Rruga e Ndroqit dhe një ndjesi nostalgjie “si rruga e shtëpisë” për trevat e jugore të Shqipërisë

Rruga e Ndroqit dhe një ndjesi nostalgjie “si rruga e shtëpisë” për trevat e jugore të Shqipërisë

 Rruga Kombinat-Plepa para 20 e ca vjetësh, para se të bëhej autostrada Durrës – Tiranë, ka qenë pjesë e rëndësishme e magjistralit që lidhte Tiranën me Jugun e Shqipërisë. Më pas edhe pse një rrugë tradicionale, që përshkon një zonë mjaft të zhvilluar bujqësore, turistike, historike, madje edhe me një ndjesi malli e nostalgjie për udhëtarët mbi 50 vjeç të rretheve jugore, që niseshin tërë gaz e hare nga Tiranë drejt vendlindjes në atë kohë, është braktisur dhe katandisur si mos më keq.

 

E  njohur si Rruga e Ndroqit, e gjatë rreth 28 kilometra, ka kohë që kjo rrugë është e harruar, ndërsa investimi i para disa viteve nga Fondi i Zhvillimit përshkoi vetëm disa kilometra, nga Kombinati në Rrugën e Prushit, që shkurtuan fare pak minuta të rrugës dhe ndikuan pak në përmirësimin e saj në tërësi.

Kanë kaluar më shumë se rreth 20 vjet, dhe në këtë aks, ndër më të rëndësishmit që lidh jo vetëm dy qytete, por edhe Tiranën me Jugun e vendit, nuk është vënë dorë.

 

Për banorët kjo është rruga e zhvillimit, ndërsa mungesa e saj, e izolimin. Është rruga që ata dalin në treg, rruga që aksesojnë kryeqytetin, por është edhe rruga me të cilën banorët e kryeqytetit, aksesojnë trashëgiminë kulturore, historike, por edhe turizmin.

 

Në kohë të ndryshme i vetmi investim që i është bërë, është mbushja e disa gropave, që në fakt, nuk e kanë përmirësuar aspak gjendjen e kësaj rruge.

 

Rruga ndikon jo vetëm në kohën e banorëve por edhe në buxhetin e shoferëve. Vështirësia e të udhëtarit përgjatë segmentit Tiranë-Ndroq për amortizimin dhe gropat e thella në të, bën që defektet e mjeteve, të shtohen. Qytetarët thonë se ankesat e tyre ia kanë përcjellë deputetëve në çdo zgjedhje, por premtimet kanë mbetur te fjalët.

 

Ka mbi 1001 arsye pse kjo rrugë nuk duhet lënë në mëshirë të fatit, por pse edhe për arsyen tjetër të thjeshtë, që ajo  është ndjeshmëri dhe “dobësi e jugorëve”!?…