Ribotim, për ata që nuk e kanë lexuar
Sipas traditës shqiptare, në ditët e fundit të vitit, njerëzit nuk duhet të grinden apo të mbajnë mëri me njëri – tjetrin, duhet të jenë të qeshur, të bëjnë humor e shaka, që Viti i Ri dhe i gjithë 2025-a t’i zërë të lumtur dhe të gëzuar.
Ndaj për këtë rast, gazeta on-line “Orakujt e Tomorrit”, boton për lexuesit dhe ndjekësit e saj të nderuar dhe të respektuar rubrikën Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka!…
“Në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”
Driteroi nuk harrohet kollaj, është vepra e tij e shkruar madhore, por edhe ajo e pashkruara: batutat e goditura, anekdotat therëse, barsoletat plot lëng humori, sentencat sarkastike, “hazërxhevapet” e tij të papërsëritshëm që ndiznin me goditjen e parë si një eshkë në gurë masati, që bën të pavdekshëm…
Driteroi nuk kishte dhe nuk ka nevojë që të tjerët t’i ngrinin përmendore. Ai ia ka ngritur vetë përmendoren vetvetes, qoftë edhe me gjërat e thjeshta, kur them të thjeshta, të thjeshta fare…
Po tregoj një rast:
Vjen një herë Driteroi në Skrapar. Pasi ndenji një natë aty, te Iliaz Kapxhiu, një shoku ynë krijues që vdiq shpejtë i shkreti, të nesërmen, te “Ura” në qendër e përcollëm.
Kur i dhamë dorën, ai i tha Iliazit me shaka: “Po s’na dhe një lepur, o Iljaz”! “Oh, ç’më lërove nënën”! – ia ktheu Iliajzi, – u ndodha ngushtë dhe e shita çiften, pa kush ta kursente!” – i tha Iljazi i prekur. Makina u nis, por Iljazi ngeli si hu në këmbë edhe disa minuta të tjera.
Ilaizi ishte gjahtar, dhe një nga gjahtarët më të mirë të Skraparit, por në atë kohë kishte shitur çiften. Unë në atë kohë isha me një shërbim të gjatë në Televizionin Shqiptar në Tiranë.
Pas një jave, Iliazi i thotë vjehrrit tim, Fadil Dyrmishit, edhe ky gjahtar, se kur vjen Zyloja nga Tirana. “Të shtunën dhe kthehet të hënën”, ia kthen ai.
“Atëhere do të më japësh çiften, se më ka ngulur një “gozhdë” ai Driteroi, sa, po nuk e nxora, plasa”! “Patjetër”, i thotë Fadili.
Ditën e hënë Iljazi, mes 13 lepujve që kishte vrarë një ditë më parë, gjen dy lepuj me dhjamë në veshka (lepuri nuk vë dhjamë), iu fut dhe nga një gjysmë kile raki në bark dhe m’i jep t’ia çoj Driteroit.
Krahas pakos me pëlhurë të qepur, se s’kishte qeska siç ka sot, më jep edhe një copë letër të hapur për Driteronë.
Sa zbrita nga treni, frymën e lash te Lidhja. I thashë sekretares se kush isha, dhe ajo pas pak më ftoi të hyj brenda. Pasi u përshëndoshëm dhe më pyeti për shumë njerëz në Skrapar, unë i dhashë pakon e qepur dhe letrën që e nxora nga xhepi i këmishës.
Pasi lexoi letrën Driteroi qeshi aq fort sa mua mu duk se u tronditën librat në raftin pas tij. “A e ke lexuar letrën? – më pyeti. “Jo”- i thashë. “Po ti letrën të hapur në xhep dhe nuk e lexon”, më tha. “Ishte për ju dhe jo për mua”! – se si më doli zëri.
“Po a e shikon ç’thotë” – tha Driteroi dhe filloi të lexojë: “ I dashur Dritero, thonë se lepuri nga frika nuk vë dhjamë, por në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”!!!….Iljazi”.
“Po kjo nuk është metaforë letrare, por një filozofi e tërë për Skraparin dhe Skraparllinjtë…Çdo koment tjetër, është i tepërt”, tha Driteroi.
Kur jemi takuar më vonë me djemtë e Demir Zykos, Arshinin dhe Rustemin, para pesë-gjashtë vjetësh në shtëpinë e tij, ma kujtoi këtë histori.
“E, i thashë, po ato i takojnë Skraparit të parë, jo këtij të tanishmit, ku lepuri i ferrës është bërë luan me kriftë dhe luani me kriftë, lepur ferre!…
Qeshi me të madhe dhe më përqafoi.
I ka mosha këto gjëra!…
Një plak si zakonisht po rrinte në lulishte. Një çift më tej putheshin për hesap të tyre.
Vajza që pa plakun paksa të habitur I tha:
-Xhaxha, mos u habit, i ka mosha këto!…
S’kaloi pak dhe Xhaxhait I shpëtoi një pordhë jo e vogël.
-Xhaxha, ç’qe kjo që bëre!? – tha vajza.
-Epo, mosha, moj bijë, i ka mosha këto gjëra! – ia ktheu plaku tërë seriozitet.
Po ta jap me këmbë, se këto këmbë do ta kërkojnë
Për të blerë një thes misër një fshatar i kërkoi tregtarit borxh një napolon. Tregtari nxori nga xhepi napolonin, hoqi çorapen, futi napolonin në mes të gishtave të këmbës dhe ia zgjati këmbën fshatarit.
-Pse ma jep me këmbë!? – i tha i fyer fshatari.
-Se këto këmbë do të bredhin që ta marrin borxhin – iu përgjigj tregtari, i djegur kushedi sa herë nga këto lloj borxhesh.
Me këtë nënë që kini ju, nuk u lë asnjëherë pa baba!
Vendimi që mori e shoqja për të shkuar në emigracion u prit mirë nga gruaja, por u kundërshtua nga fëmijët.
-Mos ik, baba, boll kemi ato që kemi, me kë do të rrimë ne, na merr malli! – iu lutën fëmijët.
-Mos u mërzitni, se me këtë nënë të zonjë që kini ju, nuk u lë asnjëherë pa baba!…
Do ta shij me pelën tuaj…
Një fshatar po lëronte tokën me gomar. Kalon aty afër një fshatar tjetër nga fshati fqinj, përtej lumit, hipur në kalë. Pas përshëndetjes së rastit, ai i kalit i thotë atij që po lëronte:
Meqë lëron tokën me gomar,
Mos të mbiftë asnjë farë…
Fshatari tjetër nuk e la fjalën të binte në tokë, por, menjëherë, po me bejet ia ktheu:
Kur ta korr e ta bëj duaj,
Do ta shij me pelën tuaj…
Kujdes, nënë, mbaj radhën!…
Një ditë dy vëllezër shkuan te varri i nënës
Djali i madh duke vendosur lulet, i thotë:
-Ah, moj nënë e dashur, sa jemi malluar, si duron për ne? Po edhe ne po plakemi, dhe te ty do vijmë!
Vëllai tjetër, më i vogël, kur dëgjoi këto fjalë të të vëllait, shpejtoi dhe thirri fort:
– Megjithatë, nënë, mbaj radhën!…
Po japim më poshtë dy-tri perlat humori të Shyqyri Jahos nga Skrapari
Krushk në Gradec
Niset xha Shyqua selamas krushqësh për të marrë një nuse në Gradec. Para se të hyjnë në fshat, në një pushim të shkurtër, ai po u jepte porosi shokëve të ishin të kujdesshëm në të pirë dhe në muhabet. Në këtë kohë shikon dhëndërrin me një kollare një pëllëmbë të gjerë edhe në këmbë opinga llastiku.
-O djalë, i thotë, hiqe këtë kullaro se nuk vete hiç. Po shkojmë në Gradec dhe ju e dini si janë gradecllinjtë, do të na këpusin ndonjë llaf që s’do ta mbajë kandari. Dhe a e blejmë dot, a e kuptojmë se…
-Ç’i ke këto, xha Shyqo, e ndërpresin krushqit e tjerë, ai është dhëndërr dhe duhet të dallojë!
-Mirë, mirë, thotë xha Shyqua, por nuk i ka të gjitha takëmet në rregull. Megjithatë, le të bëhet si thoni ju.
Dhe u nisën.
Sa hyjnë brenda te krushku, bëjnë përshëndetjet e rastit, kur në derë hyjnë dy gradecallinj me nxitim.
-Na falni, or miq, thanë ata duke iu marrë fryma, u vonuam një çikë. Por atje lartë, në Shipicë na doli një qen laraman, me një zinxhir nëpër këmbë e desh na hëngri e na bëri copë. Na shpëtoi një ferrë ku u kokolis zixhiri që shpëtuam pa ndonjë dhemb (e kishin fjalën për dhëndërin dhe për kollaren)!
-Kot jeni trembur, ua ktheu xha Shyqua, që e kuptoi rromuzin, se ai qen nuk e kishte mendjen te ju, e kishte te buçja (nusja). Të gjithë mbyllën gojën.
Xha Shyqua u tundi kokën të vetëve, dmth, e patë, po mirë që e kuptuam!
Kur s’të lë fshati të hash grurin tënd!
Lejen Shyqua e bënte në fshat te të afëmit. Kur vinte ai nuk rrinte dot duarkryq, por punonte, duke ndihmuar njerëzit e tij.
Një ditë kishte marrë kalin e kishte shkuar që me natë në Vërzhezhën Mal për të prerë furka domateje. Kur erdhi aty nga ora 8-9 e mëngjesit, lidhi kalin në ledhin e selishtës që ishte mbjellë me grurë. Kalin e lidhi në atë mënyrë që të mos ia arrinte grurin, por të hante barin e ledhit.
Vet u ul në një hije aty pranë dhe po hante mëngjesin që i sollën gratë e shtëpisë, një përshesh me bukë misri dhe kos.
Sa hodhi lugën e parë në gojë, u dëgjua një zë nga fshati: “O Shyqo, o Shyqo, të ka hyrë kali në grurët, çfarë bën akoma”!
Shyqua i hodhi një sy kalit dhe ishte ashtu siç e kishte lënë të lidhur që nuk ia arrinte grurit.
“Mirë, o mirë, faleminderit”, iu përgjigj ai atij që thirri dhe u ul të haje…
Sa futi lugën në gojë, një fshatar tjetër nga lagja tjetër thirri: O Shyqo, o Shyqo Jaho, të ka hyrë kali në grurët-o, çfarë bën”!
Pas pak iu përgjigj edhe të dytit: “Mirë, o mirë, faleminderit”!…
Por, sa vuri lugën e tretë në gojë, nga Gjingorasi erdhi zëri i një çobani: “O Shyqo, o Shyqo Jaho, po ai kali po ha grurët, çfarë bën”!
Shyqua u ngrit në këmbë dhe iu përgjigj: “Mirë, o mirë, faleminderit”!…
Dhe u drejtua nga kali, e gjidhi dhe e nxori nga selishta, duke i thënë:
“Hajde, o kalë, hajde se nuk të lë fshati të hash grurin tënd”!…
