Rubrika “Nëpër Skrapar”: VISOCKA

Rubrika “Nëpër Skrapar”: VISOCKA

 

Të flasësh për Visockën, nuk mund të lësh pa përmendur dhe pa thënë dy fjalë për të veçantën e të veçantës të këtij fshati, rrushin dhe rakinë

 

 

Nga 99 fshatrat e Skraparit, 60 prej tyre, si në asnjë rreth tjetër të Shqipërisë, janë vendbanime të hershme dhe përfshihen në hartat arkeologjike, ç’ka tregon se popullsia e këtij rrethi është autoktone. Mund të ketë patur lëvizje, migrime apo edhe ardhje, por baza, popullsia e vjetër ka ngelur.

 

Një nga këta fshatra me origjinë të lashtë, është edhe Visocka, një fshat në dukje i pabujshëm, por me një  normalitet dhe harmoni të admirueshme, të pakrahasueshme me shumë fshatra të tjerë.

 

Mbahen mend burrat e brezit të dy luftërave botërore, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, Nexhip Myftari, Tefik dhe Isuf Naska, Shefki Shahini, Xhemal Shahini, Muço Mehmetasi, Selaman dhe Cine (Hysni) Mehmetasi, Kajmak Mekollari, Veiz Myftari , Nesim Mehmetasi etj., për të ardhur tek të mëvonshmit, Biliman Pashollari, Tahir Myftari, Qenam Shahini, Myrteza Shahini, Behlul Brahimi, Nuri Myftari, Nesim Shahini, Avni Mehmetasi, Hekuran Mehmetasi, Neki Mehmetasi , Novruz Myftari etj. që me jetën dhe veprimtarinë e tyre kanë lënë pas  gjurmë të pashlyera pune, lufte dhe sakrificash, duke u bërë model për pasardhësit dhe fëmijët e tyre kudo që ndodhen, për të cilët dëgjon veç mirë.

 

Një emër i njohur në Visokë dhe në të gjithë krahinën ka qenë Nexhip Myftari (Visocka). Nexhipi kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe më pas në revolucionin e Nolit në vitin 1924 dhe Kryengritjen e Fierit të vitit 1935.

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ngritjen e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai u bë kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit, anëtar i Këshillit Krahinor dhe komandant i njësisë së Komandës së Vendit për fshatrat Visockë, Qafë dhe Sukarës, njësi që të paktën një herë e tregoi veten kur në Galinat e Qafës, bashkë me Batalionin e Rinisë “Margarita Tutulani” shpartalluan çetën e Ballit të komanduar nga Haziz Çeta.

Shtëpia e Nexhipit me të drejtë është shpallur “Shtëpi-bazë e LANÇ”, pasi aty për një kohë të gjatë u ngrit një pjesë e spitalit partizan me 20-30 të plagosur pas zhvendosjes të këtij spitali nga Vlusha në vitin 1944, ku një pjesë qëndroi aty dhe pjesa tjetër shkoi në Çepan. Katër veta prej kësaj shtëpie,  Izeti, Neimi, Lacja dhe Demiri dolën partizanë dhe dy prej këtyre, Lacja dhe Demiri u veshën oficerë, i pari në Tiranë dhe tjetri në Berat.

 

Menjëherë pas Luftës familja u nda në pesë-pjesë, por nuk e humbi rëndësinë. Kjo familje, tani e kthyer në lagje, ruajti emrin dhe traditat e së kaluarës, mbi të gjitha ata ishin punëtorë të zotë e të palodhur, që edhe pse u shkuan krahët dëm në kooperativën bujqësore, përsëri bënë një jetë të thjeshtë, por për t’u admiruar. Nga kjo familje rrjedh edhe humoristi i njohur Sejfulla Myftari (Cekja i Beratit).

Deri tani folëm për burrat, por edhe gratë e këtij fshati ishin vërtet të zonja.

Nadile Shahini, një aktiviste shquar e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare deri vonë, sa vdiq, mbante në brez kudo që shkonte një koburez të vogël në brez, natyrisht me lejen e organeve kompetente. Po kështu gra trimëresha dhe të zonja ishin, Selime Myftari, Xheke Mehmetasi, Naxhije Myftari, Edije Shahini, Zenepe Shahini etj.

 

Të flasësh për Visockën, nuk mund të lësh pa përmendur dhe pa thënë dy fjalë për të veçantën e të veçantës të këtij fshati.

Në qoftë se ndonjëri nuk e di, duhet ta mësojë këtë të veçantë, se rrushi i shullëreve të Visockës është nga më të mirët në Shqipëri përsa i përket rrezes që jep dhe sasisë së lartë të sheqerit. Është i tillë, sepse Visocka është në shullë, kodra që i rreh dielli që në mëngjes. Toka është e varfër, pa ujë dhe rrushi ngelet i vogël, por shumë i ëmbël. Ai merr ngjyrë floriri dhe është i tejdukshëm, sa i dallohen farat brenda.

 

Rakia e Visockës  ka qenë e njohur që herët. Një tregtar i famshëm i pazarit të Korçës me emrin Rako, rakinë e Visockës e hidhte në vaska të veçanta dhe e çonte në Selanik. Ai kishte bërë kontratë me fshatarët dhe e merrte të gjithë sasinë vjetore që ata prodhonin. Rakia transportohej me kacekë lëkure dhie dhe Rakoja as e provonte dhe as e peshonte mallin, por pyeste “sa ke”? Dhe u thoshte të vinin ta hidhnin rakinë në vaskën e caktuar, ku shkruhej “Raki Visocke”.

Aq më tepër e vërteton këtë edhe fakti që në vitin 1970 shteti i asaj kohe ndërtoi në fund të arave të Gunarovës, në mes të pyllit, ku s’kishte as rrugë makine, një punishte rrushi, e cila prodhonte në mënyrë artizanale, me kazanë të vegjël, raki dhe rehani rrushi vetëm për Bllokun e udhëheqjes në Tiranë. Rrushi i kësaj punishteje merrej vetëm në tri parcela, Gunarovë, Frashnjere dhe Veshti i Hadrit. Fatkeqësisht tani gjithë ato pjergulla shekullore janë tharë nga sëmundja e filokserës dhe askush nuk kujdeset që t’i zëvendësojë. (Z. Hoxha)

 

Shënim:

Kreditet e fotos së kopertinës shkojnë për JS (Jemi Skraparllinj)