Qafë e Martës, moj e shkretë, a do të bësh festë sivjet!?…

Qafë e Martës, moj e shkretë, a do të bësh festë sivjet!?…

Sot, në Qafë të Martës do të ishte festë, ishte 80-vjetori i një nga formacioneve më të mëdha partizane të Skraparit, formimi i batalionit “Riza Cerova”. Por këtu, të paktën deri në orën 9:00 të ditës së sotme, siç na informojnë nga terreni, s’ka “xhanxhi” njeri!…

  

 

 

 

Dikur, më 22 qershor, Qafa e Martës gjëmonte dhe gumzhinte nga festa. Ishte një rast fatlum që mijëra vetë, të rinj e të vjetër nga Skrapari, Korça, Kolonja dhe Përmeti të të mbidheshin të takoheshin dhe gëzoheshin aty me njëri-tjetrin për dy ngjarje të rëndësishme: betejën e çetës së Lace Backës kundër andartëve grekë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe formimin e batalionit partizan “Riza Cerova”  në Luftën e Dytë Botërore.

Por është për të ardhur keq dhe e tmerrshme se ku po shkojmë, që po zbehen vlera të tilla historike dhe  Qafa e Martës në këtë ditë të heshtë si në zi.

 

 

 

Por, pavarësisht kësaj, le t’i kthehemi historisë, e cila, e larë me gjak, nuk ka për t’u harruar kurrë.

 

 

***

 

Batalioni “Riza Cerova” u formua në Qafë të Martës më 23 qershor 1943 mbi bazën e Çetës partizane të Skraparit dhe me vullnetarë të rinj, me një efektiv prej 203 partizanësh.

 

 

Emri dhe vendi që iu vu këtij formacioni partizan kishte të bënte me dy simbolika që skraparllinjtë vazhdimisht i kanë patur “dobësi” dhe pjesë të historisë së tyre, Riza Cerovën dhe Lace Backën.

U zgjodhën këto dy simbolika, e para, për emrin dhe, e dyta, për vendin e krijimit, që ishte Qafa e Martës, ku ishte vrarë Lace Backa.

 

 

Batalioni “Riza Cerova” ishte formacioni i parë i organizur pas çetave dhe qe vijoi me krijimin e brigadave partizane, siç ishte Brigada e 7 –të Sulmuese, ku u ikuadrua më vonë ky batalion.

 

 

Ndër veprimet luftarake të batalionit “Riza Cerova” ishin: 1-6 korrik mori pjesë në luftën e Përmetit, në gusht të vitit 1943 shpartalloi një repart të kalorësis italiane në afërsi të qytetit të Beratit;

më 20 shtator goditi dhe shpartalloi forcat që bashkëpunonin me armikun;

më 26 tetor mori pjesë në sulmin kundër forcave armike që ndodheshin në qytetin e Beratit, në bashkëveprim me forcat e tjera partizane të qarkut  dhe me batalionin “Naim Frashëri”;

në gjysmën e dytë të nëntorit të vitit 1943 ndihmoi forcat e Brigadës së Parë Sulmuese për të thyer operacionin armik në Mallakastër, duke zhvvilluar luftime në Patos dhe Roskovec;

më 29 nëntor në bashkëveprim me batalionin “Margarita Tutulani” zhvilloi luftime në krahinën e Dëshnicës dhe e spastroi atë nga bashkëpunëtorët me okupatorët;

më 21-23 dhjetor goditi forcat xhandro-balliste në Dobrushë, në Kajcë dhe në Tendën e Qypit.

 

 

Gjatë mësymjes  së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944, në bashkëpunim me forcat e Brigadës së Parë Sulmuese zhvilloi luftime në Therepel, në Tendën e Qypit dhe në Qafën e Shkozës.

 

 

Më 12 janar 1944 batalioni “Riza Cerova” u rreshtua në Grupin e Tretë partizan të Skraparit, që u formua në fshatin Liqedh dhe më 17 mars 1944 u bë pjesë e Brigadës së 7-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. (Orakujt…)