Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”: Tomorri, “Olimpi shqiptar”, mal vetmitar dhe madhështor (Pjesa e Katërt)

Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”: Tomorri, “Olimpi shqiptar”, mal vetmitar dhe madhështor (Pjesa e Katërt)

Ylli Polovina

Kur kanë dashur ta përshkruajnë me penë apo penel, mes qindra epiteteve, ai që për malin e Tomorit mbetet më i përhapuri është fjala “luan”. Por në një pamje aspak të tendosur, jo si në pozicion sulmi ose qëndrimi në pritë, në hov kërcimi ndaj ndonjë viktime apo në kacafytje me ndonjë rival. Është thjesht një luan që rri fare qetësisht, në punën e vet, pa dëshirë për të trazuar kërkënd. Nuk është i lodhur, as i përgjumur. Vështrimin e ka të thellë, të qartë, të qetë. Krifën shkëmbore gjithashtu e mban lart. E ka të gjithë fuqinë për t’ia pasur frikën, por nuk do. Nuk do sepse është i fortë. Janë fuqipaktit që çirren.

 

Tomori rri i shtrirë paqësisht gjatë gjithë horizontit ku del dielli. Duket sikur rruzulli i madh çdo mëngjes del i zjarrtë prej vetë trupit të tij.

Ai është mal vetmitar dhe madhështor. Nëpër shtat mban maja të thepisura frikshëm dhe humnera me thellina akoma më të skëterrshme. Veç kur i afrohesh dhe ca më shumë dëshiron të ngjitesh mbi të, ai nuk të shfaq këtë dukje. Si me magji shpalos para syve të tu vetëm livadhet, disa brinjë shkëmbore që i ka delikate si të jenë prej qelqi e kristali njëherësh.

 

Për të kaluar lehtësisht mbi të, ai shtrin para teje shpinën e gjatë dhe të drejtë.

 

Duket sikur sapo të sheh të merr prej dore për të të ngjitur në majën e vet më të lartë, në 2416 metra. Kur ndodhesh atje mbetesh pa gojë nga çfarë, si në celuloid filmi, shpaloset. Aty edhe horizonti është afër, edhe qielli, edhe retë, edhe vetë dielli. Po të ketë rënë mbrëmja apo në prag të zbardhjes së ditës, yjet mund t’i kapësh me dorë. Janë të mëdhenj si hëna të vogla.

Nga maja e Tomorit gjithçka tjetër përpara, fushë, kodrinë e mal, ngjan imtësisht e vogël. Prej aty dallohen, tek takohen mbi ngushticën e Otrantos, detet Jon dhe Adriatik. Madje në një mot me qiell të kaltër, si në një pikturë, vizatohen edhe brigjet e Italisë. Natën dallohet edhe vagëllimi i largët i dritave.

 

Në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar në atë majë u ngrit një pikë ushtarake, e braktisur përfundimisht më pas, kur në botë u mbyll epoka dramatike e Luftës së Ftohtë. Veç jemi të sigurt që shekuj më parë, atëherë kur në rrugën iliro-romake marshonin ushtritë e perandorisë së gadishullit të përtejmë Apenin, një skuadër me vrojtues të ardhur, prej kalasë së Tomorit, në atë 2416 metra lartësi ka vëzhguar pa reshtur lëvizjet e tyre.

 

Thuhet që Tomori është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Mendojmë se duhet të jetë edhe më sugjestionuesi i të gjitha trojeve tona. Për të ka pëlqim të dorës së parë kur shkrimtarët zgjedhin emrat e personazheve pozitivë të veprave të tyre. Për negativët ai emër ndalohet kategorikisht. Nuk është i përshtatshëm. Tomori është mali që prej qindra vjetësh ndodhet në urimet popullore për jetëgjatësi të njerëzve.

Sigurisht krahasimi i tij me luanin është i vonë, të paktën që prej atij çasti kur banorët e këtyre trevave panë në ndonjë faqe libri apo skenë filmi, pamje të kësaj kafshe që jeton shumë larg, në viset e Afrikës apo gjithkund ku ka xhungël. Vështirë që një apo dy qind vite të shkuara të përdorej ky epitet. Atëherë gjithçka për ta shpjeguar madhështinë e tij të veçantë qe më e thjeshtë. Mali i Tomorit thirrej si vendi ku rrinin Perënditë. Besohej si Olimpi shqiptar.

 

Gjatë udhëtimit të 27 nëntorit 2011 nëndrejtori i policisë pyjore të qarkut shpjegoi një pemë pishnaje të quajtur Rrobull, e cila ndryshe nga ligji natyror që në të gjithë botën e rregullon të jetojë vetëm mbi zonën e ahut, këtu sfidën e saj e bën nën këtë areal.

 

Një çast ai tha se mali i Tomorit ngrihet vazhdimisht. Fare pak, me të qindtat e milimetrit. Akoma nuk ka zënë vend, përsëriti. Siç duket magma shkëmbore e tij është ende e ngrohtë, thamë me një gojë ne të tjerët.

 

Tomori jeton si një krijesë e gjallë, me frymë.

Në kohën tonë njerëzit janë shumë të ditur e të lirë për të mos u besuar legjendave apo miteve, veç shumë e shumë kohë më parë, në një realitet krejt tjetër nga ky sot, ku në vend të librit dhe televizionit qe me forcë të madhe ndikimi besëtytnia, mali i Tomorit ishte një kult i mirëfilltë pagan. Kur etnologia angleze Margaret Hasluck në vitin 1930 u ngjit në majë mbeti e trallisur nga forca e tij. Pelegrinët që takoi, betoheshin për Baba Tomorin si të qe vetë Zoti. Britanikes së mençur nuk iu desh shumë për të kuptuar se në ato vise fuqia ndikuese e Biblës dhe e Kuranit qenë mjaft më e vogël se e atij mali.

 

Krishterimi, ky besim që reziston prej dymijë vjetësh dhe bën ta admirojnë në gjysmën e globit, nuk e nënshtroi dot atë mit. Me moshë më të vogël, por jo me forcë joshjeje më të pakët, as islamizmi nuk e vuri dot nën vete. Që të dy ideologjitë fetare më të mëdha të historisë njerëzore nuk e shndërruan dot kultin e malit të Tomorit në një fans të tyre.

 

Në pamje të parë kësaj çudie duket sikur ja ka dalë mbanë vetëm një sekt mysliman me shtrirje thjesht rajonale: ai bektashi. Në vitin 1916 klerikët e saj ngritën pothuaj në majë të malit faltoren e tyre, një teqe. Një gjysmë shekulli më pas atë e shembën komunistët, duke lartuar pak më tej saj, mbi shkëmb si edhe duke e futur nën të, një repart ushtarak ndërlidhjeje. Mes dekadave të Luftës së Ftohtë ai kontrollonte qiellin e treçerekut të Ballkanit. Mbante të bashkuara me radio, nga njëri skaj në tjetrin, të gjitha strukturat ushtarake mbrojtëse të Shqipërisë. Pasi komunistët ikën, bektashinjtë nuk vonuan shumë për t’u rikthyer tek vendi prej ku i patën zbuar. Teqeja e re, ndërtesë e arkitektuar të përballojë muajt me borë të rëndë dhe stuhi, si edhe për të sugjestionuar sa më shumë besimtarë, qëndron tashmë atje ku u ngrit më 1916.

Mes bektashinjve qarkullon një gojëdhënë sipas të cilës në majë të Tomorit faltoren e parë të tyre, një tyrbe, e kanë ngulur që në vitin 1620. Kjo fjalënajë thur edhe historinë e klerikut Haxhi Babai, i cili vuri re se çdo mes gushti mjaft pelegrinë ngjiteshin në mal për t’iu falur një hyjnie pagane. Nuk e humbi rastin, por shkoi menjëherë në Qerbela dhe nga varri i vërtetë i udhëheqësit të sektit, Abas Aliut, mori një grusht dheu. Pasi u rikthye në Tomor e hodhi në majë të tij. Sipas kësaj gojëdhëne legjitimoi varrin e dytë të kryeshenjtorit të bektashinjve. Për ta strehuar kultin e ri u ngrit tyrbja.

 

Mirëpo nuk ka asnjë dokument që ta provojë. Duhet pohuar se këtë kohë, 1620, faltoret e bektashinjve qenë të shumuara jo vetëm në Berat, por nuk mungonin edhe në disa fshatra përreth Tomorit. Ka mjaft të ngjarë që këta besimtarë me bindjen se katërqind vite të shkuara një tyrbe e tyre ka qenë në majë, të jenë edhe përfaqësuesit e përpjekjes më të fundit të një ideologjie fetare për ta zotëruar kultin pagan të malit. Veç si edhe më parë bënë të krishterët katolikë dhe ortodoksë, as myslimanët bektashi nuk do t’ia dalin dot ta bëjnë për vete prestigjin hyjnor të tij.

 

Në folklorin e zonës studiuesit kanë pikasur praninë në Tomor të një kishe shumë të hershme me emrin e Shën Mërisë. Deri tani nuk është gjetur asnjë formë tjetër gjurme e saj, por tradita gojore popullore shpesh përbën një arkiv mjaft të besueshëm. Kisha e Shën Mërisë në një lartësi të dukshme mbi malin mund të ketë ekzistuar. Ka qenë ortodokse. Besimtarët e kësaj feje çdo 15 gusht, ditë e shenjtë e Shën Mërisë, shkonin atje për të bërë pelegrinazh. Në tyrben e tyre bektashinjtë përvitshëm e kryejnë të njëjtin rit në po këtë datë. E kanë marrë nga të krishterët. Me të njëjtën mënyrë vlerësimi janë sjellë më parë edhe ortodoksët. Ata me siguri e kanë transferuar tek vetja prej katolikëve.

Nuk është e paditur që në çdo 15 gusht në pelegrinazhin e malit të Tomorit sheh se si mes bektashinjve të shumtë nuk mungojnë as myslimanët sunitë dhe as të krishterët.

 

Jo më kot, pasi u dëbuan nga territoret turke të Perandorisë Osmane, shumë prej besimtarëve të sektit rebel të Haxhi Bektash Veliut u vendosën në Shqipërinë e jugut. Kryesisht bazuan në Skrapar. Fillimisht i ka sugjestionuar mali i Tomorit dhe fare afër qyteti i hapur dhe i shumë zhvilluar i Beligradit. Pa atë mal të shenjtë bektashinjtë nuk do të vinin aty, por do të kërkonin ndonjë strehë tjetër, pa dyshim të ngarkuar me histori dhe mite. Po të mos qe edhe qyteti i Beratit, vetëm Tomori do të ishte i pamjaftueshëm.

 

Ndjekësit apo edhe vetë nxitësi dhe lideri i parë i të mbërriturve në Shqipëri, ai që kreu gjestin e hedhjes së grushtit të dheut dhe të shpalljes së varrit të dytë të kryeshenjtit të tyre, përveç dinakërisë së përdorimit të kultit hyjnor të Tomorit, kanë parë tek banorët përreth të krishterë mjaft të vendosur. Është e njohur që në mjedisin mysliman bektashinjtë janë refuzuar, parë me dyshim dhe luftuar, sepse konsideroheshin si kristianë të fshehtë të botës islame. U shumuan pranë skraparllinjve dhe tomoricarëve, sepse gjetën mes tyre shumë të ngjashmit me veten.