Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”: Nostalgji për Beratin (Pjesa e Pestë)
Ylli Polovina
Tek lexon testamentin e tij nuk ka asnjë dyshim se Gjon Muzaka nuk ka vetëm nostalgji për principatën dhe viset ku ka pasur të parët, trojet ku kishte lindur dhe u rrit. Ai ka mall mbi të gjitha për Beratin. Në dëshminë e vet pronësore Gjoni ua cilëson tre djemve të tij si “qytet i përmendur”.
Duhet të jetë ndjerë vazhdimisht krenar kur thotë kështu, sepse më i afërti sinonim i kësaj shprehjeje është fjala rezëllimtare “i famshëm“. Duke e përkëdhelur shumë Beratin ai ka qenë patjetër aq i vetëdijshëm sa për të kuptuar se, kur ka folur mes italianëve me këtë ekzaltim, atyre mund të mos u ketë pëlqyer. Në qytetin e madh të Napolit, por edhe në të gjithë mbretërinë, emri i Beratit mbarte kujtimin e trishtuar të vdekjes tragjike të shumicës së njëmijë ushtarëve dhe oficerëve që u dërguan për çlirimin e Arbërisë së jugut. Përderisa nuk e ka përfillur këtë ndjenjë të natyrshme të vendasve, Gjon Muzaka entuziazmin me siguri nuk e ka frenuar veç prej asaj dashurie për qytetin.
Ai është i ngazëllyer që i përket Belgradit shqiptar. Ka një çast të testament-kronikës së tij kur, ndërsa shpjegon se ku ndodhej Tomonishta, ia përcakton asaj pozicionin gjeografik “karshi Beratit” (“verso Belgrado”). “Karshi” nuk do të thotë patjetër po e njëjti ngjyrim kuptimor si “përkundruall” apo “përballë”. As si “në drejtim të Beratit”. Janë të përafërta e megjithatë jo të njëjta. Kur në latinisht apo në gjuhën italiane shkruhet “versus” ose “verso”, përveç përcaktimit të një drejtimi në hapësirë përfshihet edhe një lëvizje e trupit, një kthim i dëshiruar i tij për ku ndodhet objekti. Ka një riorientim jo thjesht të shtatit, por të të gjithë qenies, ndërsa një befasi e gëzueshme pret të të shfaqet para syve.
Në vitet e fundit në Napoli, por edhe më parë, kudo në qytete të tjera gjendej me detyra në administratën e mbretërisë së Ferrantes plak apo të birit, Gjon Muzaka të gjithë shpirtin dhe mendjen e kthente andej nga përtej detit qe Berati. Një dukuri të tillë e kam ndeshur kur për qëllimin e këtij libri vëzhgova disa të moshuar nga Myzeqeja. Pothuaj që të gjithë, edhe pse tashmë raporti i lalëve me qendrat e reja urbane apo ato të nevojave jetike ka ndryshuar gjeografinë e interesimit dhe të vëmendjes së tyre, një gjest shumë instiktiv ende nuk qe harruar: kthimi drejt pikës në horizont, ku ndodhej Berati.
Për të kryer këtë rit mjaftonte ta mbanin vështrimin tek Tomori. Qyteti ndodhej aty, tek këmbët e tij. Ky vetorientim gati i pavullnetshëm, refleks shekullor i dhjetëra e dhjetëra gjeneratave, kryhej që prej orëve të para të mëngjesit deri natën e thellë. Këta të moshuar pohonin se e kundronin malin dhe siluetën e qytetit të begatë, edhe kur kishte aq pakëz dritë hëne sa ajo dukej si të qe një qiri i vogël në tretje.
Ekzistenca e një vetëndjerje të tillë më ndihmoi kur më 27 nëntor 2011 udhëtova në buzë të brezit shkëmbor të Tomorit, në kërkim të gjurmëve ku pesëqind vite të shkuara princi mund të kishte lëvizur, ndenjur me ditë të tëra apo pushuar vetëm për pak çaste. Sepse besoja se Gjon Muzaka, ndërsa pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Opar, në Zerec, në kryeqendrën administrative të shtetit të tij të mpakur, gjithsesi ai nuk mund të rrinte dot pa e parë me sy, qoftë edhe nga shumë larg, Beratin. Bashkë me katër miqtë që po më ndihmonin për t’i identifikuar përafërsisht vazhdën e lëvizjeve të tij të përmalluara, mjaftonte të kaloja nëpër vendet e larta prej ku mund të dallohej, qoftë edhe fare pak, silueta e brezit të mureve të kështjellës.
Ato pika, duke i bashkuar, përbënin intinerarin e tij.
Qe një dëshirim i gjatë dhe shumë mundonjës ky i Muzakajve, veçanërisht i Gjinit dhe i të birit. Që nga viti 1417 ata mund të mos kenë hyrë kurrë në Berat. Edhe në rastin se kur kjo ndodhur, mbase kur, sipas një marrëveshjeje me osmanët, qytetin e qeveriste përkohshëm Teodori, nga 1455 deri sa Gjoni mori rrugën e emigrimit, është një periudhë kur nuk mund as t’i jetë afruar dot. Nuk janë pak, por më shumë se dy dekada. Në një rast të tillë, po t’i shtojmë edhe tridhjetë vitet në Itali, bëhet e qartë që Gjon Muzaka nuk e ka parë Beratin pothuaj tërë jetën.
Ja pse për këtë qytet ai ishte një princ i munguar.
A ia ktheu qyteti i madh dhe i dëgjuar ndonjëherë këtë dashuri?
Për fat të keq, duke e pranuar me trishtim, as Berati nuk e bëri këtë gjest, as edhe Shqipëria.
Një përgjigje përse ndodhi kështu nuk është tjerrje e lehtë e disa shkaqeve dhe pastaj shpallja e një orteku pasojash. Në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë, kur fillon rritja e vetëdijes kombëtare për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, çfarë donte të thoshte edhe çlirim, qe lënë në zbehje vetë protagonisti i bujshëm i një çerek shekulli, Gjergj Kastrioti, dhe jo më familja princërore Muzaka. Në atë prag zgjimi nga dremitja nuk përmendej as Gjergj Arianiti, një veprimtar i madh historik, kurse Lekë Dukagjini, i cili në vitet e jetës së tij nuk mund ta kalonte një ditë pa bërë një gjest të ndjerë, kishte rënë pre e bestytnisë së Evropës për të parë tek ai vetëm Kanunin, por edhe këtë jo si një paketë ligjore, por si një shpellë gjakmarrjeje.
Ndërkohë Muzakajt, ndryshe nga këta prijës që sapo cituam, nuk ngulnin këmbë të binin patjetër në sy. I tillë qe edhe populli që ata qeverisnin: jetonte larg dukjes. Në rast se i pari i tyre do të bënte punë me zhurmë, sado e dobishme të qe ajo, u shkaktonte bezdi. Të dy palët, të pasurit e të thjeshtët, të fuqishmit politikë dhe populli qytetar, qenë mësuar të shihnin gjithsecili punën e vet dhe në të njëjtën kohë askush të mos rrinte pa përmbushur detyrimet ndaj bashkësisë. Nuk kishin nevojë as tua kujtoje këtë gjë, ca më pak tua imponoje. Në çastin kur niste shtrëngimi, kur urdhri krekosës rrokullisej nga lart për ata “poshtë” dhe bëhej kështu shpallja publike e diferencimit se njëri qe sipër e të tjerët nën të, atëherë beratasit apo të gjithë banorët e kësaj hapësire që shtrihej nga Myzeqeja deri në grykë të Devollit, i kishe kundërshtarë të heshtur.
Nga që vinin prej kësaj mendësie të papotershme, pra nga një mjedis ku mes palëve bihej dakord për rregullat dhe më pas qenë këto që qeverisnin dhe jo vullneti individual i personave, se puna e dobishme kryhet me devocion të brendshëm dhe pa shumë fjalë të jashtme, Muzakajt nuk u kujtuan ndonjëherë posaçërisht. E gjithë klasa feudale që u kryengrit kundër pushtimit osman, u identifikua me vetëm një emër: Skënderbeun. Flamuri i tij, ai i familjes Kastrioti, shqiponja e zezë me dy koka në një fushë të kuqe, u bë i të gjithë Shqipërisë që po rilindte me ëndrrën për një shtet të pavarur.
Tani kemi njëqind vite në valëvitje të tij dhe krenohemi me të, madje duke e përsëritur se i kujt është, por në asnjë tekst mësimor për shkollat nuk gjen dy rreshta, të paktën sa për kulturë historike, ku të thuhet një e vërtetë e mohuar fare padrejtësisht. Shenja e shqiponjës me dy krerë në historinë shqiptare nuk ka hyrë as nga Kastriotët, as nga Dukagjinët (që e kishin jo me ngjyrë të zezë, por të bardhë). Ca më pak nga të tjerët, të cilët nuk e përdornin këtë simbol.
Shqiponja erdhi nga Muzakajt.
Kjo shenjë e lartë perandorake bizantine, edhe pse njihej e përdorej, hyri për herë të parë zyrtarisht tek familjet fisnike shqiptare vetëm në vitin 1370. Me një dekret të veçantë të perandorit Joani i V-të Paleolog e pati merituar princi Andrea i II-të Muzaka. Në krye të një aleance me kushërinjtë e tij, Balshët, si edhe me Arianitët dhe Matrengët, ai theu pranë Kosturit armikun e egër të Kostandinopojës, sunduesin e Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, mbretin serb Vukashin. Që prej këtij çasti ky Muzakë u bë despot, mëkëmbës i perandorit, qeverisës i tij në trojet shqiptare.