Reportazh/Dy Tomorrët e Tomorrit      

Reportazh/Dy Tomorrët e Tomorrit      

Safet Kuqi

Duke udhëtuar në drejtim të Jugut, pasi lë pas qytetin e Beratit, arrin në Fush-Peshtan dhe, po të  kthehesh majtas, një rrugë plotë gropa të çon në dy fshatrat, Tomorr i Madh dhe Tomorr i Vogël, të cilët ndodhen në zemër të Parkut Kombëtar me të njëjtin emër. Para se të gjendesh aty, do kalosh përmes dy fshatrave të tjerë, Rabijak dhe Karkanjoz, gjithsej 10 km rrugë.

 

Çdo krahinë apo edhe fshat, ka traditat dhe veçoritë e veta, por traditat e dy Tomorrëve, janë pa një të dytë, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, pak i njohin ato. Jo vetëm traditat e këtyre fshatrave, por edhe vetë fshatrat.

 

Dy Tomorrët, i Madhi dhe i Vogli, shpesh herë ngatërrohen me krahinën e Tomorricës, që është në lindje, ndërsa dy Tomorrët janë në perëndim dhe që në mes të tyre rri malbabai, që u ka dhënë edhe emrat këtyre vendeve.

 

Tomorricarët kanë folur e kanë shkruar me bollëk për krahinën e tyre; tomorrakët, janë më të heshtur dhe më fjalëpakë, gjë që i ka bërë më pak të evidentueshëm, më pak të njohur, aq sa shumë njerëz nuk e dinë se, veç Tomorrit të Madh, ka dhe dy Tomorrë të tjerë.

 

Por cilat janë traditat e veçanta që thamë më sipër të këtyre dy fshatrave? E para e të parave është puna dhe mjeshtëria në trajtimin e tokës. Këtu për shkak të terrenit malor ka shumë pak tokë. Dhe ajo që është, është në formë tarracash, tarraca jo të bëra në socializëm, siç janë gjetkë, por qindra, ndoshta dhe mijëravjeçare. E dëshmojnë këtë gurët e mëdhenj ciklopikë, muret e lartë sa ato të kalave të lashta, që kanë përballuar brez pas brezi rrebeshe e faktorë të tjerë atmosferikë.

 

Prodhimet, veçanërisht perimet dhe frutat, këtu janë të një cilësie ekstra. Në sasinë dhe cilësinë e tyre ndikon ekspozicioni i të dy fshatrave, ata janë në shpat mali me drejtim nga jugu, nuk i zë as era e as ngrica e veriut.

 

Drithërat, perimet, rrushi, frutat, bulmetrat kanë qenë dhe mbeten bio. Mishi i dy tomorrëve dhe prodhimet e tjera kanë shije të veçantë, kanë aromë mali dhe janë të shëndetshëm. Dikur prodhimet e tomorrakëve i blinin vetëm zengjinët e Beratit. Edhe sot e këtyre ditëve prodhimet shiten e blihen me porosi, përmes një kontrate e besimi reciprok gojor.

 

Një zakon tjetër që nuk ka ndryshuar, madje edhe në komunizëm, ishte edhe ai i administrimit të fshatit. Pavarësisht se kishte struktura organizimi e drejtimi të kooperativës në fshat, përsëri pleqtë vlerësoheshin si shenjtorë. Ç’thoshin ata behej. Le të kishte sekretar partie, hallet dhe problemet edhe ato që lidheshin me qeveri i hidheshin mbi shpinë kryeplakut. Pyetej ai, pa më pas “zyrtarët”.

Në të dy Tomorrët nuk mbahet mend të ketë patur sherre dhe mërira. Ato mbylleshin pa u hapur. Kryepleqtë i shmangnin bukur qejfmbetjet, pasi i njihnin mirë huqet e karakteret e secilit banor.

 

Se çfarë force kanë patur traditat dhe zakonet në dy Tomorrë po japim një shembull: Nezir Danushi, i vetmi eksponent i Ballit Kombëtar në këtë fshat, kur po përfundonte lufta u arratis nga vendi i vetë dhe gjeti strehim në Angli, ku u rekrutua dhe u përdor si diversant për të rrëzuar pushtetin e Enverit.

 

Sigurimi i Shtetit e dinte se ai vinte shpesh në Shqipëri, por nuk e kapte dot. Po ku strehohej Neziri, kur në atë kohë ishte e vështirë, madje e pamundur të hyje e të dilje, jo të gjeje strehë në Shqipëri? Atë e strehonte fshati! Kush e ka jetuar atë kohë, e di se sa e rrezikshme ishte kjo gjë, por ja në Tomorr kjo ndodhte.

 

Uniteti dhe besa fshatit ishin të një shkalle maksimale. Ata e patën strehuar disa ditë apo javë diku në një shtëpi diversantin, pastaj e patën porositur të kthehej nga kishte ardhur. Të dyja palët patën gjetur këtë ujdi. Më tej nuk shkuan. As tomorrakët që banonin këtu në vendin e vet, as Neziri që banonte në Angli dhe kishte marrë përsipër të kryente detyrat e ngarkuara nuk vrau dhe nuk sabotoi.

 

Një natë fjeti diversanti në Duhanas, në një fshat afër Beratit, dhe pas dy-tri ditëve pasi qe larguar, i zoti i shtëpisë u arrestua dhe u dënua me burg, ndërsa pjesëtarët e familjes përjetuan peripecitë e njohura në ato vite. Ndërsa në Tomorr edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku ai u strehua për javë e muaj të tërë.

 

Secili nga Tomorrët kishte kryeplakun e vet, por punët e mëdha dhe buxhaku i djathtë ishin rezervuar për kryeplakun e Tomorrit të Madh, tjetri, në një farë mënyre qe zëvendësi i të madhit. Ky më i madhi, hapte muhabetin, bënte urimet i pari, ngrinte dollinë i pari, mbyllte edhe darkën apo drekën e sebepit.

Vdiq socializmi, u ringjall kapitalizmi. Ca u gëzuan, të tjerë u thartuan. Nisën edhe reformat. Ndër të parat qe reforma e tokës sipas vendimit 7501. Edhe në dy Tomorrët u krijuan nga pushtetarët e kohës komisionet ndarjes së tokës. Por fshatarët nuk pranuan që tokat e tyre të bëheshin thërrime-thërrime, përzunë fshatshe komisionin që kishte marrë edhe bekimin e kuvendit, të partive e të qeverive. Zgjodhën burra të tjerë, gjetën vendet ku qene kufijtë e secilit para viteve dyzet e gjashtë, i rivendosën aty. Çdo familje mori e po gëzon edhe sot e këtyre ditëve djersën që patën derdhur gjyshërit e stërgjyshërit e tyre.

 

Fshatrat s’janë boshatisur, siç ka ndodhur gjetkë në Shqipëri. Ata punojnë e derdhin djersë në tokat e tyre, prodhojnë drithëra, fruta, rrush, veçanërisht perime të një cilësie të lartë që çajnë tregjet. Por nuk kanë rrugë. Një transhe e hapur me traktor që para viteve nëntëdhjetë sa vjen e degradohet. Edhe në këtë gjendje, e kanë mbajtur vet banorët.

 

Një e veçantë e banorëve të këtyre dy fshatrave është se, megjithëse janë të besimit bektashian dhe tyrben e Abas Aliut e kanë mbi kokë, nuk shkojnë e të betohen atje. Ata i besojnë vetes, krahëve dhe zemrës së tyre të gjerë.

 

Dy Tomorrët janë në qendër të Parkut Kombëtar të Tomorrit, por nuk trajtohen si të tillë. Mungesa e e infrastrukturës rrugore, e lokaleve dhe bujtinave ka bërë që edhe numri i turistëve të jetë i kufizuar. Shkojnë vetëm ata të aventurës, kur ka shumë mundësi edhe për lloje të tjerë turizmi si, agroturizëm, turizëm historik etj.

 

 

Tomorri i Madh, një kala e pa studiuar

 

 

Në rrëzë të malit Tomorr, pak më në veri të fshatit Tomorr i Madh, lartësohet një platformë e ngurtë, tepër e përpjetë nga jugperëndimi. Kodra që mban platformën shkëmbore dhe që vendasit e quajnë “Qytet” duhet të jetë vazhdim i malit të Tomorrit, por, si rezultat i një çarjeje të madhe dhe më vonë nga forca gërryese e ujërave është shkëputur nga mali, duke u mbështetur ashtu në pjerrësi të theksuara nga tri anët. Vetëm në anën jugperëndimore një qafë e lidh me kodrën fqinjë. Vet platforma ngrihet si një sferë shkëmbore e thikët mbi kodër me një lartësi pesëdhjetë metra. Platforma ka qenë e banuar që prej kohëve të lashta. Në të çon një rrugë e ngushtë dhe e vështirë nga pendimi, me gjurmë shkallësh të gdhendura që me zi dallohen.

Duke iu ngjitur të përpjetës së platformës, në krye të saj, në anën veriore, përpara del një shesh ku ndeshemi me muret e Akropolit. Këto nuk i përkasin vetëm një periudhe. Mbi muret antike prej blloqesh të mëdha guri rreth 1.7 metër të gjatë dhe 0,40 metër të lartë janë mbivënë në një fazë të dytë një mur me gurë të  vegjël lidhur me llaç, që i përkasin periudhës bizantine.

 

Forma e këtij sheshi është ajo e një trapeze të çrregullt. Muret e rrethimit arrijnë në një perimetër 210 metro. Këto bashkojnë katër kulla 4x 8 metro, prej të cilave tri prej të cilave ngrihen mbi shkëmbin natyror. Megjithëse rrënimet nuk janë pastruar nga dora e njeriut, dallohen gjurmët e shumë mureve që bienë kryq e tërthor akropolit. Një vend të rëndësishëm zë këtu stera me një kapacitet 100  000 litra uji. Muret e sterës janë të dyfishta. Të dyja të bashkuara me 45 centimetër njëra tjetrën. Ndryshe nga njëra tjetra vetëm nga llaçi . Muri i brendshëm është ndërtuar me llaç prej  pluhuri tulle hrosan, i cili nuk lejon depërtimin e ujit.

 

Kalaja duhet të jetë ndërtuar vetëm me qëllim mbrojtje, e ngritur në një zonë të thellë malore më një pozicion të mrekullueshëm strategjik. Ajo u ka shërbyer qendrave të tjera të banorëve dhe vet   banorëve të zonës si prapavijë e sigurt. Me këtë mendim është edhe J. Katakuzeni. Ai e quan fortesë të banuar. Kjo kala mbizotëron edhe mbi kala të tjera si Gradishta e Peshtanit, Mbolanit, Vojakut, Gradishtës së Qereshnikut, kalasë së Vokopolës. Që këtej duket edhe kalaja e Beratit, gjë që provon edhe rëndësinë strategjike të kësaj kalaje.

Në Tomorr dhe në disa fshatra rreth e rrotull para pak viteve më parë është ngjitur e dhe Ceka i sotëm. I bënë përshtypje shumë gjëra atëhere, dhe tha se jemi të vonuar për  të nxjerr të vërteta  më të sakta, por vetëm kaq. Si duket harroi. Kalaja ende ndodhet aty. Ende aty është edhe sheshi i  Shën-Pjetërit pak më tej, ne veri  të malit, edhe qyteza me themele e murnaja që ende nuk dihet kush e ndërtoi dhe kush e shkretoi, edhe Vromin e Madh që në mijëra vite më parë ka lidhur Beratin me Korçën dhe Selanikun e më tej.