Qeveria, qesja dhe buzëqeshja!…
Tomorr Shasho
Këto ditë u ktheva nga plazhi. Të nesërmen e kthimit do takoja shokët. Ashtu bëra. Futa në protofol 1000 lekshin, pasi do bëja dhe pazarin, përshëndeta bashkshorten dhe dola.
Në kafene shokët po më prisnin. I kisha lajmëruar që isha kthyer nga plazhi. Atë mëngjez, së bashku me shokët në tavolinë ndodhej dhe xha Shaqua. Bëmë përshëndetjet e radhës dhe, pasi përfunduan pyetje përgjigjet mbi ecurinë e ditëve të plazhit, sytë po më shikonin xha Shaqon.
Mu kujtua ajo qesja plastike ngjyrë mavi, të cilën kishte kohë që e mbante me vete si kujtim i atyre qeseve, të cilat mbushën përrenj, lumenj, gropa e rrugë, madje deri në majë të pëmëve, por edhe detin, me të cilat filluan të luajnë peshqit.
Xha Shaqua thithi gllënjkën e fundit të kafesë. Futi dorën në xhep. Unë pa pritur të nxirte dorën nga xhepi e pyeta.
– Xha Shaqo, atë qesën ngjyrë mavi po nxier apo e flake me këtë vendimin e fundit të qeverisë?
– Cilin vendim?! Po ka vendim që i ndalon qeset? Je në këtë botë,apo të ka shushukatur dielli i plazhit?-mu përgjigj.
– Vendimi i qeverisë ka një muaj,që ka hyrë në fuqi. Po të kapën me qese jo të riciklueshme do gjobitesh shumë rëndë. Madje – i thash – shiko se përballë pallatit me shiqjeta, buzë të Lanës, ke dhe një si përmendore, ku në majë janë vendosur disa qese dhe copa plasmasi. Ajo është simbol i zhdukjes së qeseve dhe copave të plasmasit si ndotje të ambientit.
Xha Shaqua shikoi nga shokët. Pasi u sigurua se ata po e ndiqnin me vëmendje bisedën, ndërhyri.
– Tani e kuptova se me të vërtet dielli i plazhit të paska shushkalitur. Hidhu një herë andej nga tregu i fruta -perimeve dhe pastaj eja llafosu me mua.
Tregu i fruta -perimeve ishte plot me qytetarë. Secili blinte sipas mundësisë. Kishte nga ata që nuk bënin zë, por nuk mungonin edhe ata që grindeshin me shitëset për çmimime shumë të larta.
Mbi tavolinën e peshores qendronin disa qese prej letre. Bukur! -thash me vete. Ta kisha këtu xha Shaqon e t’i tregoja se nuk egzistonin me ato qeset plastike, por këto prej letre.
– Të lutem! – iu drejtova shitses. Më jepni qesen që të fus domatet.
– Po. Me gjithë qef!
Nuk zgjati dorën që të merte qesen letër,por uli kokën posht banakut dhe nxori qesen plastike. Ishte pikërisht qese nga ato të ndaluarat dy herë më ligj.
– Këto – i thash – i ka ndaluar vendimi i qeverisë që të përdoren.
– I ka ndaluar qeveria,por jo unë. Futi-futi domatet, atë shiko!
-S’kini faj ju ! Fajin e ka kontrolli që nuk vjen.
– Prapa kurrizit i ke. Po të ket marr malli shko takoi.
Disa banak më tej qendronin kontrollorët.
– Po ti si i përdor në prezencë të tyre?
Unë, unë.., e më shikonte në sy. Unë u fus një buzëqeshje dhe ata largohen.
-Si?!… – iu drejtova i habitur. Ju i buzëqeshni dhe ata largohen?! Po si ta kuptojnë këtë buzëqeshje? Për para ,apo….!?
– E kuptojnë si e kuptojnë, e dinë ata . Ti merr ato që bleve dhe shko në shtëpi se të pret gruaja.
U largova e thash me vete: Po të ishte me mua xha Shaqua,do kishte tundur tërë tregun duke qeshur me mua dhe duke thirrur e valvitur qesen mavi në dorë :
“A të thashë se s’ka vendim që i ndalon qeset e pariciklueshme!?…