Rubrika “Nuk keni parë asgjë akoma”, pjesa e 4-të: Çmenduri dhe paradokse të frikshme. Quo vadis Shqipëri?!…
Fatos Muçaj
Fillojmë:
Je qytetar, tenton të ndërrosh pllakat e shtëpisë, pa leje, ha kokrrën e burgut, je biznesmen, ndërton pa leje në qëndër të Tiranës, nuk të hyn gjë në këmbë, madje të fërkojnë shpatullat, të bëjnë VKM të posaçme.
Ndërtime pa leje ngado dhe kudo, kate shtesë nën tokë dhe mbi tokë, asnjë nuk mban përgjegjësi, qoftë morale, qoftë ligjore, as kush, as pushteti vendor as pushteti qëndror.
Je qytetar, nuk paguan energjinë elektrike, futesh në burg, madje edhe vdes në burg, je biznesmen, ke vjedhur energji (si gomari në thekër), nuk të gjen gjë ose e paguan me lekë nën të (nën rrogoz).
Je pronar biznesi me letra (në të vërtetë është tjetërkush pas tij), një qytetar i thjeshtë, i mbaruar, madje është duke rujtur dhitë apo dhentë.
Bëhesh biznesmensi fillim edhe kur ke 100 lekë në xhep apo i ke marrë ato borxh.
Ke biznes, je proçeduar dhe je dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata, mjafton ndërro emërin në QKB dhe futesh në tender shtetëror pa asnjë lloj problemi.
Jeton në azil dhe njëkohësisht je pronar shoqërie.
Mbledh kanoçe dhe njëkohësisht je pronar shoqërie.
Je bari me dhi në Greqi, je pronar shoqërie në Shqipëri.
Je pronar i shoqërisë, je në kërkim ndërkombëtar, vazhdon dhe merr fonde nga shteti, fonde nga taksat tona.
Fiton tender pa asnjë lloj garë.
Je specialist dhe i mirë shkolluar dhe në shumë raste edhe me përvojë pune, punë për ty nuk ka, duhet te jesh patronazhist, anëtar partie, i thekur dhe “lëpirës i mirë i b*thës së partisë”.
Jë nëpunës, në shtet a privat, paga nga 30,000-200,000 tatohet 13%, paga mbi 200,000 lekë tatohet 23%, je aksioner apo pronar në një shoqeri, dividenti tatohet me 8%.
Je drejtor diku në shtet, punon mirë, të largojnë për paaftësi në punë.
Je i punësuar në shtet, orari zyrtar i punës fillon në 08:00 dhe mbaron në 16:00, për pjesën më të madhe të tyre fillon në 10:00 dhe mbaron para orës 14:00.
Ke pronën tënde, nuk e merr dot, nuk bëhesh dot pronar.
Prodhon në tokën tënde apo fermën tënde, nuk shet dot prodhimin se grosistët ta kërkojnë më çmim qesharak, të kalbet, të prishet dhe në fund e flak në ferra, përrua a në lumë.
Të jesh i drejt, i mirë, të jesh artist, përbuzesh, të jesh kriminel, i korruptuar, i keq, i padrejtë, merr letër vlerësimi përsjellje të mirë, lartësohesh.
Vazhdojmë:
Je kriminel në kërkim, të shoqëron dhe ruan policia. Je qytetar, bën një ankesë, as nuk pyet dhe nuk e rrun njeri kush, por lento – lento me javashllëk.
Ke vjedhur, ke vrarë, ke shkelur ligjet, je në rregull, ke zbatuar ligjet dhe je korrekt, e ha më dysh.
Një jetë të tërë, je biznesmen apo qytetar i RSH-së, je më se korrekt me ligjet, punon ditë apo natë, projekt ligji amnistisë fiskale të barazon me atë që i ka bërë lekët me prostitucion, drogë dhe korrupsion.
Punon gjithë jetën, të bie bretku, mezi shtyn muajin, nuk ke as shtëpi, makinë jo e jo, s’ke punuar asnjë ditë në jetën tëndë dhe zotëron vile të pa pare dhe makina të markave shumë të mira dhe të viteve të fundit, i ndërron makinat si mbreti gratë.
I quajnë media kazani, media plehrash dhe shkojnë në studiot e tyre, sa here duan dhe sa herë i ftojnë. I shajnë mbarë e prap me një fjalor jashtë fjalorit.
Ka fonde për ushqim, në azile dhe shtëpi fëmijë, 50% e më shumëe vjedhin të punësuarit në to, madje edhe i zhdëpin në dru azilantët apo fëmijët e shkretë.
Paguan ujën e UKT-së në mënyrën më korrekte, ujë në rubinetat e shtëpisë nuk ka ose vjen me orar dhe me pikatore.
Je klient i rregullt i bankës, për një shumë debitore 3 shifrore (e pa përfillshme), pa paguar aksidentalisht, del në regjistrin e Bankës, në listën e zezë.
Bëhen rrugë të reja, nuk kalon as periudha e garancisë dhe shikon që më përpara prishen e çarfaliten se sa i shijojnë njerëzit dhe makinat që ecin në to.
Njerëzit e varfër nuk kanë as bukë thatë të hanë, Institucione të ndryshme shtetërore bëjnë tendera për shpenzime luksi, për perde të reja, mobilje të reja zyre, trajtim fytyre,shpenzime karburanti pa fund, shpenzime udhëtim e dieta pa fund, e ku di unë, plot të tjera.
Çdo qytetar që shet apo ble pasuri, kalon në filtër edhe për qindarkën, nëpërmjet bankës dhe pastrimi i parave, je aksioner në një shoqëri, ble,dhuron apo shet shuma marramendase vlerash aksionesh, jashtë bankës dhe pa deklaruar asnjë gjë, pa asnjë problem, për kokërr të qefit.
Tabela sa një mal “Mish viçi vendas”, realisht shitet mish importi.
Shkon në Bar-kafe, tabela “No smoking”, kur shkon në shtëpi as bashkshortja nuk të hap derën kur ndjen erën qelbësirë të duhanit që të kanë marrë rrobat e veshura.
Përse kemi kaq shumë ngjarje paradoksale?
Kush ka kuriozitet dhe durim le të lexojë si më poshtë:
Ja vlen ta lexoni (mendimi im)
Në 32 vjet tranzicioni ne jemi një vend me shumë ngjarje e ndodhi paradoksale, të çuditshme, të pazakonta, të paprecedenta dhe aspak të justifikuara dhe që kanë pasur një kosto shumë të lartë ekonomike, sociale, psikologjike dhe emocionale për qytetarët, vendin dhe mbarë shoqërinë tonë.
Me keqardhje, me trishtim dhe me zëmërim mendoj se kjo vjen nga klasa politike që ka qeverisur dhe qeveris.
Kemi në fakt politikanë kokënxehtë, sharlatanë, dallkaukë, e të braktisur totalisht nga arsyetimet, nga llogjika ligjore dhe logjika e mendimit ekonomik.
I keni përjetuar dhe i mbani mend?
Turmat e pakontrolluara që rrafshuan, prishën dhe shkatërruan plantacione masive me ullinj, vreshta dhe agrume, pasuri e popullit ndërtuar me djersën, përpjekjet dhe mundin e të rinjve e të mbarë popullit.
Një ngjarje paradoksale e pazakontë që çuditi botën anë e mbanë.
Mirëpo rituali i paradokseve nuk u ndal pasi kishte marrë yxhym dhe të pa përmbajtur vazhdoi me shkatërrimin e sistemit vaditës, të furrave të bukës, të shkollave, kopshteve e çerdheve, institucioneve dhe zyrave të ish administrates komuniste.
Më pas u erdhi radha e mbylljes dhe shkatërrimit të uzinave, fabrikave dhe komplekseve industriale, duke hedhur në rrugë qindra e mijëra punëtorë duke i detyruar “fatkeqët” të marrin rrugët e kurbetit.
E dini përse?
Sepse këtë kërkonte parulla dhe motoja e kapitalizëm bërësit“Ta fillojmë nga zeroja se do na dhurojnë në tabaka çekun e bardhë” por që as erdhi dhe as ka për të ardhur kurrë ndonjëherë çeku i bardhë.
Po, po ka ardhur çeku i bardhë, ka ardh për klasën politike, ish qeveritarët dhe qeveritarët.
Për ata po, për popullin çeku i bardhë është preshi, kastraveci, patatja dhe buka me dhallë.
Të gjithëve na kujtohen ngjarjet e trishtueshme të vitit famëkeq të 1997, firmat piramidale, të bekuara nga qeverria e asaj kohe, që vodhën dhe grabitën miliona dollarë të shqiptarëve.
Shteti u rrënua dhe shkërmoq sa hap e mbyll sytë, ku u vranë mijëra qytetarë dhe për çudinë e të gjithëve askujt prej përgjegjësve dhe fajtorëve nuk i hyri gjembi në këmbë.
Po kështu gjatë zgjedhjeve parlamentare e administrative Ne me votën tonë, si qytetarë, zgjedhim deputetët dhe kryebashkiakët dhe si për ironi të fatit këta të zgjedhur na dalin jo pak me precedentë penalë të përfshirë në gjithë farë veprimtarish kriminale si me vrasje, prostitucion, trafikim të lëndëve narkotike, armëve, municioneve, implikime në afera korruptive, trafikim të qenieve njerëzore ku jo pak prej tyre janë në proces hetimi dhe gjykimi.
Realiteti është akoma më paradoksal, se ka jo pak deputetë, zyrtarë e pushtetarë të lartë apo kryebashkiakë që ende pa mbaruar mandatin bëhen super të pasur me pasuri të luajtshme e të paluajtshme me nga dy e më shumë vila, me dyqane, apartamente, më automjete të viteve të fundit, me toka truall dhe me disa llogari bankare në shtete të ndryshme të botës ndërkohë që shumica determinuese e qytetarëve jetojnë në fukarallëk, varfëri e mjerim ekstrem.
E megjithatë paradokset tek ne janë si ujët e lumit që rjedh dhe me vijimësi të pambarimtë.
Këtu jemi, këtu jetojmë
E keni parë dhe dëgjuar që çdo ambassador Amerikan dhe i BE-së kanë trokitur në dyert e tre partive kryesore,apo kanë thirrur në zyrat e tyre, me gjasme t’u mbushin mendjen politikanëve që të gjejnë konsensusin e ta miratojnë këtë reformë, apo atë reformë, këtë ligj, apo atë ligj, këtë kandidat apo atë kandidat???
“X” ambasador i turret një politikani, një herë, dy herë, tre herë, pastaj pas një fare kohe bien në “dashuri” apo “kllapi’ me atë politikan si pa asnjë gjë të keqe.
Fakti është që kjo ka ndodh disa herë.
Konkluzioni
E them pa as mëdyshjen më të vogël se ngjarje të tilla paradoksale, qesharake e të pakuptimta na ndodhin nga:
Veprimet dhe mosveprimet e politikës, të shtetit e të institucioneve të tij, agjensive ligjzbatuese dhe të individëve të veçantë që nuk duan të respektojnë ligjet (që ata vet i miratojnë), apo dëshirën e vullnetin e qytetarëve e që nuk ia duan të mirën dhe perspektivën e ardhshme këtij vendi.
Afër fundit
Ka plot paradokse të tjera
Por po e mbyll me:
Ne duam dhe i shërbejnë më shumë qenit apo maces se sa femijës apo prindërve tanë.
E përfundojmë:
Paradokse!…
Kudo në botë ka
Por,
Këtu tek ne
Ka shumë
O mik, o vlla!…
Jemi kthyer të gjithë në Paradoksalë
Quo vadis, Shqipëri?!…