Reportazh / “Kryeqyteti i luftës” po kthehet në katund prej braktisjes

 Reportazh / “Kryeqyteti i luftës” po kthehet në katund prej braktisjes

Gëzim Kabashi

Çorovoda është një qytet i pastër dhe me një gjelbërim të harlisur nga të gjithë anët, por migracioni i lartë e ka kthyer në një mëhallë të përgjumur.

 

 

Vladimir Nanushi, i cili administron një bar – lulishte mbi lumë në qytezën e Çorovotës nuk e fsheh as para klientëve gëzimin që i kanë ardhur fëmijët.

 

“Më ka ardhur djali nga Gjermania, bashkë me nusen dhe çupën,” thotë ai, ndërsa shton se ata do të qendrojnë disa ditë.

 

Dy fëmijët e Vladimirit kanë përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës vite më parë, por më vonë janë larguar nga vendi dhe kanë emigruar në Gjermani dhe Zvicër.

 

“Nuk i mbaja dot këtu,” ankohet ai.

 

Mbesa e tij Hana, 5 vjeç, është një fëmijë i shkathët që zë shpejt miqësi me klientët. Vogëlushja brune na tregon me një shqipe të bukur se ka lindur në Japoni, atje ku më parë punonte i ati.

 

Megjithëse është fundjavë, përtej gjallërisë në bar-kafenë e Vladimirit në mes të lulishtes, sheshi i madh në qendër të qytetit të Çorovodës është thuajse bosh. Në trotuarin nga krahu i malit tavolinat e lokaleve duken sikur janë braktisur nga njerëzit, ndërsa në lulishte lozin shumë pak fëmijë.

 

Largimi i të rinjve është kryefjala e bisedave me skraparllinjtë, të cilët gjejnë të njëjtin fajtor: politikën.

 

Në mungesë të një censusi pjesëmarrja në zgjedhje konsiderohet sondazhi më i mirë për matjen e emigracionit. Numri i zgjedhësve në listë ra nga gati 14,800 në vitin 2011 në 13,200 në vitin 2023, edhe pjesëmarrja në votime u rrudh nga 8,900 votues në 2011 në vetëm 6,300 votues në zgjedhjet e 14 majit.

 

Kur duan ta harrojnë trishtimin që sjell qyteti i zbrazur ata rikujtojnë “lavdinë” e Çorovodës, në vitet ’70 – ‘80.

 

“Çorovodën deshën ta kthenin në kryeqytet në kohë lufte,” tha Shpëtim Llango, prandaj e mbushën me tunele, me qëllim që “drejtuesit e shtetit të strehoheshin këtu”.

 

Nagjashëm me Vladimirin edhe fëmijët e Shpëtimit nuk banojnë në Çorovodë.

 

“Djalin kam më afër, punon në Tiranë”, tha ai.

 

Shpëtimi administron një hotel në qendër të qytetit, të cilit i ka vënë emrin e tij. Ngaqë nuk ka punëtorë, mesoburri na jep çelësat pa patur merakun se mund t’i harrojmë dyert e hapura.

 

Në Çorovodën me shumë pak banorë aktualisht ka tetë hotele, tarifat e të cilave duken të larta në mungesë të turistëve. Njëlloj të larta janë edhe çmimet e restoranteve.

 

“Edhe kjo është pasojë e fukarallëkut”, ankohet Shpëtimi, ndërsa e shpjegon situatën, duke i marrë në mbrojtje me elegancë sipërmarrësit vendorë.

 

 

Turistët e huaj shpesh e shmangin qytetin dhe marrin rrugën e unazës për t’iu drejtuar kanioneve, mrekullia natyrore 20 kilometra larg, që bashkë me urën e Kasabashit janë dy vendet më të vizituara të zonës.

 

“Ata nuk hyjnë fare në qytet”, na kishte paralajmëruar Vladimiri më herët.

 

Ilir Kapxhiu, e ka hapur kafenenë e tij që në orët e para të ditës. Brenda janë dhe dy punëtorë.

 

“Është e dielë sot, ditë pushimi”, bën shaka një nga punëtorët. “Po gjatë javës? – e pyes. “Presim të dielën” – më përgjigjet ai, duke qeshur.

 

Në mesin e viteve ’60, kur ky reporter vizitoi qytezën për herë të parë, Çorovoda dukej si katund i madh. Qyteza pësoi ndryshime në vite, por banorët e saj nuk shohin ndonjë shpresë tek e ardhmja.

 

“Tamam, dhe në katund po kthehet”, tha me pezm Ilir Kapxhiu, i cili bashkë me lokalin kujdeset edhe për një dyqan materialesh ndërtimi.

 

Që prej disa vitesh, rrethi me qendër Çorovodën njihet zyrtarisht si Bashkia e Skraparit.  Rruga kombëtare që e lidh me Beratin, është rindërtuar në fillim të viteve 2000 dhe duket që ka ardhur koha për një ndërhyrje tjetër.

 

“Më parë na thonin se rruga e re do ta përgjysmojë kohën e udhëtimit, pasi do të kalonte nëpër grykën e Osumit, shumë pranë lumit, por jo nuk ndodhi,” tha Shpëtimi.

 

“Qyteti vazhdon të jetë një xhep, pa lidhje me qendra të tjera”, shtoi ai.

 

Edhe rrugët që të lidhin me Korçën apo Përmetin kanë mbetur të papërfunduara vetëm për disa kilometra.

 

 

Disa kampera me turistë shkojnë njëlloj si ne drejt kanioneve të Skraparit. Këtu një belvedere e ndërtuar me pjesë metalike ka pamjen e një ballkoni, ku nga lartësia 80 metra shihet lumi mes faqeve shkëmbore si dhe ndonjë barkë gomone, e cila është lëshuar në ujë për sportin ‘rafting’.

 

Lëndina më tej ka mbledhur disa automjete turistësh me targa nga e gjithë Evropa, ndërsa vijojnë përgatitjet e sportistëve të tjerë.

 

Vijojmë deri atje ku gjatë shtrimit të tubacioneve nga TAP është ndërtuar edhe një pjesë e rrugës  drejt Përmetit. Banorët kujtojnë se atëherë u punësuan të gjithë në veprimtarinë e projektit të gazsjellësit. Në fshatin Rog, që ka gjithsej 13 shtëpi, na bën përshtypje një ballkon me flamurin kombëtar ku edhe ndalojmë.

 

“Deri këtu mund të vish me një mjet të zakonshëm,” na thotë Sazani, i zoti i shtëpisë, ndërsa e shoqja, Gjyrxhia, na fton për një gotë rehani rrushi, që është pija karakteristike e zonës. Sazani shpjegoi se për të vijuar drejt Përmetit duhet një makinë fuoristradë.

 

“Faleminderit juve që ndaluat, se nuk kemi me kë të bëjmë muhabet” – tha Gjyrxhia, e cila bashkë me Sazanin na tregojnë historinë e fshatit dhe të familjes.

 

Bashkëshortët nga Rogu jetojnë vetëm pasi i kanë larg fëmijët, shumicën jashtë vendit, në Itali.

 

Kur i urojmë për shtëpinë e bukur, ata ankohen se fëmijët nuk do të kthehen më për ta gëzuar.

 

“Duket se pleqëria do të na çojë  neve te fëmijët”, tha me keqardhje Sazani. (BIRN)