Reportazh nga Viena: Përballë historisë, elegancës, madhështisë dhe ndjeshmërisë vieneze

Reportazh nga Viena: Përballë historisë, elegancës, madhështisë dhe ndjeshmërisë vieneze

Petrit Zeneli

 

Kur e shkel vet këtë vend modern dhe përballesh me mrekullitë që të dalin para syve (nga  aeroporti në qendër të Vjenës e më tej), në çast  kupton se paskan patur arsye “Habsburgët e Shën Brun-it” që erdhën deri në malet e Skraparit,  më 1916, me ëndërrën ta kishin të tyren  Shqipërinë, si një vend miqësor të pushtuar, vetëm e vetëm për pakëz det, gjëja e vetme që u mungonte, e që zoti s’ua kish dhënë me pa të drejtë!

 

Por kjo ëndërr e gjatë mbretërore u tret maleve shqiptare dhe në Shkodrën Loce, edhe pse për  inat të Francës me Korçën autonome, austro-hungarezët e shpallën Shqipërinë të pavarur nën protektoratin e tyre, më 3 janar 1917, me qendër Shkodrën.

 

Në fakt, mbarimi i Luftës së Parë Botërore, më 1918, e shkriu këtë perandori të madhe, e bashkë me të edhe ëndërrën e detit  shqiptar, që e lakmonin, sikurse shumë europianë të tjerë.

 

Kjo është e vërteta historike, pavarësisht se ç’shkruajnë disa, që flasin për pushtues ëngjëllorë, të cilët na grabisnin, digjnin e vrisnin për të mirën tonë.

 

Ndryshe nga ne shqiptarët, që mezi u ngremë shtatore heronjve që derdhën gjakun në luftë me pushtuesit shekullorë, në vende të tilla ish perandori, u ngrihen shtatore edhe prijsave pushtues që u kanë sjellë të mira materiale e lavdi vendeve të tyre. Asnjë paragjykim! Bota ka qenë, është e do të jetë interes!

 

Le të listojmë për një çast vetëm të dukshmen vjeneze, që të mahnit teksa vozit bulevardeve e trotuareve tejet të gjera e të pastra, gjelbërimit që zë gati 30% të qytetit;

klimës kontinetale, pa lagështi ajri, me rregullator Danubin “blu” përmes;

transportin publik perfekt, të shumëllojshëm e të shpejtë, që bën të mos njihet fjala trafik apo shprehja “kishte trafik, ndaj s’erdha dot”;

njerëzve elegantë (asnjë obez)  të veshur thjeshtë, që vraponin deri me kapuçino në dorë drejt punës; kafeneve modeste frekuentuar kryesisht nga pensionistë e në fundjavë edhe nga të rinjtë;

sistemin on-line modern, që si një orë e artë zviceriane me diamantë vinte në lëvizje gjithë “qarkullimin e gjakut” vjenez;

ujin e pijshëm në rubineta, shumë më i shijshëm, cilësor dhe i freskët se ai i ambalazhuari në shishe, çmimet më të ulëta se në Shqipëri të ushqimeve në supermarkete (veçanërisht në atë “Billa”);

ndërtesat uniforme, me çatitë e pjerrëta e pa ballkone, sigurinë e lartë në çdo lagje dhe zhvillimin unik si në qendër e periferi;

ftohtësinë e adhurueshme të qytetarëve të civilizuar, që në dukje shikonin vetëm punën e tyre, por që në fakt secili, pa mburrje, kryente detyrën për vendin e vet.

 

Natyrisht, edhe ushqimi apo guzhina vjeneze janë pjesë e kontaktit të parë me të, por pavarësisht reklamës së madhe që i bëjnë schnitzelit të famshëm (mish viçi i ri), strudelit me mollë apo salçiçeve që i gjeje me shumicë kioskave, unë s’do e ndërroja kurrë atë me ushqimin e shijshëm shqiptar, pa harruar pastaj frutat e freskëta në Shqipëri, që i gjen me shumicë në çdo kthesë rruge, kurse atje të ambalazhuara në qese plastike, që kurrësesi nuk të bëjnë të lëshojë goja lëng. Kur shkon të shtunën në Vjenë, do i bësh llogaritë mirë, sepse të dielën nuk gjen supermarket hapur, me përashtim të një “Shpari”, që abuzon me çmimet, pasi e dinë që blerësit janë vetëm turistë.

 

Kujtojmë se Republika Demokratike Federale Austriake (me 9 shtete), me një popullsi rreth 9 milionë banorë, gjuhë zyrtare gjermanishten, vendi i kompozitorëve të mëdhenj Mozart, Beethoven, Strauss, Schubert, Brahms, qendër e disa organizmave ndërkombëtare si OPEC, OSBE, ONEA dhe OKB, jo e pasur në minerale por me një industri tepër të zhvilluar energjitike, mekanike, kimike e tekstile, renditet ndër vendet më të zhvilluara të Europës, me nivelin më të lartë të kulturës dhe jetesës, ndërkohë që pavarësinë e plotë e ka fituar vetëm në vitin 1955 (kur u bë dhe anëtare e OKB), pas ndarjes më 1918 nga Hungaria, pushtimit gjerman më 1938, çlirimit nga nazistët në 13 prill 1945, dhe mbajtjen nën kontrollin e aleatëve deri në vitin 1955. Më 1995 Austria hyn në Bashkimin Evropian dhe më 1999 fut në tregun e vet euron si monedhë shtetërore.

 

Për Austrinë (shek. i Parë pas Krishtit) dhe Vjenën kryeqytet (me rreth 2 milion banorë) që është thirrur e tillë vetëm në vitin 881, për shkak të lumit të vogël me të nëjtin emër, Vjenë, duhet të flasësh shumë, por ajo që le mbresa të pashlyeshme tek çdo vizitor i huaj është cilësia e lartë e ndërtimeve për banesa, institucione shtetërore, artit, kulturës dhe atyre religjioze, me një stil dhe rregullsi të paparë. Për dikë që ka pak njohuri në këtë fushë, kujtoj se në Vjenë gjenden të gjitha llojet e stileve të arkitekturës botërore, duke filluar që nga ai i Greqisë së lashtë, dorik (me kolona) tek parlamenti, për të vazhduar me stilin roman (shek. X-XII), kopjuar nga Roma e lashtë, me përdorim të harqeve dhe qemereve gjysëm-rrethore në Kisha prej guri, komplekset e Manastireve e kështjellave.

 

Muret e trasha prej guri, dritaret e vogla dhe kullat mbi ndërtesa janë të stilit romak (jo fort estetike) por të frikshme, duke shprehur kështu forcën e kishës në Mesjetë. Stili gotik, i lindur në Francë shek XIII-XV (marrë emrin nga fisi gjerman i gotëve, të cilët kishin plaçkitur barbarisht Romën më 410, e për shkak të kësaj u quajt arti barbar), konsiston në katedralet elegante të Vjenës me kunjat e mprehta në lartësi, tavanet e lehta, dritaret e mëdha, të zbukuruara e me dritë, muret e kolonat më të ngushta etj, siç është rasti i Katedrales së Shën Stefanit, e shek. XIII, Bashkia e Vjenës etj. Së fundi është stili Barok,  i shek XVII, që e hasim në Belvedere, kisha Charles, Kolona e Murtajës etj, e që në thelb ishte  kundërshtim i thjeshtësisë që po ndodhte në arkitekturë, duke iu kthyer elementeve të lëna në harresë nga koha e Rilindjes europiane.

 

Në mbyllje, qershija mbi tortë, është Velt Museum, një muze gjigant, që të sillte historinë e botës para syve, dhe ku përjetuam emocionin më të veçantë. Qysh në recepsion, një zonjë rreth të 50-ve, pas kryerjes së modaliteteve, na pyeti nga jeni, e më pas gjithë mirësjellje e dashamirësi, na u drejtua, – tek 1 e keni Skënderbeun!

 

Nuk e shpreh dot si u ndjemë atë çast, kur një e huaj fliste me aq respekt për heroin tonë kombëtar, Gergj Kastriotin, mbrojtësin e krishtërimit europian, sikurse shkruhej në stendën e tij, ndërsa ne këtu mundohemi t’i nxijmë biografinë.

 

Me sa dashuri e krenari e soditëm ate stendë, por dhe sa befasuese ishte kur në pavionet e atij muzeu pamë dy klasa nxënësish që e zhvillonin orën e mësimit të historisë aty, një mësuese zezake në pavionin e Afrikës, kurse një e bardhë në pavionin e Europës. Lum si këta nxënës, thamë me vete!

 

Vjena është shkollë për këdo, edhe për 25 mijë shqiptarët që gjenden atje! Kurse Shqipëria është dashuri e patjetërsueshme dhe e pakundërshtueshme për ne!