Riza Cerova: “Kosovës themelet do t’ia vëmë vetë, ose do të shuhemi për jetë”!…
– Artikull i i botuar në gazetën “Populli”, mars 1923 –
Duke kujtuar Heroin e Popullit Riza Cerova në 89-vjetorin e vrasjes, gazeta “Orakujt e Tomorrit” i sjell lexuesit një shkrim të tij në gazetën “Populli”, botuar në mars të vitit 1923, kur ai ka qenë në detyrë në Krumë, qendër që përfshinte Kukësin, Tropojën dhe Junikun, për të parë e kuptuar se sa i kthjellët, qartë e largpamës ka qenë ai për çështjen e Kosovës.
Riza Cerova
Prej kohësh ndodhem këtu, në Kosovë dhe kam mundur të shetis këto vise të bukura me male të larta, plot me kujtime historike, ku burrat e këtij dheu luftuan me ushtrinë turke dhe sërbe për të mbrojtur zakonet, kombësinë dhe ligjet e vendit në vitet 1912, 1913, 1914 e 1915 e për të bërë që flamuri i Shqipërisë të valvitet edhe në krahinat e zonës neutrale.
Mjerisht, më 20 të muajit të kaluar panë sytë tanë se si simboli i lartë i lirisë sonë u tërhoq prej këtyre kodrave të bukura nga shkaku se i mbuloi një re e zezë e dërguar prej Konferencës së Ambasadorëve, që dihet mirë se nuk kanë treguar as pikën e mëshirës për popujt e vegjël, për ata që s’kanë bajoneta të mbrojnë të drejtat e tyre.
Nuk dua të tregoj ato që kam parë me këtë rast këtu, por jam i shtënguar të tregoj mizoritë që u janë bërë vëllezërve tanë prej sërbëve.
Më 20. 2. 1923 ushtra serbe okupoi, sipas vendimit të Konferencës së sipërpërmendur, katundet e zonës neutrale, Juniik, Mullica, Batushë, Brovinë, Ponosheq, Babaj-Boka dhe Popoç.
Mënyra e okupimit qe kështu: një pakisë ushtarësh serbë, duke marrë me vete 2000 e ca malazes civilë, të cilët i kishin gratë e tyre me thasë në krah, me të hyrë në katundin Brovinë, filluan të vrisnin njerëzit që shkonin në arat etyre, pse nuk dinin gjë dhe të maskronin gra, burra, çiliminj e në këtë mes malazeskat ngarkoheshin me plaçka.
Mitralozat dhe topat hapnin zjarr e pjesa e popullsisë që arriti të shpëtojë nga thikat sërbe, emigroi në Malësi të Gjakovës. Numri i tyre ka arritur në 300. Episodi tragjik nuk ka marrë ende fund e masakrimi vijon.
U bëj thirrje djemve të Shqipërisë që të mos pinë nëpër kafenera kupat e pushteteve të mëdhaja, që lozin me fatin tonë e që nuk dëshirojnë të shikojnë një Shqipëri të lulëzuar. Barbaritë sërbe të mbeten të paharruara në zemrën e çdo djaloshi shqiptar.
…Vëllezër, Evropa pak dëshiron të shohë një Shqipëri të lulëzuar me kufijt etnik të saja, mblidheni mendjen në krye, se themelet do t’ia vëmë vetë, ose do të shuhemi për jetë.