Rubrika jonë e Humorit: Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka:  Një ndodhi me Dritero Agollin (1)

Rubrika jonë e Humorit: Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka:  Një ndodhi me Dritero Agollin (1)

Sipas traditës shqiptare, në ditët e fundit të vitit, njerëzit nuk duhet të grinden apo të mbajnë mëri me njëri – tjetrin, duhet të jenë të qeshur, të bëjnë humor e shaka, që Viti i Ri dhe i gjithë 2023-shi t’i zërë të lumtur dhe të gëzuar.

 

Ndaj për këtë rast, gazeta on-line “Orakujt e Tomorrit”, boton për lexuesit dhe ndjekësit e saj të nderuar dhe të respektuar rubrikën  Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka!…

Duke uruar Gëzuar Vitin e Ri 2023, po u paraqesim pjesën e parë të rubrikës. Nuk është ndonjë material i ri, është publikuar edhe më parë, por ka njerëz që nuk e njohin këtë ndodhi të bukur humori:   

 

 

 “Në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”

 

Zylyftar Hoxha

 

Driteroi nuk harrohet kollaj, është vepra e tij e shkruar madhore, por edhe ajo e pashkruara: batutat e goditura, anekdotat therëse, barsoletat plot lëng humori, sentencat sarkastike, “hazërxhevapet” e tij të papërsëritshëm që ndiznin me goditjen e parë si një eshkë në gurë masati, që bën të pavdekshëm…

 

Driteroi nuk kishte dhe nuk ka nevojë që të tjerët t’i ngrinin përmendore. Ai ia ka ngritur vetë përmendoren vetvetes, qoftë edhe me gjërat e thjeshta, kur them të thjeshta, të thjeshta fare…

 

Po tregoj një rast:

 

Vjen një herë Driteroi në Skrapar. Pasi ndenji një natë aty, te Iliaz Kapxhiu, një shoku ynë krijues që vdiq shpejtë i shkreti, të nesërmen, te “Ura” në  qendër e përcollëm. Kur i dhamë dorën, ai i tha Iliazit me shaka: “Po s’na dhe një lepur, o Iljaz”! “Oh,  ç’më lërove nënën”! – ia ktheu Iliajzi, – u ndodha ngushtë dhe e shita çiften, pa kush ta kursente!” – i tha Iljazi i prekur. Makina u nis, por Iljazi ngeli si hu në këmbë edhe disa minuta të tjera.

 

 

Ilaizi ishte gjahtar, dhe një nga gjahtarët më të mirë të Skraparit, por në atë kohë kishte shitur çiften. Unë në atë kohë isha me një shërbim të gjatë në Televizionin Shqiptar në Tiranë. Pas një jave, Iliazi i thotë vjehrrit tim, Fadil Dyrmishit, edhe ky gjahtar, se kur vjen Zyloja nga Tirana. “Të shtunën dhe kthehet të hënën”, ia kthen ai.

 

 

“Atëhere do të më japësh çiften, se më ka ngulur një “gozhdë” ai Driteroi, sa, po nuk e nxora, plasa”! “Patjetër”, i thotë Fadili.

 

 

Ditën e hënë Iljazi, mes 13 lepujve që kishte vrarë një ditë më parë, gjen dy lepuj me dhjamë në veshka (lepuri nuk vë dhjamë), iu fut dhe nga një gjysmë kile raki në bark dhe m’i jep t’ia çoj Driteroit. Krahas pakos me pëlhurë të qepur, se s’kishte qeska siç ka sot, më jep edhe një copë letër të hapur për Driteronë.

 

 

Sa zbrita nga treni, frymën e lash te Lidhja. I thashë sekretares se kush isha, dhe ajo pas pak më ftoi të hyj brenda. Pasi u përshëndoshëm dhe më pyeti për shumë njerëz në Skrapar, unë i dhashë pakon e qepur dhe letrën që e nxora nga xhepi i këmishës.

 

 

Pasi lexoi letrën Driteroi qeshi aq fort sa mua mu duk se u tronditën librat në raftin pas tij. “A e ke lexuar letrën? – më pyeti. “Jo”- i thashë. “Po ti letrën të hapur në xhep dhe nuk e lexon”, më tha. “Ishte për ju dhe jo për mua”! – se si më doli zëri.

 

 

“Po a e shikon ç’thotë” – tha  Driteroi dhe filloi të lexojë: “ I dashur Dritero, thonë se lepuri nga frika nuk vë dhjamë, por në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”!!!….Iljazi”.

 

 

“Po kjo nuk është metaforë letrare, por një filozofi e tërë për Skraparin dhe Skraparllinjtë…Çdo koment tjetër, është i tepërt”, tha Driteroi.

 

 

Kur jemi takuar më vonë me djemtë e Demir Zykos, Arshinin dhe Rustemin, para pesë-gjashtë vjetësh në shtëpinë e tij, ma kujtoi këtë histori.

 

 

 

“E, i thashë, po ato i takojnë  Skraparit të parë, jo këtij të tanishmit, ku lepuri i ferrës është bërë luan me kriftë dhe luani me kriftë, lepur ferre!…

 

 

Qeshi me të madhe dhe më përqafoi.

 

 

Në Foto:

Nga e majta në të djathtë: Në mes Zylyftari dhe Driteroi, në të dy anët, djemtë e Demir Zykos, Rustemi me Arshinin e ndjerë