Rubrika e publicistit Luman Caka, “Njerëz me botë”: Ç’e mundon mësuesin luriot, Sali Ajazi?!…

Rubrika e publicistit Luman Caka, “Njerëz me botë”: Ç’e mundon mësuesin luriot, Sali Ajazi?!…

Luman Caka

 

Sali Ajazi është lurjan nga Dibra. Është në të njëjtën kohë nxënës dhe dhëndrri i të ndjerit mësues Sadik Laçi me emër në mbarë vendin. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike “N.N. Gjoka” më 30 qershor 1955, u emërua mësues dhe punoi me klasa kolektive pak kohë.

 

Ka qenë drejtor në Lurë dhe pasi mbaroi fakultetin e histori-filologjisë, punoi si inspektor në ministrinë e arsimit, drejtor i kabinetit pedagogjik të seksionit të arsimit dhe së fundi në gjimnazin e Peshkopisë, ku doli në pension në vitin 1991. Ka botuar dy libra.

 

 

Kur e pyet për gjithë këtë rrugë të gjatë të punës në arsim, ai nis të tregojë që kur u ul nga malet në një qytet ku dallgëzonte dhe ushtonte deti natë e ditë, të cilin e shikonte për herë të parë. Mësonin në klasa dhe flinin në ish-kapanonet e ushtrisë. Klasat kishin nga 40 nxënës të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë. Të gjithë flisnin shqip, por kuptoheshin pak nga dialektet që përdornin. Djalektet dhe krahinarizmat i bënin të qeshnin me njëri-tjetrin.

 

 

Jeta ishte e vështirë, kishte mungesa të mëdha. Buka e misrit nuk mjaftonte. Gjellët i mbizotëronte lakra, preshi, fasulja dhe çaji. Shpesh dilnin nga menca më të uritur se sa kur hynin. Ka patur raste që tre-katër muajt e parë të vitit shkollor 1951-1952, në mëngjes kishte vetëm një copë bukë misri të verdhë me një apo dy llokume!

 

Viti që shkuan ata në shkollë ishte viti 1950, që u quajt “viti i zisë së bukës”. Buka në atë kohë ishte refren në të gjithë Shqipërinë.

 

Shkolla ishte një “mikrokoloni” si kolonia “Gorki” apo “Xherxhinski”. Nxënësit në këto kushte filluan të braktisnin shkollën dhe shkonin në fshat. Kjo gjë ishte kthyer në fenomen dhe rrezikonte të mbyllej shkolla. Ishin alarmuar drejtoria me në krye Iljaz Sevranin, kolektivi pedagogjik si dhe Ministria e Arsimit.

 

Nga ministria kishte ardhur në Durrës Thoma Papadhopulli. Pas kësaj ishte bërë mobilizimi i mësuesve dhe nxënësve të rritur, duke bërë roje në konvikt por edhe te stacioni i trenit në Shkozet dhe në Golem për të kthyer ata që donin të braktisnin shkollën.

 

Ndërkohë nëpër rrethe, sidomos nga veriu, i grumbulluan të larguarit dhe rikthyen në 4-5 klasa në pedagogjiken e Tiranës. Natyrisht duke përmirësuar edhe kushtet e jetesës.

 

Për Sali Ajazin, zemra, truri dhe shpirti i shkollës, ishin mësuesit, të cilët sikur kishin zbritur në tokë nga qielli. Ata sikur ishin “zgjedhur me dorë” nga Ministria e Arsimit dhe qeveria e asaj kohe. I mbanin nxënësit afër, i përkëdhelnin, i inkurajonin me durim të paparë.

 

Saliu kujton një prej tyre, mësuesin e fizikës që kishte studiuar në Poloni. Në një orë mësimi për rregullin e dorës së majtë, i mërzitur, na u drejtua ne e na tha: “Gogol unë, gogol fizika”!

 

Ai kujton edhe shumë mësues të tjerë: Drejtorin e parë Iljaz Bejon nga Sevrani i Skraparit, ish-partizan, Nos Josifin, Shefik Osmanin, Riza Hajron, Gani Daiun etj. Të paharruar e të nderuar për të kanë mbetur mësuesit e jashtëzakonshëm: Petro Marko, Lirak Dodbiba, Agapi Shuteriqi, Sotir Mani, Sabri Tuçi, Dilaver Cara, Vasil Dhimitruka, Lumbie Shehtila, Urti Çani, Bedri Dedja, Aneta Kristidhi, Hamit Mneri, Kolë Xhumari, Hamit Pitja, Perikli Mima, Mahmudie Alimehmeti, Agllai Harito e të tjerë.

 

Saliut i vjen keq që askush nuk u kujtua të botonte një libër për këtë shkollë, kur në gjirin e saj militonin shkrimtarë e shkencëtarë si Petro Marko, Lirak Dodbiba, Gjergj Zhei, Shefik Osmani etj. Ai përmend kujtimet e mësuses së gjuhës, Aneta Kristidhi, e cila shkruan: “Ruaj kujtimet më të mira për të gjithë nxënësit. Vinit të ndrojtur, por të zgjuar e me vullnet të fortë, veçoj ata të zonave malore, që kishin një zgjuarësi natyrore…Ne, sidomos në durrës, kemi qenë gjithmonë pranë jush, që ju të ambjentoheshit me jetën e shkollës dhe të qytetit”…

 

Pasi mbaruan vitin e dytë në Durrës, shkolla u vendos në Tiranë te “Gazermat e Ali Rizait” apo Teknikumet e Bashkuara e së fundi, Qyteti i Nxënësve”.

 

Këtu kushte ishin më të mira. Nxënësit i veshën më kostume komplet. Ushqimi ishte i mirë. Më 30 qershor 1955 u diplomuan 180 mësuesit e parë. Shkolla u mbyll në vitin 1965, pasi mbaroi misionin e saj plotësisht.

 

Saliu kujton me nostalgji shokët e tij, nxënës: Hasan Daltin, Ali Begon, Gani Shehun, Enver Suçin, Preng Cub Lleshin, Hane Berishën, Kristina Tanin, Peme Tabakun, Kasëm Cakën, Dhoksi Ndreçkën, Kajzer Meçon, Iljaz Danajn me Vangjelonë, Kutbi Vrushajn, Ymer Durajn, Gjokë Becin, Nikollë Gjetën, Mark Tirtajn, akademik etj.

 

Atij i vjen mirë që shumë nxënës të kësaj shkolle zunë vend si kuadro në organet e partisë dhe të pushtetit lokal si: Pëllumb Bejko në Berat, shef arsimi në rreth; Haki Zllami në Tropojë; Trifon Dafa në Përmet, Hekuran Zaimi, kryetar i Komitetit Ekzkutiv në Gramsh,; Mexhit Prenç, drejtor drejtorie në ministri etj.