Rrëfim për babanë, për Veip Trimin dhe…për vete

Rrëfim për babanë, për Veip Trimin dhe…për vete

Sefedin Çela

Duhet të ketë qenë verë e vitit 1972, prej  disa muajsh isha transferuar në gazetën lokale në Skrapar, ekzaktësisht nga 1 prilli, ditën e gënjeshtrave. Në 5 shtator ishte 30 vjetori i Çlirimit të rrethit. Më kishte ftuar për  kafe te “Sorkadhja” Bardhyl Ylli, drejtor i  Muzeut, i vetmi në Çorovodë, edhe historik edhe etnografik, njëfarësoji “artikuj të përzier”. Po rikonceptohej përmbajtja e rifreskoheshin stendat  për festën. Ishte menduar të viheshin emrat e fotot e gjithë deshmorëve dhe ish-partizanëve të rrethit. Bardhyli më kërkoi një foto të babait, mundësisht me veshje partizane, për ta vendosur  në stendë. Ky ishte sebepi i kafes.

 

Nuk kishim asnjë foto të babait partizan. I kishin shkuar plumbat anash, në betejën e Qafës së Kiçokut, në korrik 1943 i kishte rrëmbyer plumbi shokun në krah, Shabanin, që e kishte si vëlla, me shtëpitë në fshat aq afër sa dasmat i bënin me portat hapur, si një familje, po foto nuk  kisht  ardhur siraja të bënte. As edhe një për be!  Asokohe, paralufte, në fshat mund të vinte rrallë e tek ndonjë kallajxhi nga Përmeti, po fotograf  nuk mbahej mend të kish ardhur. Kishim vetëm një foto prej tij, dalë në  Tiranë, kur punonte në pemëtore, të zmadhuar s’di nga kush e varur në mur në odën e mesit, krah vendit ku varej llampa.Të shumtën e herës shihja gjyshen të zgjatej aty, fshinte  me pëllëmbë xhamin e kornizës e fshinte me përparëse sytë, që i  rridhnin vu e vu si çezmë lotësh.

 

Ajo foto më kujtonte dhimbjen, atë dhimbje që nuk të ndahet deri në fund të jetës. Gjyshja nuk kishte djalë a vajzë tjetër, as nënë e babë, as motër e vëlla. Disa i ishin shuar në një ditë të vetme në masakrën e Vlushës, një fshat i fshehur thellë në një rrëzë, që gjermanët as do ta gjenin dot pa kallauzë.E keqja gjen kallauzë, pa vjen e mbahet mend  për atë gjëmë. Gjyshes i kishte mbetur vetëm ajo fotografi, varur në mur, tek e cila varej përditë dhe ajo.

 

–  Dëgjo, – thotë Bardhyli, – po të jap një zgjidhje të veçantë, se e sjell rasti. Kemi një piktor që na vjen në ndihmë, Stefanin, punon në komunalen e qytetit. E njeh Stefanin? Merre atë foto nga korniza për disa ditë, pozo dhe vetë e vuala!  Vuala, ishte e vetmja fjalë frëngjisht që dinte Bardhyli, por që e gjente të udhës ta përdorte sa herë i duhej të dilte nga një situatë ku nuk donte të ishte.

-Si u bëka kjo punë, i them, se jam i biri e kam emrin e tij nuk do të thotë se jam vet ai. Qëllimi justifikon mjetin, thuaj ti?

-I ngjet shumë tëtati e je afërsisht në moshën kur ishte partizan. Më beso, nuk e kam nga vetja,  ma ka thënë Veip Gogo. Te vetja edhe mund të dyshoj po te Veip trimi kurrë!, –  i vuri pikën Bardhyli.

 

Kisha dëgjuar që fëmijë për Veipin. Thoshin se ai parashikonte prishjen e ndreqjen e motit, kohën me shi, me breshër e kohën me diell, sipas dhimbjes se kockave. I kishin mbetur në trup disa copra predhash që nga koha e luftës. Thuhej se mblidhte vetëtimat mbi vete si rrufepritëse.  Kishte zjarrin brenda vetes, ndaj dukej kuqs, nga fytyra te flokët, madje dhe nga qepallat e syve.

 

Kur isha në konvikt në shtatëvjeçare rastësisht u ndodha ngjitur me të te dyqani i Togut, në cep te urës.  Dikush i foli “si je, Veip Çepani?”, që mua m’u duk  se i tha “si je, Veip Trimi”, se nga anët tona është e rrallë të dëgjosh të të thërrasin emër e mbiemër bashkë, aq më tepër me emrin e fshatit për mbiemër. Pa e parë me sy e përfytyroja si hero, si ata për të cilët kisha lexuar në librat e këndimit a të historisë, me fotografi sa gjysma e faqes. Ai nuk ngjiste fare me ata, i kishte  duart të ashpra, duar bujku, me gishta të trashë, blinte te Togu gozhdë për qereste, gërshërë për të krasitur pemët e guna të rrahura në dëstilë, blinte kripë për gjellë e kripë për bagëtinë, blinte ato që nuk i bënte dot me duart e veta.

 

Njëherë te dyqani, si padashur, e preka te krahu, për të parë sa i vërtetë ishte. Thoshin se ai kishte disa dekorata, po jo aq sa plagë kishte marrë, veç nuk e kisha parë me ndonjë prej tyre në gjoks. Kur isha student  e kisha dëshirë të shkruaja, më shkonte shpesh mendja te ai, po asnjëherë nuk guxova, e kisha më të lehtë të trilloja e shkruaja fabula që i besoja dhe vetë se sa t’i afrohesha Veipit. Kisha  frikë mos i lëndoja plagët, apo mos e ngrija akull si shtatore, aq  sa ai të thoshte “ky nuk jam unë”, mos e ktheja në njeri të radhës, me gishta tërë kallo e me flokë si shtupë harruar pa qethur, i pangjashëm me ata heronj, për të cilët kisha lexuar dhe që i doja.

 

Po ai trim që kishte marrë katër plagë në katër beteja të ndryshme, në kohë paqeje kishte hedhur armët e kohës së paqes e ishte dorëzuar! Nuk kisha dëgjuar të trëmbej e dorëzohej njeri  në kohë paqeje. Nuk kisha dëgjuar që nga kjo proçkë që kish bërë, në vend që të përçmohej, – nderohej. Asnjë trim tjetër nuk e kishte bërë. Pse e kishte bërë?

 

Pas pesë muaj zbor, pasuniversitar në një repart ushtarak instruksioni në Shkoder, në 4 janar 1972 fillova punë si redaktor te “Zëri i Rinisë”. Në muajin shkurt rregullova një shërbim në Skrapar. Historia e Veipit më vërtitej në mendje e nuk mund ta shkruaja dot. Më trondiste ajo që kishte bërë në luftë e më trondiste ajo që kishte bërë në paqe. Pse e kishte bërë?

E dija se ai  nuk ia shkrepte me gazetarët, ndoshta  se nuk donte. U prezantova si nip në Prishtë e bëra një orë vrap deri në qendrën e lokalitetit në Çepan, ku kishte shtëpinë. “Pse, pse pse?” më rrihte trurin si çekan.

 

Fill pas luftës e kishin vënë  të drejtonte rrethin. Pa u bërë një  viti u thotë atyre mbi krye “falemnderit shumë,  po nuk e bëkam dot. Do të kthehem në fshat”. Dhe u kthye. Pse? Në vend që ta pyesja unë filloi të më pyesë ai. U desh  t’i them si quhesha, më pa mirë e mirë, më vuri dorën në sup e tha “Kam qënë në luftë  me një djalë nga Polena me emrin tënd, i ngjan shumë. Pa më thuaj kush je”. I thashë se jam i biri, i thashë dhe si kishte ngjarë që mbaja të njëjtin emër.

 

E dinte si kishte ndodhur, si e treti tim atë malarja dhe e ftohura e rëndë e marrë në ujrat  e lumit Jagodina te Ura e Kuçit në dimër të 44-ës, si e kishin shtruar ilegalisht në spitalin e Tiranës e si u lirua nga ushtria në 45-ën pa e marrë më veten. E hëngri lufta  në lulen e rinisë, tha. Disa  me plumb, disa me sëmundje. Të gjithë kemi nga një mardhȧ.

 

Me mbajti për darkë e nuk e pata më  të vështirë të pyes e të përgjigjem.

Ika, tha, se ishte një luftë që duhej bërë me armë të tjera, që unë nuk i kisha. Nuk ishte njësoj si të tërhiqje këmbëzën e pushkës, unë vetëm atë dija të bëja. Ajo që di të bësh më mirë të bën trim. Nuk ishte lapsi arma ime, gishtat e mij nuk mblidheshin ta mbanin dot, ishte top i rëndë për mua. Njeriu duhet të thotë atë që di të bëjë e duhet të thotë edhe atë që s’di ta bëjë.

 

Nuk bëra ndonjë turp, ore! Nuk u shtira, thash të vërtetën. Po tani më ka zënë syri lloj lloj maluketërish që mbajnë pa pikë zori pesha të rënda që nuk kanë bythë ta mbajnë e meazallah se duan të shkulen. Nuk  di pse ndodh kështu, pse paqja e prishka njeriun! S’them se jam bërë pishman për atë që bëra atëhere. Vetëm se tani them a jam po aq trim sa ta bëja dhe njëherë tjetër?  Jam lodhur a jam plakur që më shkon mendja kështu?

 

Dy muaj më vonë pas kësaj bisede me Veipin, më 1 prill, ditën e gënjeshtrave, unë lash “Zërin e Rinisë” e i u përgjigja thirrjes për t’u kthyer në vëndlindje, në gazetën a sapohapur lokale. Nuk dola vullnetar, jo, po më kërkoi rrethi nga kisha marrë bursën për në universitet, rrethi i vendlindjes!

 

Lash një apartament që rastësisht fati ma kishte sjellë në dorë si në përrallë, te i cili sa kisha vënë një bravë të re, lash kokëmënjanë në godinën 18  të vajzave në Qytetin Studenti gruan time tw ardhshme, me të cilën kaloja si në ëndërr mbasditet, e u nisa drejt  një xhepi, ku nuk kishte më rrugë për më tej. Isha i ri, isha në një kohë  kur atë që bëra unë nuk isha i vetmi që e bëja. E kishte bërë im atë, e kishtë bërë Veipi me katër plagë, e kishin bërë mijëra djem dhe vajza. Nuk e di ishte kurajo, apo çmenduri, aventurë apo hap revolucionar, a të gjitha bashkë, po e bëra. Nuk ishte e njëja me atë që kishte bërë  Veipi në kohë lufte e në kohë paqeje, por, në mos e ngjashme, si e gatuar në një magje.

 

Stefan Beruka ishte një i ri nga minoriteti, me një mënyrë të foluri që të bënte për të qeshur edhe kur nuk  thoshte asgjë për të qeshur, vetëm nga theksi që u vinte fjalëve. Ishte i sjellshëm e i gatshëm për të t’u gjendur, nga ata që është më mirë t’i kesh se sa të të kenë mik. I dhash një kopje të fotos së vetme të babait, që e hoqa me kujdes nga korniza, ai bëri disa vizatime e foto me mua dhe kaq qe e gjitha, ditën tjetër solli këtë vizatim portret që po postoj sot,  –  babain si nuk e kisha parë asnjëherë e si doja ta shihja, partizan me yll në ballë.

 

Edhe Stefani ishte nga ata dhjetra e qindra djem e vajza, mësues, inxhinierë, mjekë, merceologë nga gjithë Shqipëria, që kishin ardhur në Skrapar jo se kishin zgjedhur, jo thjesht për të marrë një rrogë, por edhe për të bërë secili diçka për këtë dhe të përbashkët. Ne ishim një brez që nuk u bëmë bisht detyrave.Vumë nga një tullë e nuk hoqëm tulla. Atdheu  nuk është ideologji, nuk është fe, është besim: të punosh për të është  detyrë e akt moral, është dhe mision.Ka qënë kështu  e kështu do të jetë. Në atdhe mund të bësh ekonomi tregu e prokopi, si i thonë, po me atdheun  shkëmbim tregu nuk mund të bësh kurrë! Brezi ynë nuk përbetohej për flamurin duke bërë  shqiponjën me kryqëzim gishtash, betimi ynë ishte gatishmëria për të qënë atje ku kishte nevojë  të ishim, pa bërë sikur. Ndertuam si mundëm, nuk kemi pse turpërohemi. Turpi le t’u mbetet atyre që shpërdoruan mundin e gatishmërinë tonë. Shgënjimi ynë le të jetë kryqi i tyre.

Babai ishte vetëm 33 vjeç, në moshën e Jezuit, kur u nda prej nesh. Jezu Krishti  kishte qënë  marangos, nuk kishte lindur shenjt: martirizimi për të tjerët e bëri shënjt.

 

Im atë nuk  ishte Jezui, nuk mbajti kryqin për të tjerët si ai, besimi i tij ishte liria. Dinte të punonte tokën e të shartonte pemë, zanat që e kishte mësuar si puntor krahu në pemëtoren  e Tiranës. Roptohej për të ndërtuar jetën për familjen e vet, po i u desh të  luftojë edhe me pushkë për liri, pa kursyer agjë e pa kërkuar asgjë. Diç kam bërë dhe unë, bëj t’i them, kam bërë përditë betejat e mia të vogla për të qënë i denjë, nuk kam kryqëzuar duart.

 

Shoh këto ditë si vështrojnë nga portretet në rrugët e Tiranës bashkëluftëtarët e bashkëmoshatarët e tij, mbetur përherë të rinj. Me sytë e mendjes, midis tyre shoh babain tim me  këtë portret, që ka diçka prej kohës, prej tij, prej meje, prej Bardhyl  Yllit e prej Stefan Berukës.

 

Nuk pate kohë të më shgënjesh, baba, i them. Jeta jote e shkurtër ishte jetë e denjë biri, burri e ati. Jam krenar qe jam biri yt e jam krenar qe kam emrin tend!

 

Ata nuk kursyen rininë e jetën. Populli i përjetësoi në ndërgjegjen e vet, u ngriti piedestalin  me këngë. I shohim ashtu si ishin, trima, të rinj e të bukur. S’ka krrakashkrues që t’i nxijë, si nxihen pendët e korbit.

 

Ata janë Bijtë e Shqipes të Flamurit të Lirisë, jo të shqiponjës me kryqezim gishtash mburravecësh.