libër që të shkruajë për të tjerët me aq detaje, me aq realizëm, dashuri dhe dhembje sa ta ndjesh se ai tjetri është autori vetë.
Ka një fabul fantastike në këtë libër kur, në mungesë të fotove, një piktor merr të birin si model për t’i rikrijuar pas disa dekadash portretin e babait partizan. Dhe modeli është vetë autori i librit, pra, Sefedini i Sefedinit, d.m.th., Sefedin Sefedin Çela, lindur disa muaj pas vdekjes së parakohshme të t’atit dhe nëna i vë emrin e t`atit.
Autori shkruan për vendlindjen e tij, për njerëzit e tij, për kolegët, por ndjehet sikur autori flet e përshkruan vendlindjen tënde, njerëzit e tu të afërt; babain dhe nënën tënde; shkurt të gjithë personazhet e librit shokët e autorit bëhen të afërm, miq e shokë të lexuesit.