“Qafa e Martës dhe Burrat e Backës”, shkruar në një ditë të shënuar
Zylyftar Hoxha
Tani, në Qafë të Martës, mes gjelbërimit të shipecit, zbardh një lapidar i thjesht, i ndërtuar shpejt e shpejt, menjëherë pas luftës, një simbol, edhe pse i vjetëruar dhe rrëgjuar nga koha dhe nga 70 e ca dimra të ashpër, siç bën dimri në këtë qafë gati 2000 metra mbi nivelin e detit, përsëri , si një “roje e patundur e besnike” mban në shpinë, në gjoks dhe në zemër dy ngjarje të mëdha të dy kohëve të ndryshme historike, të Luftës së Parë dhe të Luftës së Dytë Boterore:
Betejën, siç është quajtur “e Termopileve shqiptare”, çetës së Lace Backës, më 25 korrik 1913, kundër andartëve grekë dhe krijimin e batalionit partizan “Riza Cerova” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare më 23 qershor 1943.
Po këtu, veç lapidarit, ka qenë edhe një tjetër simbol, që, fatkeqësisht, nuk është më, Varret e Dëshmorëve të rënë në këtë vend: të të parëve, të Luftës së parë Botërore, por edhe i të të dytëve, të Luftë s së Dytë Botërore, partizanëve, që u quajtën thjesht “Varret e Dëshmorëve”.
Ky qe një kompleks solemn tepër modest, i ndjeshëm dhe i prekshëm, i bërë me mjete rrethanore, me mur guri si një avlli shtëpie, një memorial, ide dhe produkt gjenial i mendjes së pleqvë të atëhershëm të Backës për t’i patur bijtë e tij atje ku kanë derdhur edhe gjakun!
Dhe jo vetëm për dëshmortë e ’13-ës, por ata hapën vend edhe për dëshmorët e mëvonshëm, bij të këtij fshati të rënë gjat LANÇ –it, duke zënë vend atje në mënyrën më të denjë dhe solemne të mundshme, deri sa në vetet ’70 të shekullit të kaluar, kur, me urdhër nga lart, memoriali u prish. Eshtrat e dëshmorëve u çuan te ”shokët”, në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit.
Mirë a keq, ne nuk e gjykojmë dot tani, aq më tepër që jemi para një fakti të kryer, por idea e atyre pleqve paska qenë gjeniale, me fuqi dhe energji hyjnore, paskej qenë e padiskutueshme, e pa tjetërsueshme, e patundur si maja e Çukës së Frëngut.
Nuk duam të prekim ndjeshmërinë dhe krenarinë e ligjshme të backallinjve, por është anektodike dhe kuptimplote historia e e së bijës së Zote Backës, kur, në vitet e socializmit, shumë e moshuar, një deleguar i rëndësishëm, që nuk kishte mundur të zgjidhte dot problemin në fshat, i kishte thënë: “Nëno, ku janë burrat e Backës”?
“S’ke burra këtu, ata që ishin burra, janë në Qafë të Martës”!…- i kishte thënë ajo e zemëruar me atë ngjarje banale dhe të pakuptimtë që kishte ndodhur ato ditë në Backë, dhe i kishte kthyer kurrizin.
Ishte koha kur “ATA” ishin vërtet atje lart!
Po tani që nuk janë, a thotë njeri “Burrat e Backës janë në Qafë të Martës”!
Ah, sikur të ishin!…
Do të ishte dëshirë e çdo backalliu dhe asnjë nuk do të zëmrohej me këtë anekdotë megjithë se të mençur, por e thënë në një situatë jo normale, në një moment indinjate dhe zemërimi!…