Qafa e Dëvrisë, ku “një zabit mbante një taborr”!…
Qafa e Dëvrisë është një grykë e ngushtë, monument natyre, e detyrueshme për të kaluar vetëm aty, vend ideal për prita hasmish dhe grabitësish, por edhe strategjik për luftëra, gjë që e ka bërë këtë vend edhe historik edhe turistik
Qafa e Dëvrisë, quhet edhe Gryka e Dëvrisë. Është një grykë e ngushtë në lartësin 1300 metra mbi nivelin e detit në skajin jugor të vargmalit të Kulmakut, që ndan në dy pjesë Ramijen me Malin e Gostënckës – Ramije. Ndan gjithashtu krahinën e Tomorricës nga ajo e Skraparit.
Kujt i ka rënë rasti të kalojë ketej, vështirë ta harrojë këtë vend .
Dërvri ,në fjalorin osmano-turk do të thotë “vendroje”, karakoll. Dhe vërtet kjo është një grykë e ngushtë, e detyrueshme për të kaluar vetëm aty, vend ideal për prita hasmish dhe grabitësish, por edhe strategjik për luftëra, gjë që e ka bërë këtë vend edhe historik.
Një gazetar i vjetër, që nuk jeton më, kur përshkroi Qafën e Dëvrisë, e përmblodhi me një fjali të vetme shkrimin: “Këtu një zabit mban një taborr”!
Qafa është formuar përgjatë një shkëputjeje të madhe tektonike dhe është e përbërë nga gëlqerorë të kretës së sipërme, në të cilët është shumë i zhvilluar procesi i karstit.
Me këtë proces lidhet peizazhi karstik me mjaft forma karstike: hinka, dolin deri dhe uvala karstike dhe ekosistemi interesant karstik. Në brendësi të formave karstike ka livadhe me bimësi të pasur barishtore, madje një pjesë e fushëzave deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar janë përdorur edhe për kultivimin e grurit e duhanit.
Përreth tyre dhe në shpatet me pjerrësi të konsiderueshme, deri vertikale me lartësi mbi 30 – 40 m, diku edhe me zgavra e guva karstike, ka bimësi natyrore të katit të dushkut dhe të halorëve. I pari perfaqësohet nga dushku, shkoza, por me shtrirje mjaft të gjerë të lajthisë, ndërsa i dyti përfaqësohet me ahun, panjën etj.
Të gjitha këto janë elemente natyrore që kanë formuar një peizazh karakteristik, mjaft tërheqës për shumë grupe vizitorësh: specialistë e studentë të shkencave natyrore, nxënës të shkollave, apo vizitorë të thjeshtë e amatorë e miq të natyrës.
Duke kaluar përmes peizazhit plot gjelbërim të kësaj qafe, do të delni në skajin verilindor të saj. Pamja që do të shfaqet përballë është shumë mbresëlënëse: tutje në horizont mali i Koshnicës në formën e një kupole të madhe dhe shpatet e thepisura të Ostrovicës; më afër të imponohet lugina e Tomoricës me peizazhin më të degraduar, madje të shkretëtirizuar në Shqipëri; shumë fshatra të ngulitura në shekuj, që sfidojnë releivin e thyer dhe tepër të copëtuar.
Ky monument natyre ka vlera shkencore, estetike, didaktike, ekologjike dhe turistike të karakterit vendor. Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike rurale Çorovodë – Gjerbës.