Qazim Metani / Si mjeku më i zot, më i aftë, më profesionist, më human dhe më popullor i Skraparit përfundoi në burg!…  

Qazim Metani / Si mjeku më i zot, më i aftë, më profesionist, më human dhe më popullor i Skraparit përfundoi në burg!…  

Qazim Metani, mjek me një karrierë të gjatë gati 50-vjeçare profesionale, me një jetë të trazuar herë nga vetja dhe në të shumtën e rasteve nga të tjerët, ishte, mbeti dhe do të mbahet mend (pasi ka ndërruar jetë) si një  njeri interesant, profesionalisht shumë i aftë, kulturalisht i niveleve siperiore, civil, popullor, njerëzor dhe human deri te ai dhe “kthehu prapa”.

 

Qazim Metani ishte diplomuar mjek i përgjithshëm në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, në vitin 1973. Po në ktë vit ishte emëruar mjek në repartin e lindjes në Çorovodë dhe ishte dërguar për specializim në spitalin Obsetrik-Gjinekologjik në Tiranë.

 

Pas mbarimit të specializimit, në vitin 1976 kishte filluar mjek obsetër-gjinekolog në shtëpinë e lindjes në Çorovodë.

 

Në periudha të shkurtra ishte kualifikuar disa herë në institucionet obsetrikale dhe gjinekologjike të Tiranës.

 

Në vitet 1977-1986 ishte emëruar përgjegjës i repartit të lindjes dhe shef i shërbimit obsetrik -gjinekologjik.

 

Disa vjet kishte drejtuar Komisionin Mediko –Legal.

 

Nga 1986 deri në vitin 1988 punoi si mjek obsetër – gjinekolog.

 

Dy herë Ministria e shëndetësisë e asaj kohe e kishte kërkuar për ta transferuar në Tiranë, në maternitetin më të madh dhe nga më të specializuarit  që kishte vendi, por si vetë ai, që nuk e vriste mendjen shumë për pozitë dhe karrierë, ashtu edhe burokracia e kohës  e kishte lënë aty ku ishte.

 

Pse e këkonin dhe kush e kërkonte në Tiranë?…

E kërkonin profesorët dhe korifejntë e Obsetrik-gjinekologjikë, Koço Gliozheni dhe Ilir Gjylbegu, sepse ia dinin talentin dhe aftësitë edhe si student, por edhe me ato që kishin parë dhe kishin dëgjuar atje ku kishte shkuar, në Skrapar. Ata nuk mund të harronin ekselencën e tij në leksione e seminare, rezultatet e shkëlqyera dhe gjuhët e huja që zotëronte.

 

E ndërsa herën e tretë po “bënte gati valixhen” drejt Tiranës, një rrufe në një ditë të bukur e të kthjellët bie nië qytetin e vogël të Çorovodës, të pa mësuar me këto lloj vetëtimash dhe gëmimesh: Qazim Metani na qenka “armik i popullit”!…

 

Mjeku më i zot, më i aftë, më specialist, më profesionist, më human dhe më popullor përfundoi në birucë!…

 

Sigurimi i Shtetit për ta bërë sa më spektakolare për të tjerët, i hodhi hekurat përpara kolektivit  të spitalit dhe më pas gjykata, “në emër të popullit”, e dënoi me 6 vjet burg.

 

Po kush e futi brenda në burg këtë njeri?

Shokët e tij, me ata që punonte çdo ditë, me ata që hante e pinte çdo ditë, me ata që e ftoni ndhe e mbanin në shtëpi me gratë dhe fëmijët e tyre çdo ditë!

 

Është një çikë e pabesueshme, por është gjithashtu e mjerueshme, se është e vërtetë.

 

Pra ky njeri perëndie, sa lart ishte me cilësi e virtyte, aq qe edhe i pafat në rrugëtimin e tij të karrierës, duke provuar gjithë fatkeqësitë më absurde që prodhonte regjimi kur të fuste në regjistrat dhe rrethet e tij.

 

Pasi doli nga burgu ai vazhdoi punën dhe karrierën e tij në Skrapar, sikur nuk kishte ndodhur gjë.

 

Në fund të vitit 1991 u emërua drejtor i Drejtorisë së Mjekimit, në gusht të viti1992 drejtor i Drejtorisë Spitalore dhe në fund të vitit 1994 deri në fillim të 1998 u caktua drejtor i Shëndetit Publik të rrethit. Në të njëjtën kohë ka qenë edhe shef i shërbimit obsetrik-gjinekologjik.

 

Deri në qershor të vitit 1995. Nga kjo kohë punon mjek familje në Çorovodë. Për një kohë të shkurtër ka punuar në një spital privat në Tiranë.

 

U nda në mënyrë të papritur dhe të parakohëshme nga kjo jetë, më 28 mars 2018, duke lënë pas kujtimin e një intelektuali të njohur, të kompletuar; të një specialisti të aftë, të zotë në profesionin e tij, por edhe shumë të dashur dhe popullor në marrëdhëniet me njerëzit.  (Zylyftar Hoxha)