Qafa e Gjarpërit, një destinacion i bukur dhe i virgjër turistik, fatkeqësisht, pak ose aspak i njohur nga operatorët turistikë të turizmit natyror dhe atij të aventurës

Qafa e Gjarpërit, një destinacion i bukur dhe i virgjër turistik, fatkeqësisht, pak ose aspak i njohur nga operatorët turistikë të turizmit natyror dhe atij të aventurës

 

 

Qafa e Gjarpërit është kalimi malor kryesor dhe më i rëndësishmi në zonën e Tomorricës, në Skrapar, për në zonën e Oparit dhe Gorës së Korçës, por edhe në zonën e Gramshit.

 

 

Ky vend ka një rëndësi të veçantë historike, gjeografike, strategjike, natyrore dhe turistike.

 

 

Në këtë qafë (Guri Prerë) kalonte një nga degët më të rëndësishme të rrugës Egnatia të Romës që lidhte Durrësin me zonat e Shqipërisë Juglindore deri në Selanik. Ajo pati rëndësi dhe lulëzim deri në Mesjetën e vonë për lidhjeen e qyteteve bregdetare të Vlorës dhe Durrësit me Voskopojën, Korçën dhe Manastirin.

 

Në këtë vend, më 6 qershor 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Qafën e Gjarpërit dhe në Gurin e Prerë u zhvillua një betejë e ashpër midis forcave partizane shqiptare dhe trupave gjermane. Në këtë përleshje, Brigada e Parë dhe e Pestë Sulmuese u përballën me forcat gjermane dhe balliste, duke lënë 32 dëshmorë në fushën e betejës.

 

 

Sot, në këtë vend ndodhet një lapidar, që, edhe pse i rrënuar, përkujton sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e atdheut.

 

 

Rëndësia gjeografike e Qafës së Gjarpërit është se ndodhet në një zonë me peizazhe malore mbresëlënëse, duke ofruar pamje panoramike të maleve përreth, përfshirë malin e Tomorrit.

 

Qafa e Gjarpërit është një kurriz malor me hapësiara të gjëra të kullotave alpine, rrethuar nga pyje halorë dhe dushku. Ajo fillon nga Guri i Prerë mbi Zhepë dhe Gurazes dhe mbaron në Qafën e Veshit afër Faqekuqit.

 

 

Në kohën e socializmit, pas parrullës që hodhi Enver Hoxha “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”, kësaj pllaje të bukur me bimësi shekullore iu vu traktori, u kthye në plantacion për mbjelljen e patateve.

 

Për mbjelljen e tyre erdhën dhe punuan me vite reparte ushtarake të xhenjos, që kishin në përbërje të tyre të ashtuquajtur ushtarë me “biografi të keqe”.

 

 

Nuk vazhdoi shumë dhe ky lloj aksioni dështoi, duke prishur dhe denatyruar  këtë perlë të bukur malore. Në vend të tërfilit, trendelinës, aguliçes, shipecit mijëravjeçarë, tani aty kanë mbirë shkurret, gjembat dhe shpendrat.

 

 

Qafa e Gjarpërit është një destinacion shumë i bukur dhe i virgjër turistik, fatkeqësisht, pak ose aspak i njohur nga operatorët turistikë të turizmit natyror dhe atij të aventurës.

 

 

Këta që shikoni në këto foto janë “dallëndyshet” e para që kanë ardhur në këtë vend.

 

 

Shpresojmë që ky vend të njihet dhe të promovohet më shumë, pasi  ofron mundësi të paçmuara për sporte të ndryshme aventureske dhe eksplorime natyrore. (Z. Hoxha)