Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”: Ethe Floriri, në kërkim të thesareve të Muzakajve edhe pas mëse 5 shekujsh (Pjesa e Shtatë)

Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”: Ethe Floriri, në kërkim të thesareve të Muzakajve edhe pas mëse 5 shekujsh (Pjesa e Shtatë)

 

 

Ylli Polovina

 

Një ditë të premte, 1 dhjetor 1983, në Komitetin e Rinisë së Skraparit, në Çorovodë, ra zilja e telefonit. Aparatet qenë paralelë, një në zyrën e sekretarit të parë dhe tjetri në atë të instruktorëve. Të dy palët e dëgjuan, por shefi nuk e ngriti dorezën. Po punonte një raport të ngutshëm për eprorët e tij në Tiranë. Atëherë veprimin e kreu njëri nga punonjësit e dhomës ngjitur. Një minutë më pas ky trokiti në derën tjetër dhe i tha sekretarit të parë se dikush nga Tirana kërkonte të fliste vetëm me të.

 

Zëri që u dëgjua në receptor ishte mjaft i njohur. Qe bashkëkrahinas. Punonte në Komitetin Qendror të Partisë. Pyeti nëse Komiteti i Rinisë e kishte makinën në gjendje të mirë për të lëvizur në terren malor dhe shtoi se të nesërmen do të vinte aty me dy shokë mjaft të rëndësishëm. Sapo të mbërrinin, që të katër do të udhëtonin drejt fshatit ku ai kishte dajallarët e tij. Aty do të darkonin dhe kalonin natën.

 

Tre nëpunësit e lartë të Partisë së vetme në pushtet e ndalën makinën e tyre para godinës së Komitetit të Rinisë së Skraparit saktësisht më 2 dhjetor, në orën gjashtëmbëdhjetë, siç edhe e patën paralajmëruar me telefon. Bashkëkrahinasi paraqiti dy kolegët e tij. Njëri qe këshilltar për ekonominë pranë Presidentit të Republikës dhe tjetri diplomat, para tri vitesh me detyrë ambasador i Shqipërisë në Itali.

 

Pasi në klubin më të afërt pinë nga një kafe të shoqëruar, siç është zakon i vendit, me një gotë raki, nisën rrugën. Duke qenë malore dhe prej një shiu të rënë dy ditë më parë edhe më e vështirësuar, ajo zgjati përtej parashikimit. Sidoqoftë në shtatë të mbrëmjes qenë ulur në “dhomën e zjarrit” të shtëpisë së njërit prej dajallarëve të bashkëkrahinasit.

Gostia me shumë dolli shkoi gëzueshëm dhe ndërsa më në fund duhej të flinin i zoti i shtëpisë i tha këshilltarit ekonomik të Presidentit se do të ishte në një dhomë me ambasadorin, kurse në tjetrën nipi i tij me sekretarin e parë të rinisë. Mirëpo njeriu i kryetarit të Shtetit ndërhyri: Në dhomën e sekretarit do të fle unë.

 

Kështu edhe u bë. Kur pas pak iu afruan shtretërve të tyre, këshilltari i Presidentit sërish vendosi: Ti ke atë krevat tek dritarja, sepse je i ri dhe e përballon më mirë ndonjë korrent ajri. Kur më në fund u shtrinë, njeriu i kryetarit të shtetit vuri bërrylin mbi jastëk dhe mbështeti kokën në pëllëmbë të dorës. E pyeti sekretarin e parë të rinisë nëse bashkëkrahinari në Komitetin Qendror të Partisë ia kishte thënë problemin për të cilin patën ardhur deri aty. Ky përgjigjen “Sinqerisht jo” ia dha duke u zbehur. “Mendoja se vinit këtu për të pushuar një natë dhe të nesërmen për të gjuajtur thëllëza dhe lepuj”, shtoi me zë të tronditur. “Për gjah mund të dalim, por ne kemi një problem tjetër”.

 

Zëri i këshilltarit u bë misterioz. “Presidenti na ka ngarkuar me një mision shumë të rëndësishëm për ekonominë minerale, por është po aq edhe konspirativ”. Tanimë shefi i rinisë së Skraparit ngriu. “Vendaliu yt na ka dhënë garanci se këtë mision të vështirë mund ta kryesh vetëm ti”.  Pas një pauze fare të shkurtër funksionari i lartë nga Tirana vijoi: “Detyra që do të kryesh është e ngarkuar nga vetë Presidenti dhe terren veprimi ka zonën e Tomoricës”.

 

Tashmë emocionet po e bënin sekretarin e parë të rinisë të ndjente të dridhura. “Problemi, o miku ynë, shqiptoi bashkëpunëtori i afërt i kryetarit të Shtetit (dhe u gjysmëngrit, duke i mbështetur shpatullat tek koka e hekurt e krevatit), ka një histori shekullore që lidhet me kërkimin e zbulimin e arit në zonën e Tomoricës. Një ekspeditë gjeologjike eksploroi para disa vitesh në këtë zonë, por pa asnjë rezultat konkret. Ndaj Presidenti kërkon t’i rikthehemi prapë këtij problemi. Veç këtë herë do të depërtojmë në popull, për ta zbuluar prej tij ku ndodhet ky flori”.

 

Heshtja që ra ishte plumb.

 

“Tani të flasim më hollësisht”, vijoi këshilltari i ngushtë i kryetarit të shtetit. Zëri i kumboi si t’i dilte nga thellësia e një tuneli. “Nëpërmjet zbulimeve tona të fushave të caktuara, që kanë detyrat e veta, disponojmë një informacion të tillë: Gjon Muzaka që e dimë nga historia se principata e tij shtrihej edhe në këto treva, para se të vdiste ka lënë një testament për fëmijët e tij. Atje thuhet: “Në Tomornicë, në vendin e quajtur Orkovë, ku janë edhe ca shtëpi, poshtë kalon një lumë dhe është një mulli, në anën tjetër, brinjë mali, është një damar ari. Ta dini djemtë e mi se ajo është pasuria jonë”.

 

Sekretari i parë i rinisë së Skraparit ndjeu mornica. E dhëna qe tepër sekrete, kush e di si ishte rrëmbyer nga agjentët e fshehtë të shtetit. “Po ta përsëris edhe njëherë tjetër çfarë është shkruar nga Gjon Muzaka, sepse aty janë të gjitha të dhënat e vendndodhjes gjeografike të minierës së tij të floririt. Duhet të mbash mend çdo fjalë”.

 

Këshilltari i Presidentit e ritha tekstin ngadalë, pa ja hequr sytë, si të donte të sigurohej se ato nguliteshin përfundimisht tek kujtesa e tjetri. Ky ndërkohë përsëriste me vete çdo rrokje dhe sidomos emërtimet dhe pozicionet e vendeve: Tomornicë, Orkovë, ca shtëpi në të, poshtë tyre kalon një lumë, atje ka një mulli, por damari i floririt nuk gjendet këtu, por në anën tjetër, që është një brinjë mali.

 

“Tani besoj e ke të qartë”, vazhdoi zëri i thellë i bashkëpunëtorit të ngushtë të kryetarit të shtetit.

Sekretari i parë i rinisë së Skraparit e mblodhi veten. “Unë do të jem tërësisht i përkushtuar, shqiptoi solemnisht, Ju falënderoj shumë për besimin që po më jepni dhe kam bindjen se do ta përcaktoj shpejt këtë Orkovën. Nuk di të ekzistojë një i tillë vend si fshat apo lagje, por ndoshta mundet të jetë në ndonjë formë tjetër, breg, shpat, lëndinë apo thjesht ndonjë tokë e pabanuar. Po e gjeta do të na shërbejë si udhërrëfyese për tek objekti i dëshiruar, miniera e floririt. Që tani e them se nuk do ta kemi të vështirë, kur unë e di që lugina e Tomoricës vetëm dy mullinj ka pasur historikisht”.

 

Më pas biseda u soll rrotull mënyrave se si, në kushtet e topsekretit, të dy do të lidheshin dhe komunikonim me njëri-tjetrin.

 

Atë natë, ndërsa funksionarin e lartë nga Tirana e mundi gjumi shumë shpejt, nuk ndodhi kjo me shefin e rinisë vendase. Gjersa matanë xhamave të dritares dita u zbardh plotësisht, ai më të shumtën e orëve e kaloi në gjendje kllapie. Herë ndihej entuziast për misionin e jashtëzakonshëm që i kishte ngarkuar Presidenti i Republikës, herë zhytej në mosbesim. Siç u kishte thënë Partia, shteti për shkak të rrethimit nga vende armiq dhe bllokadës së tyre të egër, ndodhej në një ngushticë ekonomike mjaft të madhe.

 

Kërkimi për të zbuluar minierën e floririt të princit Gjon Muzaka qe shumë këmbëngulës pikërisht sepse kishte të bënte me gjetjen e një burimi financiar për ta lehtësuar gjendjen. Përderisa disa vite më parë ekipet e gjeologëve nuk ja patën dalë të gjenin gjurmë ari dhe kërkimi tashmë po rikthehej nga fillimi me shpresën se një zbulim i minierës do të bëhej vetëm nëpërmjet gojëdhënave popullore, kjo dëshmonte edhe më shumë se situata e arkës së shtetit ishte keq.

 

Atë të diel të 3 dhjetorit që të katër u kthyen në Çorovodë dhe ndërsa njerëzit e Tiranës morën rrugën e kthimit, ai u fut në zyrë. Këtu programoi një plan pune një javor për ndihmë dhe kontroll në organizatat e rinisë dhe ato të pionierit në shkolla e kooperativës bujqësore të Dobrenjit, ku duhej të qe Orkova. Do të shkonte bashkë me të gjithë punonjësit e aparatit. Punën e tij të fshehtë do ta mbulonte me këtë marifet.

 

Që në bisedat e para me vendas mori një informacion shpresëdhënës. Ekzistonte në vend i quajtur Tërrovë. Shkoi menjëherë atje dhe një plak e befasoi duke i afruar një tjetër variant: Olkovë. I moshuari tregoi edhe ku ndodhej. Qe përballë Tërrovës. “Sipas stërgjyshërve tanë, shpjegoi ky, matanë fshatit tonë ka qenë një qytetërim i vjetër, qytezë.

 

Gjen edhe sot qeramika. Thonë se një ditë nga mali u shkëput një masiv i madh shkëmbi dhe i mbuloi të gjitha shtëpitë. Nga ky shkak banorët u larguan prej këtij trualli. Por këtë që thua, se mund të ketë aty afër ndonjë madem apo flori të fshehur, nuk e kemi dëgjuar”.

 

E dhëna e dytë me interes erdhi sërish prej një plaku. Ky i tha “E kam të treguar nga gjyshi, se në Olkovë vinte një njeri i veshur si prift dhe ngulte ca kunja druri. Midis tyre lidhte një spango, bënte matjet dhe ikte. Kur e pyetën nga ishte dhe çfarë bënte me ato veprime, ai përgjigjej se gjoja ishte nga Elbasani, por nuk dha shpjegime pse i vepronte ashtu”.

 

Në një darkë, i ftuar nga një familje, në bisedë u tregua kjo histori: “Një djalë nga Tomorica i emigruar në Turqi punonte tek një familje e pasur, por edhe humane. Djali sillej mirë dhe kjo bëri që të miqësohej me djemtë e familjes, të cilët e trajtuan si vëllanë e tyre. Ikën vitet dhe djali u mërzit e donte të kthehej në Tomoricë për t’u çmallur me njerëzit e vet, por kjo nuk mund të bëhej pa pëlqimin e kryefisit turk.

Një ditë djali i madh i pronarit i thotë të riut shqiptar “Përse nuk shkon të punosh në vendin tënd, ku unë di që është një vend nga ku nxirret flori. Djali çuditet sepse ai prej andej pati ardhur dhe nuk dinte gjë. Por turku nguli këmbë të shkonte në pazar dhe të blinte dy kuaj të mirë, pastaj që të dy të niseshin për në Shqipëri. Kur u bënë gati të merrnin rrugën, i zoti i shtëpisë i paralajmëroi se floriri qe shumë sekret. Kryefisi u kujtoi se shqiptarët, po t’i diktonin, do t’u prisnin kokën.

 

Ndërsa djali i familjes turke ktheu mendje, ai i Tomoricës u nis për në vendlindje. Që prej këtij çasti jo vetëm nuk u rikthye më në Turqi, por i humbi edhe emri. U zhduk pa u kuptuar”.

 

Dy të moshuar të tjerë i rrëfyen se në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët kaluan në atë zonë, afër malit të Koshnicës, një oficer që mbante në supe një çantë të veçantë, u ngjit në krye të fshatit dhe pasi hapi hartën iu afrua një shkëmbi të madh që ka një ngjyrë të veçantë, si të murrme, krejt ndryshe nga formacionet e tjera të relievit përreth. Ai pati nxjerrë nga çanta një kuti dhe një furçë dhe mbi faqen e shkrepit kishte bërë disa shënime. Ato nuk ngjanin me shkronja.

 

Ishte 27 dhjetor, kur u ul në tavolinën e punës dhe nisi të hartojë një letër konfidenciale për këshilltarin ekonomik të Presidentit. Sipër me bojë dhe germa të dukshme shkroi “Me rëndësi të madhe historike”. Më pas daktilografoi këtë tekst: “Në lidhje me bisedën për Tomoricën unë u interesova. Vendin e quajtur Orkovë pothuaj se e kemi saktësuar… Në afërsi të fshatit Tërrove e në rrëzë të malit të Tomorit është një vend që tani njihet me emrin e Olkovës.

 

Kërkova që një mësues gjuhe të jepte shpjegim dhe tha se ky është vendi për të cilin bëhet fjalë, por se ka pësuar transformime me prapashtesë përkëdhelëse (vendi është në formë harku dhe siç duket ka pësuar zvogëlime për shkak të erozionit). Ruhet një gojëdhënë se ka pasur disa shtëpi në këtë vend, por ka kohë të gjatë që në to nuk banohet. Është një burim dhe poshtë këtij vendi është mulliri me ujë, shumë i vjetër.

 

Për çudi në këtë fshat ndofta e gjetkë tregojnë një ndodhi si legjendë që bën fjalë se diku këtu afër, bile tregojnë edhe vendin, gjoja qenka një pasuri (Shpesh kjo zë vendin e një përralle për të cilën nuk po zgjatem se si zë fill)”.

 

 

Në të vërtetë në testament-kronikën e Gjon Muzakës nuk flitet për asnjë lloj mulliri të pranishëm në relievin që lidhet me Orkovën. Në origjinal është ky formulim: “Dëgjoni, fëmijët e mi, në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Horkova dhe është i banuar qoftë në afërsi të maleve e qoftë nga ana e lumit, dhe midis maleve dhe këtij fshati rrjedh një përrua dhe pranë këtij përroi në drejtim të malit është një damar floriri; u kam lajmëruar, është në territoret tona”.

 

(Në botimin e Emanuele Politos ka një përkthim të gabuar të togut të fjalëve “midis maleve dhe këtij fshati”, duke ia devijuar rëndë përmbajtjen dhe bashkë me të edhe vendndodhjen e objekteve të domosdoshme për të gjetur ku gjendet mademi. Teksi i keqshqipëruar është në formën “midis maleve të këtij fshati”).

 

Ndërkohë shfaqja e priftit në kërkimin e minierës së floririt duket episod tepër intrigues, jo aq fort se ai mund të ketë qenë vetë peshkopi i Beratit Anthim Aleksudhi apo ndonjë i ngarkuar i tij, por sepse mes klerikëve ortodoksë të qytetit (sigurisht kërkuesi i arit ka gënjyer kur pati thënë se qe nga Elbasani), testamenti i princit Muzaka ka qenë i njohur dhe i lexuar hollësisht.

 

Shumë afër mundësisë për të qenë reale është edhe prania e sjellja e oficerit që la shenjat e veçanta më faqen e shkëmbit me përbërje minerale ndryshe nga toka përreth. Kjo mund të lidhet me rolin e albanologut gjerman Karl Hopf në zbulimin dhe publikimin e përkujtesës së shkurtër në gjuhën e vet. Mundet që oficeri shenjat identifikuese t’i ketë lënë edhe si studiues i testamentit, siç ka të ngjarë që gjithçka të ketë ndodhur thjesht se qe një gjeolog.

 

 

 

Në ditët e para të janarit 1984 shefi i rinisë vendore të Skraparit vendosi tia dekonspirojë misionin një miku shumë të afërt, specialist i njohur i ekonomisë në krahinë, ndërkohë edhe këshilltar i kryetarit të partisë për rrethin. I duhej shumë ndihma e tij. Ky u befasua nga ajo që dëgjoi. Nisi ta pyesë për hollësira: Horkova, lumi, mulliri, brinja e malit. Pastaj i premtoi se do t’i ndodhej pranë gjer në fund. Gjetja e atij mademi floriri nuk ishte një pasuri për Shqipërinë, por edhe fat zhvillimi për qytetin e krahinën e tyre.

E para lehtësi që i dha ishte marrja e një leje tjetër për të dalë në terren. Këtë herë nuk ishte “për kontroll e ndihmë“. U sajua ndryshe: do të shkonin në kooperativën e Dobrenjit për të verifikuar dy letra anonime.

 

I hipën makinës së Komitetit të Rinisë dhe shkuan tek Shkëmbi i Kuq, vendi ku në malin e Koshnicës pati bërë shenjat oficeri gjerman. Morën disa mostra. Këshilltari i kryetarit të partisë, pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik në Tiranë dhe para emërimit, e pati bërë praktikën profesionale në një ekip gjeologjik. Aty kishte mësuar si prej tyre mblidheshin të dhëna rreth përmbajtjes së formacioneve të ndryshme mineralmbajtëse.

 

Duke shkelur më këmbë gjithë vendet e cituara nga testamenti dhe pasi biseduan me njerëz të thjeshtë dhe intelektualë, ditën e pestë që të dy u rikthyen në qytet. Vendosën të ndanin detyrat për të bërë analizën e mostrave të marra nga Shkëmbi i Kuq. Sekretari i parë i rinisë do të shkonte në Stacionin e Makinave dhe Traktorëve për të prodhuar një pajisje, e cila nëpërmjet rrahjes mekanike me ujë mund t’i ndante nga dheu grimcat minerale. Këtë proces të dytë do ta kryente, siç pati mësuar në muajt e praktikës pranë trupës gjeologjike, këshilltari i kryetarit të partisë së rrethit.

 

Kur pajisja u bë gati dhe filloi rrahja me ujë e mostrave, ato thërrmija që më në fund mbetën mënjanë, shkëlqenin zbehtas. Shefi i rinisë e telefonoi menjëherë këshilltarin e Presidentit. “Kjo që po më tregon, u entuziazmua funksionari i lartë i Tiranës, më gëzon shumë dhe të falënderoj. Gjithçka që sapo më tregove, m’i dërgo me shkrim në adresën time këtu në aparatin e Komitetit Qendror”.

 

Letra me të gjitha shpjegimet mbërriti në piramidën e lartë të partisë-shtet dhe menjëherë këshilltari i Presidentit e ftoi sekretarin e parë të rinisë së Skraparit të ishte në kryeqytet më 19 janar. Kur e priti ndodhej bashkë me dy kolegë të tjerë të institucionit, specialistë të gjeologjisë. Që të tre e dëgjuan me vëmendje. “Me kontributin që po jep, je më shumë se një gjurmues popullor i gjeologjisë”, e komplimentuan. Pastaj këshilltari presidencial ngriti receptorin e telefonit dhe foli me ministrin e Industrisë dhe të Minierave. Ky u përgjigj “Ma dërgoni këtu!”

 

Në zyrën e ministrit u thirr edhe drejtori i përgjithshëm i Gjeologji-Minierave. U premtua se shumë shpejt do të dërgonin në Skrapar dy ekipe. Në to përparësi do të kishin specialistë me përvojë për minerale të rralla.

Ishte 22 prill 1984 kur para godinës, ku sekretari i rinisë punonte, u ndalën dy mikrobusë me targat e Tiranës. Një burrë i gjatë me pak mustaqe zbriti vrullshëm dhe pyeti. Dikush i tregoi me dorë: “Kati i dytë, djathtas”.

 

“Jam kryegjeologu i Shqipërisë pranë ministrit”, shqiptoi, sapo i hyri në zyrë, burri me pak mustaqe. “Kam ardhur me pesëmbëdhjetë vetë. Do të punojmë gjatë këtu.”

 

Zëri i tij ishte i gëzueshëm dhe prodhonte një si oshtimë.

 

Pasi kryegjeologu i prezantoi kolegët, shefi i rinisë lokale u bëri një informim të hollësishëm për çfarë dinte. Nga të porsaardhurit dikush nxori nga çanta një hartë dhe përcaktoi malin e Koshnicës. “Në atë vend nuk kemi gjurmë mineralmbajtëse”, tha hutueshëm. Kryegjeologu nuk iu përgjigj.

 

Atë natë të pesëmbëdhjetët fjetën në hotel dhe të nesërmen në 7.30 u nisën drejt maleve. Dy orë më pas hynë në grykën e përroit që rridhte nga fshati me emrin Gurazez. “Mbaje!”, i tha papritur shoferit kryegjeologu i Shqipërisë dhe zbriti vrulltas nga makina. I heshtur si murg u fut në anë të përroit, u ul dhe futi duart në ujë. Mori një grusht me zhavorina dhe i pa me vëmendje. Pastaj ngriti kokën lart dhe e hodhi vështrimin në drejtim të malit nga vinte uji. Pyeti “Si quhet?” Sekretari i rinisë iu përgjigj me një frymë: “Është pikërisht ai që po kërkojmë, Koshnica”. Tjetri shqiptoi tërë ngazëllim “Jemi ku duhet”.

 

Të pesëmbëdhjetë gjeologët dolën nga makinat dhe me një sinjal të të parit të tyre iu mblodhën rreth. Fjalën ia dëgjuan në një heshtje të plotë: “Vërtet në hartat tona kjo zonë nuk është përfshirë, por ne megjithatë do ta fillojmë punën pikërisht këtu ku jemi”. Më pas në vetëm pak minuta i ndau të gjithë në dy grupe. Operacioni për zbulimin e thesarit të Gjon Muzakës kishte filluar.

 

Lajmi mori dheun. Këtë herë asgjë nuk u mbajt e fshehtë, përkundrazi, kumti u përhap gjithkund, posaçërisht. Kërkimi dhe zbulimi i mademit të floririt duhej të qe jo vetëm punë profesionale e gjeologëve, por edhe mision i të gjithë popullit të Tomoricës. Ishte çasti kur emri i Gjon Muzakës, i njohur veç prej ndonjë arsimtari fshati, u mësua njëherësh nga i madh dhe i vogël. Po e bënte të famshëm jo testamenti i tij, një kronikë e vyer mesjetare, por floriri i fshehur në male.

 

Nuk mbeti ditë që të pesëmbëdhjetë gjeologët e ardhur nga Tirana dhe të cilët në ato vise quheshin si njerëzit e Qeverisë, të mos e kalonin të ftuar për darkë nga familjet vendase. E gjithë Tomorica dhe fshatrat ku vëzhgohej të gjendej mademi i floririt, jetonin si të elektrizuar. Takimet e punës me njerëzit nuk pushonin kurrë, grumbullimi i mostrave nga gurët shkëmborë po ashtu. Po të shkëlqente sadopak një copë dheu apo faqe guri, sidomos në rrafshnaltën e Koshnicës, sillej menjëherë për këshillim tek gjeologët. Pastaj ato dërgoheshin pa u vonuar në laboratorin e Tiranës.

 

Kjo punë zgjati dy vjet rresht.

 

Tomoricarët jetonin si në një botë tjetër, mbushur plot me ëndrra. Herë pas here në familjet ku qenë të ftuar gjeologët, ndërsa nuk mungonin dollitë dhe marrja e këngës, ndodhte që shtihej në ajër me armë. Kjo donte të thoshte se atë ditë për gjetjen e mademit të floririt qe zbuluar diçka shpresëdhënëse.

 

Krismat u bënë më të shumta, kur u mësua se qenë gjetur skorie që ngjasonin me ato të furrave të shkrirjes së metalit. Kryegjeologu i Shqipërisë nuk e përjashtoi të ishin krijuar nga shkarkime elektrike të natyrës, pasoja vetëtimash, por shumë shpejt u shfaq i bindur prej një interpretimi tjetër. Sipas tij ato skorie qenë prej një procesi metalurgjik. Karvane të posaçëm me mushka, të ngarkuara me mineralin prej ku nxirrej ari dhe të shoqëruara për mbrojtje nga njësi të armatosura, udhëtonin nëpër shtigje deri në vendin e fshehtë, ku bëhej shkrirja. Në kthim mbartnin skoriet, të cilat kurrë nuk i linin afër furrave, sepse ndryshe do të zbulohej sekreti. Ato i hidhnin pjesë-pjesë nëpër rrugën e kthimit.

 

Ndërsa qe i bindur se origjina e atyre mbetjeve metalurgjike në rrëpira malesh kishte vetëm këtë shpjegim, kryegjeologu rrëfeu edhe një histori. Para ca kohësh në Malin e Bardhë të Lenies, në kufi midis Gramshit dhe Pogradecit, i cili ndodhet edhe përballë me Koshnicën, arkeologët patën gjetur një qyp shumë të madh. Iu desh jo pak mund për të përcaktuar kohën, kur qe prodhuar. Ndërsa e pikasën këtë, mbetën në mëdyshje përse përdorej. Aq e vështirë qëlloi kjo enigmë e dytë sa më në fund u detyruan të mblidheshin në një takim të dy palët, gjeologët dhe arkeologët. Ai qyp përveç formës së veçantë kishte në pjesën anësore të fundit një birë. Atëherë njëri prej pjesëmarrësve e preu shkurt. U fut brenda dhe e zbuloi misterin. Në pjesën fundore gjeti 13 gram ar të shkrirë.

 

Ky flori i shoi menjëherë të gjitha hamendjet dhe dëshmoi se kishin të bënim me një furrë shkrirjeje të mineralit armbajtës. “Ndaj them se kjo mund të ketë lidhje me minierën e floririt të Gjon Muzakës”, tha me zërin e tij kumbues, si të vinte nga shpate malesh, kryegjeologu i Shqipërisë.

 

Kështu erdhi drejt fundit viti 1987.

Ai ende nuk qe mbyllur kur nga Tirana, drejtpërsëdrejti nga Presidenti i Republikës, mbërriti urdhri që kërkimi për të zbuluar mademin e arit të Gjon Muzakës të ndërpritej. Sipas shpjegimit që iu dha autoriteteve lokale dhe banorëve të befasuar, dy gjeologë nga grupi i të pesëmbëdhjetëve patën dalë në përfundimin se mes mineraleve të rralla në zonën e Tomoricës e vlente vetëm plumbi. Rezerva të tilla kishte.

 

Po qe se është kështu, u shpreh sekretari i parë i rinisë vendore, të luftojmë për këtë pasuri. U firmos një raport informues për kryetarin e shtetit dhe bashkë me të edhe një kërkesë për të filluar shfrytëzimi i mineralit të plumbit. Fondi për fuqi punëtore erdhi shumë shpejt. Fillimisht qe për një vit. Tuneli për kërkim–zbulim të mëtejshëm dhe më pas shfrytëzim, u hap. Ekipi i gjeologëve të specializuar mblodhi rezultatet e para. Qenë optimiste.

 

Por në vitin pasardhës fondi i ri nuk erdhi. Punimet e tunelit u ndërprenë. Me një urdhër nga Tirana gjeologët u dërguan në veri të vendit. Nga Presidenti dhe këshilltarët e tij ishte gjykuar se bllokadën imperialisto-revizioniste mund ta çante vetëm kromi.

 

Ndërkohë një vit më pas në Shqipëri do të fillonte ndërrimi i sistemit politik.

 

Që prej këtij çasti nuk ka asnjë lajm për mademin e floririt të princit të Beratit dhe njëherësh të Myzeqesë, të Skraparit dhe të Korçës