Rakia, zjarri i muhabeteve tona
Po kush ia prishi namin?!…
Një punë e merak shumëshekullor i është dashur fshatarit në Skrapar për të nxjerrë një prodhim si rakia dhe, po kaq, i është dashur për t’i dhënë emrin e mirë që gëzon sot, që është kthyer në simbol. Kujtojmë këtu shumë të huaj, miq apo udhëtarë të rastit, që kanë shkelur në Skrapar dhe një shishe “Raki Skrapari” e mbanin si kujtimin më të shtrenjtë.
Ka qenë dhe është një zakon: Një shishe a një pagure raki është një nga dhuratat më të gjetura nga i zoti i shtëpisë për mikun, kur e përcjell. Dhe skena është pak a shumë e njëjtë, disi ceremoniale. Para se ta fuste në xhep, ai e tundte edhe një herë paguren dhe, me një ndjenjë të dallueshme krenarie në fytyrë thoshte: “Merre, e ke ballkazani, shiko sa e ka syrin!…”
Sado që bindjet dhe damixhanet ishin plot në qilar, rakia përdorej vetëm kur vinte miku, kur kishte gëzime familjare, gosti ose dasma. Rrallë ndonjë plak, pinte çdo ditë, në darkë, të tjerët, në ditët e zakonshme, s’e vinin në gojë.
Edhe kur pinin në muhabete, pinin në masë, me rregull e me dolli. Drejtuesit e muhabetit, i zoti i shtëpisë dhe miku, mundoheshin që të gjithë pjesëmarrësit të pinin deri në atë masë sa të “bëhej pak zhurmë”, sa “të përshënjeshin” të ndiheshin që kishin pirë. Pastaj mbyllej muhabeti. Po kishte raste që ai dilte jashtë kontrollit. Në këto raste ai që prishte muhabetin nxirrejt jashtë dhe muhabeti fillonte prapë, sikur të mos kishte ndodhur gjë.
E tillë konsiderohej rakia, si një zjarr për të nxehur muhabetin, për të biseduar e për t’u hapur me njëri-tjetrin.
Rakia më parë rrallë përdorej si mall për shitje. Shisnin ata që prodhonin në sasi, të tjerët që prodhonin nën një kuintalë e mbanin për nevojat e veta.
Rakia, tani kohët e fundit, ka filluar të shitet në masë. Qëkur filloi shitja, filluan edhe problemet me të. Dalja në treg prishi cilësinë, prishi namin e saj.
Një pjesë prodhuesish filluan të nxirrnin raki sheqeri, një pjesë tjetër spekulluan duke shfrytëzuar emrin e saj dhe prodhimeve surrogato u vinin etiketën “Raki Skrapari”. Si sapuni për djath, rakia e bërë nga alkooli ka mbushur tregjet e qyteteve shqiptare, por eksportohet edhe në Amerikë! Dhe jo nga prodhuesit skraparllinj, por nga mashtuesit dhe spekullantët e rretheve të tjera.