“Republika e Nolit” dhe “Republika jonë”!…

“Republika e Nolit” dhe “Republika jonë”!…

 

Hysen Binjaku

 

“Sa vend i bukur! Kur të shpallim Shqipërinë Republikë, do ndërtoj një kasolle dhe  do vij në behar të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshëve të mij”…

 

Kështu shruante i madhi Fan Noli dikur, aty nga fundi i shekullit 19-të, fillim i shekullit të 20-të.

Po, i madhi Noli! Në vitet njëzet të shekullit të 21-të Shqipërinë e kemi Republikë (Demokraci  liberale e quajmë qeverimin e këti vendi).

 

Por, edhe pse e kemi Republikën, me keqardhje dhe turp të madh, po të them se unë nuk e kam ndërtuar dot kasollen në fshatin tim të lindjes (që natyrshëm është fshati i babait, gjyshit e stërgjyshit), pasi shtëpinë që kishim e dogjën dhe i morën gurë, drurë dhe dërrasa.

 

 

Por, edhe po ta ndërtoj (se drurë dhe kashtë  ka me shumicë aty) nuk më hyn në punë se kasollja, siç thua edhe Ti, Imzot Noli, duhet për pushime afatgjata ose fundjavë (ëeekennd, siç themi ne shqipot e tanishëm).

 

 

Mirëpo, që të pushosh, së pari duhet të shkosh dhe unë (e shumë e shumë si unë) nuk shkoj dot deri atje në fshat pasi nuk ka rrugë, megjithëse është vetëm 120 km nga qendra e Tiranës (Sheshi Skënderbej)  dhe vetëm 30 km nga Grëmshi, qyteti më i afërt deri ku ka ngecur rruga.

 

 

Kjo është gjendja në gjithë fshatrat e Tomorricës, që Ti, Imzot Noli e njeh, se ke qenë në ditët më të vështëira se këto të tanishmet në Dobrenj, gjysmë ore larg fshatit tim, Çerricës, por e njeh edhe nga historia sepse kjo krahinë ka patur deputet në Republikën e parë, as më shumë e as më pak, por vetë themeluesin e Republikës, Kryeministrin e parë, zotin Ismail Bej Qemali nga Vlora.

 

 

Nuk di çfarë bëhet me rrugën andej nga fshati i stërgjyshëve të Tu, o Im zot Noli, por, besoj dhe shpresoj, se do jetë bërë ndonjë gjë ato gjashtë muaj që Ju ishit Kryeministër, gati një shekull më parë?!