Reportazh: Në Koprënckë, ku dhimbja dhëmb si kurrë ndonjëherë tjetër!
Rushan Dosti
Na “thirri” Baba Sulejmani, dhe ne, si ushtarë të bindur, u përgjigjëm. E vështirë për mua dhe Myrton që kujtonim edhe 50-vjetorin e ikjes për në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan.
Menduam se do të gjenim atë Koprënckë që lamë në lot gëzimi dhe tashmë qajmë me lot dhimbjeje e hidhërimi.
Bashkë me fisnikun Hajdar Bilimanin, djalë Helmësi, nga familja e njohur e Bilimanëve, u nisëm me makinën “Benz” dhe në Qafën e Cikovës mbetëm në diell. Falë telefonit, dhe heronjtë e rrugëve pa rrugë na rrëmbyen si skifterë, dhe pas pak minutash u falëm tek Mekami i Baba Sulejmanit, ndërtuar në një kodër në lagjen Dyrmish.
Pas faljes vizita në gërmadhat e shtëpive ku kanë jetuar gati 1000 banorë. Lot dhe vetëm lot. Dhe vetë videoja e celularit nuk besonte më.
Shtëpi të rrënuara tërësisht, rrugë të mbuluara nga ferrat dhe gjëmba të rritur sa një qereste.
Në Koprënckë ka 30 vjet që ka “rënë bomba”. Edhe pse ka kaluar kaq luftëra, Koprencka nuk ka vajtur kurrë në këtë gjendje. Pamje të tilla shihen vetëm në vende që ka luftë. Ndaj dhe dhimbja jonë e kësaje radhe, dhemb më shumë se anjëherë tjetër.
Gjithsesi na mblodhi malli dhe halli. Mbi 50 koprënckallinjë u bëmë tok. Folëm dhe u çliruam disi nga ndjenja e fajit.
Ishin aty Hekurani dhe Qerim Dyrmishi gati 90-vjeçar, që ngritën dolli e kënduan këngë të vjetra. Pas tyre ulur në tavolinë në shtëpinë e fisnikut Njazi Dyrmishi, ne brezi i butë dhe afër nesh fëmijët dhe nipërit tanë.
Joni, nipi im erdhi nga Belgjika dhe nipi Mestani kandidat për oficer, për herë të parë shijuan pjekjen e mishit në hell.
Pas këngëve dhe dollive të shumta, lotët e dhimbjes u kthyen në forcë: Koprëncka ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për Koprënckën!
Heronjtë e këtij takimi të përmallshëm, pas Baba Sulejmanit, janë Kujtim Dyrmishi, Frederik Dyrmishi, Selam Kushe, “senatori” i Koprënckës, Alo Dyrmishi dhe kryeplaku Petrit Dosti, që prej 30 vitesh jetojnë këtu.
Sivjet na ftoi dhimbja. Mot ndoshta takohemi me më pak dhimbje.
Faleminderit kryebashkiakut Adriatik Mema që “kuroi” për pak ditë plagët e rrugës për në Koprëncë!…
Faleminderit koprëckallinjëve që nderuan Baba Sulejmanin dhe djepin e tyre Koprënckën!…