Rube Qafoku, si Monaliza e Mikelanxhelos, vështron e pazbërthyeshme dhe e gjithëkuptimtë
Në statusin e Facebook -ut të Gjergj Qafokut, biografit të jetës dhe veprës së patriotit Dervish Iljazi, gjeta një dedikim për nënën e tij me rastin e përvjetorit të saj të lindjes, që fëmijët e saj e përkujtojnë dhe e festojnë çdo vit.
Në arkivin tim personal, në librin tim, “Kalorës të Pafatë”, ende në dorëshkrim, gjeta këtë esse të shkurtër për nënën e Gjergjit, Ruben, të cilën, fatmirësisht e kam njohur, dhe bash për këtë njohje, e kam botuar esenë dikur në gazetën “Dielli i Tomorrit” ,si prezantim të librit të Gjergjit “Për Ruben” dhe tani e kam pjesë të librit tim të ardhshëm:
Ja çfarë shkruhet në të:
Qeshu Rube, qeshu nënë!
Është vargu i një poezie që Gjergji Qafoku ia kushtuar nënës së tij në librin familjar “Për Ruben”, një varg drithërues, i dalë nga thellësitë e shpirtit për nënën e tij, të mirën Rube, që s’është më, por që prehet e qetë atje në varrezat e fshatit në Vërzhezhë.
Dhe vërtet eshtrat Rubes kanë zënë shesh, kanë rënë rehat, se lindi e rriti 10 fëmijë, të gjithë të mirë, yje, dhe sa qe gjallë, ajo s’pranonte as një fije floku të binte mbi emrin e tyre.
Jo vetëm për shkak të instiktit të nënës, por se ata ia kishin shtuar jetën e i kishin qetuar shpirtin me jetët e tyre normale, me harmonitë e tyre familjare, me shtëpitë plot me nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, që, kur vinin në Vërzhezhë, sillnin beharin me vete dhe mbushnin me gaz zemrat e Rubes dhe të Faikut.
Libri i Gjergjit për nënën është një nga librat më të çuditshëm dhe më të veçantët në botë, siç është çdo nënë e veçantë për birin e saj.
Të gjithë shprehen për nënën me mënyrat dhe format e tyre, por Gjergji është shprehur për të në një libër të tërë, nga kopertina e të cilit Rubja, si Monaliza e Mikelanxhelos, e pazbërthyeshme dhe e gjithëkuptimtë, duket sikur thotë:
“Hallall gjirin, bir”!
#“Orakujt…” #Z. H.
