Qemal Bego, ndër të veçantët e rralluar të Shqipërisë

Qemal Bego, ndër të veçantët e rralluar të Shqipërisë

Ilmi S.Qazimi

 

Ai është 95 vjeç. I gjatë, shtatdrejtë, me thinja të fisnikëruara, fjalë pak dhe i veshur thjeshtë. Kostum pa kollare. Ecën pa shkop. Nuk mban kapele. Nuk vesh  kapotë. Lexon pa syze. Dëgjon pa aparat. Në sytë e tij shkrepëtijnë xixa lumturie: iu gëzohet shumë nipërve, djemve të djemve të  djalit që ka këtu në Shqipëri.

 

përditë me vëllain e vetëm sepse  gruaja dhe motra i janë ndarë nga jeta. Me telefon  flet me djalin dhe nipërit në Amerikë. Ai ka provuar shumë vuajtje, andrralla, hidhërime, por edhe sadopak, gëzime në këtë segment të gjatë kohor prej afër një shekulli.

 

Në kohën që duhej të vendosje të zgjidhje: o kurbetin o atdheun, o pushkën  o parmendën, o qendrimin e mekur në hi o luftën partizane për liri, ai zgjodhi udhën e fundit.

 

U dallua dhe u dekorua  në luftë e pas lufte për trimëri. Mirëpo jeta e mësoi se armiku s’është vetëm ai që të pushton vatanin, as vetëm ai që tradhton idealet, por edhe miku yt më i afërt. Letrat anonime s’e lanë rehat. Por ai nuk u tremb aspak. E caktuan të punonte oficer, referent bujqësie, topograf, punëtor e, më në fund, kryetar kooperative bujqësore, në një nga më të vështirat e kohës.

 

Këtu ai gjeti vetveten me dy cilësi të rralla të tij: punë e ndershme duke udhëhequr me shembullin personal; disiplinë të rreptë kudo dhe mbështetje tek njerëzit e punës.

Ishte dekoruar si trim në luftë, tani meritoi potësisht dekoratën si trim në punë, duke iu akorduar titulli më i lartë Hero i Punës Socialiste. Katërmbëdhjetë vjet kryetar ai ishte plotësisht i shkrirë me anëtarët dhe specialistët që i donte dhe i respektonte pa masë.

 

Më pas e caktuan të drejtonte mekanikën bujqësore të një rrethi të tërë që rrezatonte në gjithë Shqipërinë e mesme. Edhe këtu me nder e përkushtim.Janë disa piketa që ai nuk iu shmang kurrë në këtë udhëtim të gjatë: “ndershmëri e disiplinë në punë; vetëm thjeshtësi e dashuri për njerëzit; mos harro vendin ku linde dhe atë ku derdhe djersën tënde; mos i shkelmo vlerësimet e kritikat e shokëve!”

 

“Askush nuk e fitoi këtë botë! – thotë ai. ”Lum ai që lë gjurmë të mira në këtë jetë”! Dhe vijon fare thjeshtë e pa bujë: ”Po të doni suksese gjatë jetës suaj, ruani unitetin në familje e në shoqëri.”

 

Aktivizohet gjerësisht si veteran i LANÇ dhe shqetësohet për gjallërimin e jetës së kësaj organizate. Lexon e koleksionon shkrime, gazeta, fotografi që ruajnë idealet e luftës e të punës; aktivizohet në Organizatën për Dëshmorët e Atdheut. Merr pjesë rregullisht në aktivitetet e shoqatës “Tomorri” dhe veçanërisht jep ndihmesë të gjithanshme në shoqatën “Çepani” . Kërkoi me këmbëngulje që të vinte në 80-vjetorin e çlirimit të Skraparit, ashtu siç kish qenë në tërë përvjetoret jubilare të asaj date historike. Erdhi, mori pjesë në të gjithë veprimtaritë dhe u kthye  shumë i kënaqur në Tiranë, i gatshëm për aktivitete të tjera atdhetare, historike, kulturore.

 

Ai, partizani i 1942-shit, heroi i 1974-ës, veterani i 2004-ës është e mbetet etalon, vërtet i përveçëm ndër të veçantët e rralluar të Shqipërisë tonë. Zemra tij, prej 95 vjetësh, rreh për vendlindjen. Kontaktet nuk i shkëput kurrë me Çepanin,Kutallinë, Beratin. Jeton në Tiranë, por i përket gjithë shoqërisë shqiptare edhe pse merr pension minimal.

 

Ky është 95 vjeçari Qemal Hysen Bego.