Rrugica “Tajar Mitarja”, “Otrantoja jonë” e lirisë së lëvizjes!…

Rrugica “Tajar Mitarja”, “Otrantoja jonë” e lirisë së lëvizjes!…

 

Dashnor Dosti

 

“Tajar Mitarja” është emri i një rrugice të thjeshtë në qytetin e Elbasanit.

 

Është një rrugicë e ngushtë, që, si pak të tjera, lidh dy rrugët e bukura paralele që përshkojnë qytetin në drejtimin lindje-perëndim. Rrugica nis në cepin perëndimor te rrethimit te shkollës pedagogjike dhe përfundon në bulevardin kryesor të qytetit, përballë dyqanit të dikurshëm të mobilerisë.

 

 

Për ne konviktorët e viteve ‘70, dalja në qytet ishte eveniment dhe rregullat e shkollës e të konviktit ishin të ashpra, duhej të dije “të vidheshe” në atë gardh rojesh e kujdestarësh. Dalja direkt në bulevardin përpara shkollës ishte me rrezik. Vendi ishte i vëzhguar mirë dhe shanset për sukses ishin minimale.

 

 

Megjithatë, ne kishim gjetur një zgjidhje. Fillimisht kapërcenim murin e lartë rrethues të shkollës e, më pas, nëpërmjet rrugicës “Tajar Mitarja” dilnim në bulevard e më pas në pika të ndryshme të qytetit.

 

 

Të dilje prej konviktit, nëpërmjet kësaj rrugice në Elbasan për pak liri më tepër, më ka bërë që vite më vonë këtë rrugicë ta quaj “Otrantoja jonë”.