Rakip Biraku, “Maratonomaku” i Tomorricës

Rakip Biraku, “Maratonomaku” i Tomorricës

Hajri Nuhu

 

Sa më shumë kalon koha, aq më tepër kemi nevojë të kujtojmë njerëz që, në një kohë e zonë të vështrë si Tomorrica, bënë emër. Bënë emër jo për detyrat që kryen, por për ndershmërinë me të cilën punuan në jetë.

 

Eshtë fjala për njerëz idealistë e të ndershëm që u lodhën, por nuk u ankuan, që dhanë e bënë gjithçka në shërbim të njerëzve. Një prej tyre ishte Rakip Biraku (Barçi).

 

Babai, heroi dhe modeli i tij

 

Fshati i tij thirret Barçi mal. Ky është një përcaktim se i thonë edhe Barçi lart edhe Barçi 1. Rrëzë malit, me njerëz të mirë e mikpritës, me burra kapedanë dhe me intelektualë të njohur.  Një fshat shumë i vogël, por që ka njerëz të zëshëm.

 

Një burrë që bëri emër ishte Hyseni, babai i Rakipit. Protagonist në ngjarjet që çuan në Pavarësinë e Shqipërisë, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit dhe në Luftën e Vlorës.

Kushtet ekonomike në Shqipëri ishin të vështira dhe në Tomorricë ishin dyfish të tilla. Ato e detyruan Hysenin të emigronte bashkë me Ali Kuçin në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U integrua atje në punë dhe në jetën e emigracionit. Por vendlindjen, familjen dhe vendin nuk e harroi.

 

U anëtarësua në shoqërinë “Pan-Vatra” dhe nëpërmjet saj kontribuonte. Në arkivin  e shoqërisë “Vatra” ka të pasqyruar jo vetëm emrin, por edhe këtë ndihmesë. Pas disa vitesh emigrim ai kthehet në atdhe. Kthimi i tij është ndër ato ngjarje të trishta që rrëfehen për kurbetin. Prindërit i kishin ndërruar jetë. Po ashtu edhe bashkëshortja.

 

Hyseni rible tokat dhe martohet. Familja mori jetë me tre fëmijët, dy vajzat Qerimeja e Razia dhe djali, Rakipi. Lufta e gjeti në moshë të madhe, por kjo nuk e pengoi të ishte në frontin e parë me lëvizjen. Si gjithë fshati. Luftës iu bashkua edhe Rakipi si korier e më pas me armë në dorë për çlirimin e vendit me çetën e batalionin e Riza Kodhelit.

 

Gjatë luftës kunati i tij, Ali Hamollari bie dëshmor se pushkatohet nga gjermanët. Hallet edhe të motër Qerimesë do të binin mbi Hysenin e më pas edhe mbi Rakipin. Kishin ndihmën e njëri tjetrit se shkonin mirë me villain, Kahremanin. Djali i këtij të fundit, Abedin Biraku ishte kryetar i këshillit në prag të çlirimit të vendit dhe më pas edhe sekretar i lokalitetit. Ndër të parët ishte që mbështeti reformën agrare. Tokën e gjithëçka që kishte blerë e krijuar i ati Hyseni ,edhe me punën si emigrant në SHBA, i përfshiu kjo reformë që në fillime ngjalli entuziazëm.

 

Kryen edhe detyrën e shërbimit ushtarak për tre vjet në Shkodër. Kudo edhe aty ishte model. Kryen arsimin e detyruar dhe menjëherë i përkushtohet punës. Puna dhe vetëm ajo ishte kryefjala e jetës së tij.

 

Njohu dhe deshi çdo pëllëmbë të Tomorricës…

 

Donte shumë zonën Tomorricën dhe e njihte me pëllëmbë. Shkeli në çdo cep të kësaj zone. Në vitin 1956 Rakip Biraku filloi punë në Gjerbës. Detyra ishte postier i zonës së Tomorricës. Një zonë si Tomorrica pa rrugë, me dimër të ashpër do ta vinte përpara një sprove të madhe. Ishte një betejë, në veçanti beteja me lumin e zonës që herë pas here ishte mjaft i rrezikshëm.

 

Detyra ishte të shpërndante shtypin,po edhe komunikimet zyrtare dhe jo vetëm ato. Me to në shpinë si një “maratonomak” përshkruante kilometra të tëra. Diku një gazetë të kohës,në një shtëpi një letër nga djali ushtar, herë -herë edhe një lajm i hidhur. Ishte i vetmi komunikim, ndaj njerëzit që merreshin me këtë punë bëheshin të njohur dhe të dashur për njerëzit. I tillë u bë edhe Rakip Barçi për Tomorricarët.

 

Në veçanti pas vitit 1963 ku shërbeu si centalist në Postën e Gjerbësit. Një “alo” atëherë ishte mister e magji. Ishte një lajm që transmentonte dhe kishte emoncion. Duke qënë edhe veprimtar i jetës shoqërore e politike për kohën, u bë mjaft i njohur në Tomorricë. Për punën plot përkushtim e sakrifica e pranuan në parti. Kur sot kujtojnë mjaft “gjynahe” të sistemit një pjesë anatemojnë edhe komunistët. Doemos mes tyre , mes grupimeve politiko-shoqërore në çdo kohë ka nga ata që njollosin veten. Se njerëz si Rakipi gjykohen jo thjesht për çfarë kanë qënë, por për çfarë kanë bërë.  Ai nuk harrohet për vlerat njerëzore,për punën e vendin e nderuar që zinte në shoqëri.

 

I bëjnë thirrje për të shkuar në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik dhe një vit punoi atje. Edhe aty lë gjurmë të mira mes “klasës punëtore”.

Kthehet në vendlindje, dhe në vitin 1970 kryen një kurs profesional pranë Drejtorisë së Shërbimit pyjor në Skrapar. Emërohet përgjegjës -teknik i mirëmbajtjes së pyjeve e faunës në zonën e Tomorricës. Populli thjesht u thoshte “rojtari i pyjeve”. Përsëri një profesion që kërkonte gjunjë të fortë. Që nga Qafa e Beçit e deri lartësive të Koshnicës e në tërë zonën ai gdhendi emrin e tij me punë e ndershmëri.

 

Në këtë profesinon Rakip Biraku do të mbahet mend gjatë. Ishte një kohë kur kishte pyje,po zjarret në to mungonin. Kjo falë punës që bënin njerëz si ai. I vinte keq edhe për një fidan pishe që pritej, edhe për një rrëshqitje të tokës ,edhe për një pritë malore kur bëhej keq e prishej shpejt. Ngrinte zërin, mbante lidhje me pushtetin vendor dhe drejtuesit e ekonomive bujqësore. Arma e tij më e fortë ishte komunikimi me njerëzit,me ata që shfrytëzonin pyjet. Ata ishin potencilisht rreziku për t’i dëmtuar pyjet që ai i donte aq shumë.

 

Komunikonte mirë, ”mbante dorën tek një hallexhi”, por nuk falte kur shkelej ligji. Përvoja e tij u shërbeu teknikëve të rinj që erdhën më pas nga shkolla e mesme pyjore e u bënë pjesë e stafeve

 

Shoqëri përtej “llogoreve të kohës”

 

Siç u tha më sipër, babai i Rakipit, Hyseni kishte punuar për shumë vjet përkrah Ali Kuçit emigrant. Ai ishte edhe njeriu i besuar i tij dhe në njëfarë mënyre njëlloj administratori për bizneset e tij në Lushnjë, Divjakë e deri në Tiranë. Me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare, Hyseni rreshtohet bindshëm me luftën, ndërsa Aliu mbajti një qëndrim neutral. Në një fare mënyre “u ndanë” rrugët ,por jo shoqëria e respekti.

Kur ai pas çlirimit u burgos në Lushnjë e fëmijët persekutoheshin në qendra internimi, Hyseni në fillim dhe më pas Rakipi guxon, e viziton në burg dhe në fshehtësi ndihmonte familjen e tij. Për Rakipin ishte njëlloj amaneti që i la babai. Ishte një gjest human që tregonte shumë për dinjitetin e ndershmërinë. Ato ngiheshin edhe mbi “barikadat” që ngriti koha. Në heshtje njerëz si Rakipi pranonin të metat e regjimit komunist. Miqësia e mirënjohja ishin vlera për të, që nuk u asimiluan nga koha. Ai mbeti i drejtë e i thjeshtë.

 

Vlera që nuk i “zvordhi” koha

 

 

Donte shumë zonën dhe e njihte me pëllëmbë. Mbi të gjitha njihte njerëzit dhe ata e respektonin. Dera e tij priste e përcillte se puna e kishte bërë më miq e shokë të shumtë. I përkushtohej familjes dhe punoi që 7 fëmijët, pesë djemve dhe 2 vajzave, të rriteshin e edukoheshin mirë.  Këtë e bëri së bashku me bashkëshorten, Sosen, se ai ishte edhe një bashkëshort model.

 

Në profesion e pasoi i madhi, Aliu që kishte mbaruar për veterinari në Korçë. Ai punoi pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe ashtu si i ati manifestoi vlerat më të mira, duke nderuar edhe babain.

 

Rakipi punoi deri sa doli në pension në Pyjore. Pensionin e kaloi në Çorovodë, se u vendos me shtëpi në Sharovë. Angazhohet me veprimtaritë shoqërore të veteranëve të LANÇ. Bindjet nuk “i ndërroi” dhe besoi në vlerat demokratike që sistemit që zgjodhëm. Besonte dhe zhgënjehej nga “bëmat” që po ndodhnin në vendin që ai e deshi deri në fund aq shumë.

 

U gëzohej nipërve e mbesave, në veçanti djemve të Aliut, Emilianos  dhe Ermalit. Të dy shkëlqyen në Skrapar e Tiranë. E ndiqte rrugën e tyre dhe gjithë nipërve e mbesave dhe u gëzohej.

 

Ndoshta Emiliano i ngjan për vullnetin e këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë. Jo më kot ai është një biznesmen aq i njohur dhe kryetar i Dhomës së Tregëtisë e Industrisë në Venecia , Itali. Emiliano ka patur një lidhje speciale me gjyshin. Ai ishte dhe mbeti krenari për të.

 

Në dhjetor 2008 ai ndahet nga jeta. Nuk la pasuri. Si gjithë të ndershmit. Por la emrin dhe vlerat e një njeriu të mirë e punëtor.Dhe kjo nuk është pak.