Rrëqebulli, një ndër pasuritë e rralla të malit të Tomorrit

Rrëqebulli, një ndër pasuritë e rralla të malit të Tomorrit

Tomorri është mali më i adhuruar nga njerëzit e më i mrekullueshmi në të gjithë Shqipërinë. Ky mal i shenjtë e i drejtë ka mbartur mbi vete gojëdhëna e legjenda, mirësi dhe ligësi, mistere e mite, të shenjtë e martirë dhe prapë nuk lodhet, por është aty duke mos u kursyer për askënd me bukuritë e tij përrallore dhe begatinë e tij të pafund.

 

Natyra piktoreske e Tomorrit është përmendur gjithmonë për faunën dhe florën e larmishme. Naim Frashëri, Çajupi dhe rilindës të tjerë i kënduan shenjtërisë së malit të Tomorrit, e quajtën atë simbol të bashkimit të shqiptarëve, Babamal të Shqipërisë.

Ndërsa për të treguar nevojën e bashkimit të shqiptarëve, për të dëshmuar vlerat e gjuhës shqipe, por edhe për të evidentuar pasuritë dhe begatitë e natyrës shqiptare, Konstandin Kristoforidhi, një ndër rilindësit e hershëm, subjektin e veprës së tij brilante “Gjahu i malësorëve” e vendos në Tomorr.

 

Nga ana tjetër, Eqrem bej Vlora, një nga realistët më të famshëm shqiptarë, ka ndërmarrë një sërë udhëtimesh dhe ekspeditash në Tomorr, vetëm e vetëm që të kishte mundësinë të sodiste kafshët e shumta të tij. Antonio Baldaçi, botanisti i shquar italian, krahas shënimeve e studimeve të tjera në Shqipëri, në vitin 1927 zbuloi në Tomorr një nga bimët më të rralla dhe të pa njohura deri në atë kohë, zambakun e Tomorrit, që ka marrë emrin shkencor të njohur në të gjithë botën, Nepenthis Tomoriana.

 

Pikërisht për këto, por dhe për shumë vlera të tjera, Tomorri është shpallur i pari Park Kombëtar dhe kësisoj e para Zonë e Mbrojtur në Shqipëri, qysh në vitin 1940.

 

A e dini se në pyjet e thella e të dendura të Tomorrit gjithmonë  është endur një kafshë misterioze, “Luani i Ballkanit”, siç thirret ndryshe, rrëqebulli.

 

I fshehur ndër pyjet e pashkelura nga njeriu, i pajisur me aftësi të jashtëzakonshme eluzive e për të gjuajtur, një kafshë nokturne, gjithmonë i vetëm (rrëqebulli shihet i shoqëruar vetëm me të voglin e saj në vitin e parë të jetës dhe në muajin e çiftimit), rrallë është parë nga njeriu.

Rrëqebulli është mishngrënësi i tretë më i madh në Evropë pas ariut dhe ujkut. Kjo kafshë mbresëlënëse nuk njeh armiq natyrorë edhe pse në Tomorr ka arinj dhe ujq. Rrëqebulli ka ecur gjithmonë i qetë në mbretërinë e tij, pyllin.

 

Po sot, a është më aty? Çfarë ka ndodhur me këtë mace që për madhështinë e saj, e mbiquajtëm “Luani i Ballkanit”? Zhdukja ose jo e rrëqebullit është e lidhur ngushtë me shkatërrimin e habitatit të tij, pyllin, dhe me gjuetinë e paligjshme dhe pa kriter që zhvillohet në malin e shenjtë. Jo vetëm rrëqebulli, por e gjithë fauna e Tomorrit është në rrezik.

 

Duhet theksuar se popullata e rrëqebullit në Shqipëri nuk i kalon 25 individë. Gjeneticienë nga Zvicra e kanë parapërcaktuar rrëqebullin e Ballkanit si subspecie më vete, kurse statusi i tij në Shqipëri është “Në rrezik zhdukje”. Duhet bërë çfarë është e mundur që nëse rrëqebulli mbijeton akoma, ta mbrojmë dhe nëse është zhdukur, ta rikthejmë.

 

Kjo pasuri i përket malit të Tomorrit dhe të gjithë Shqipërisë dhe detyra jonë është t’i japim fund një herë e përgjithmonë masakrës së faunës në Malin e shenjtë të Tomorrit, fronin e perëndive, strehën e ëmbël e të përhershme të kafshëve aq të dobishme për njeriun dhe natyrën shqiptare.