Reforma territoriale / Nxirrni “kartat” e Mehdi Frashërit nga sirtari!…

Reforma territoriale / Nxirrni “kartat” e Mehdi Frashërit nga sirtari!…

Mehdi Frashëri, projektuesi dhe ideatori i parë i ndarjes administrative shqiptare

 

 Zylyftar Hoxha

Edhe pse po i afrohen shekullit që atëhëre, themelet e reformës administrative shqiptare ngelen ato që ka hedhur që në vitin 1931, një nga figurat më të njohura dhe më aktive të politikës shqiptare të disa periudhave historike, Mehdi Frashëri.

 

Mehdi Frashëri mbetet një nga arkitektët dhe ideologët më të mirë dhe më të pazëvendësueshëm të reformës administrative shqiptare, jo vetëm se qe i pari që e projektoi atë, por edhe pse ai e ndërtoi të gjithë punën e tij mbi kritere të rrepta shkencore, në bazë të një njohjeje të mirë të terrenit, zhvillimit ekonomik, të gjeografisë dhe të traditës historike shqiptare.

 

Nuk e di sa e kanë studiuar specialistët e fushës që merren me reformën administrative materialin e lënë nga Mehdi Frashërit të vitit 1931 për reformën administrative, por duke parë projektin e ri, shumë nga opsionet e dhëna nga Mehdi Frashëri janë patur parasysh, gjë që vërteton se ato kanë qënë të drejta , të mirëmenduara dhe të bazuara në historinë, gjeografinë, etnokulturën dhe  në faktorë të tjerë specifikë shqiptarë.

 

Studimi i Mehdi Frashërit, është një studim me tepër vlerë dhe mbetet në shumë aspekte aktual. Ky studim  është tepër interesant, me detaje të hollësishme,  që përfshin çështjet administrative, gjyqësore, financiare, të sigurisë publike etj., të cilat mund t’u bëjnë punë specialistëve dhe politikanëve të sotëm për gjetjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet faktorëve politikë aktual ë,  për të çbllokuar ngërçin e tanishëm të reformës territoriale.

 

“Në një shtet të vogël si Shqipëria, me një milion frymë, nuk e shohim të arsyeshme të ketë tri shkallë në administratën civile. Jemi të mendimit se me një organizim të mirë të Komunave, të cilat formojnë bazën e administratës, mund të suprimohen nënprefekturat, me dobi të madhe dhe me ekonomi të Arkës. Në këtë mënyrë suprimohen pothuajse 40 nënprefektura”, thoshte atëhere Mehdi Frashëri. Dhe drejtësia e thënies së tij provohet edhe sot.

 

Projekti i sotëm ngjan shumë me atë të Mehdi Frashërit. I sotmi ka pesë njësi administrative, i Mehdi Frashërit kishte 10 njësi të tilla, por duhet të kemi parasysh këtu inftastukurën e sotme rrugore dhe atë të komunikimit, ndërsa atëhere kounikimi ishte tepër i vështirë.

 

Ndarja territorial sipas Mehdi Frashërit, 1931-1932

 

  1. Prefektura e Drinopojës (Dropullit):

Nënprefekturat e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Libohovës, Himarës dhe Kurveleshit, qendër prefektura e Gjirokastrës

 

  1. Prefektura e Vjosës:

Pellgu i Vjosës, domethënë Vlorë, Tepelenë, Përmet dhe një pjesë e Leskovikut

 

  1. Prefektura e Apsit (emri shqip i lumit Osum):

Kolonjë, Dangëlli, një pjesë e Leskovikut,   Vakëfet, Skraparin dhe gjithë malësitë e Beratit, me qendër prefekture Frashërin

 

  1. Prefektura e Gjenisit, qendër Korça:

Fusha e Korçës, Bilishti, Voskopoja, Opari, Gora, Pogradeci gjer te Qafa e Plloçës, Verrica dhe Tomorrica

 

  1. Prefektura e Semanit, qendër Berati:

Mallakastra, Fieri, Lushnja, Sulova e Gramshit,  fusha e Beratit me gjithë pjesën e lartme deri në Dobrenj.

  1. Prefektura e Shkumbinit, qendër Elbasani:

Pogradeci, Librazhdi, Çermenika, Zaranika, Shpati, Dumbreja, Krraba, Darsia, Malësia e Peqinit, Rogozhina, Kavaja dhe Durrësi. Sa për Pogradecin, deri ku ndahen ujërat e liqenit me atë të Shkumbinit mund t’i lihen Korçës.

 

  1. Prefektura e Erzenit, qendër Tirana:

Qarku I Tiranës, Kruja dhe Shijaku

 

  1. Prefektura e Matit, qendër Burreli:

Grykat që ndajnë versanin e Drinit me versanin e Matit,  Mati, Kthella e Epërme dhe të Poshtme, Mirdita dhe pjesën e Kurbinit, ujërat e të cilit rjedhin në Mat.

 

  1. Prefektura e Drinit, me fjalën shqip Prefektura e Burimit, me qendër Anasin ose Homeshin:

Kolbardhi (Golloberda), Gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël, Bulqiza, Peshkopia, Luma dhe Hasi i Gjakovës

 

  1. Prefektura e Bujanës, me qendër Shkodrën:

Malësia e Gjakovës, Malësia e Shkodrës, Lezha dhe pjesa fushore deri te Liqeni i Hotit

 

 

  Mehdi Frashëri

Mehdi Frashëri (1874-1963), pinjoll i familjes së njohur të Frashërllinjve. Përfundoi  fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Stamboll. Pati detyra të rëndësishme në Perandorinë Osmane, ndër to edhe guvernator i Jerusalemit.

 

Pas krijimit të shtetit shqiptar u kthye në atdhe. Qe ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Durrësit (1918), deputet në parlamentin e parë (1921-1923), ministër i Punëve Botore (1921), Kryetar i Këshillit të Shtetit (1929), ministër i Bujqësisë (1930), Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1934, 1937) anëtar në komisione ndërkombëtare për caktimin e kufijve të Shqipërisë, dënoi botërisht pushtimin italian të 7 prillit 1939 me një fjalim të mbajtur në Radio-Tirana.

 

Fashistët italianë e internuan në Romë. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët e kthyen në Shqipëri dhe në tetor 1943 e caktuan në krye stë Regjencës, detyrë që e ushtroi deri në fund të luftës, kur u largua nga Shqipëria. Vdiq në Romë në vitin 1963.