“Rugova & Kadare përballë”, libri i ri i Ylli Polovinës

“Rugova & Kadare përballë”, libri i ri i Ylli Polovinës

E ka marrë temën prej luftës së Kosovës, konkretisht prej nga periudha kur aviacioni i NATO-s goditi pikat ushtarake nevralgjike të Jugosllavisë së mbetur të Sllobodan Millosheviçit.

 

 

Kjo përmasë kohore e futur në ngjarjet e librit përfshin kryesisht çastet kur në Romë, ku autori qe diplomat në ambasadën tonë dhe i ka ndjekur zhvillimet që përshkruan nga afër, u ndodhën Ibrahim Rugova dhe Ismali Kadare, madje edhe Bujar Bukoshi e Hashim Thaçi.

Prej kësaj situate të veçantë Ylli Polovina sistemon dhe rreshton kapitujt.

 

Këta janë 70.

 

Disa prej tyre: “5 maj 1999, Ibrahim Rugova mbërrin në Romë”, “Ambasadori jugosllav në Romë, Miodrag Lekiç”, “Dy pilotët amerikanë që vdiqën 75 kilometra në verilindje të aeroportit të Rinasit”, “Aeroplani B-2 Stealth, avioni spiun Hunter”, “Takimi Ibrahim Rugova-Paskal Milo, përfundimin “no coment”, “Dy predha bazuka në rezidencën e ambasadorit gjerman Karl Heinz Kuhna në Athinë”, “Një anije e dytë spiune ruse”, “Studentja e bukur kosovare dhe mbretëresha Geraldinë”, “Pena e tij e “bombardoi” gjatë 73 ditëve të pranverës së vitit 1999 regjimin e Beogradit po aq fuqishëm sa edhe NATO”, “Rugova kthehu, Kosova ka nevojë për ty!”…

 

 

 

Fragmente nga libri

 

 

 

Buzëqeshja e hutuar e Rugovës në krah të Sllobodan Millosheviçit, tetë ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s

 

 

Kështu në fillim ngjau 1 prilli 1999.

 

Shumëkush nëpër botë këtë datë e njeh si ditë të gënjeshtrave.

 

Ibrahim Rugova u shfaq në televizionin beogradas, tetë ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, në krah të Sllobodan Millosheviçit.

 

Shtrëngojnë duart, në një çast i buzëqeshin njeri-tjetrit, pastaj një fragment i vetëtimtë, ku fytyra e Rugovës mpiks nën sy dhe në hije të mollëzave dhimbjen.

Vështrimi tij është i rrëzuar përdhe.

 

 

Pastaj në ekran gjarpëron një deklaratë pak radhëshe e shkruar në serbisht dhe e firmosur nga të dy lojtarët kryesorë televizivë të asaj mbrëmjeje mbi botë.

Atë natë dhe gjithë të nesërmen opinioni ishte i shokuar.

 

Njëlloj i tronditur dhe i hutuar në majat e kancelarive perëndimore, në vetë shtabin ushtarak të Aleancës Atlantike, tek gazetarët, e zbriste si ujë i akullt drithërues mbi shpinat kurrizore të njerëzve të thjeshtë.

Megjithatë njëherësh gazetarë të shumtë pyetën e analistë u përgjigjën: dyshojmë që takimi nuk është gjë tjetër veç një manipulim i radhës i medias shtetërore serbe.

Pati politologë që u shprehën drejt për së drejti dhe pa u lëkundur: ngjarja duket e vërtetë dhe ky takim është gabim i liderit kosovar.

 

 

Mjaft gazeta të 2 prillit vendosën pranë njëra-tjetrës dy deklarata të Ibrahim Rugovës.

Njëra ishte e 29 marsit dhe kishte fjalët “Tani NATO duhet të përqendrohet në një letër dhe në rast se është e nevojshme duhet të kërcënojë shkatërrimin total të Serbisë”.

 

 

Tjetra ishte e firmosura e 1 prillit dhe e shpallura në televizionin shtetëror serb.

 

Ajo kishte fjalët: “Bombardimet e NATO-s duhet të pezullohen për të kërkuar ndërprerjen e agresionit kundër shqiptarëve të Kosovës”.

 

 

Erdhi 3 prill, por edhe ai ishte i mbushur me konfuzion. Mes mjegullës nëpër shtypin e botës shpërndan akullim intervista e Vuk Drashkoviç: “Kam shpresë për një zgjidhje paqësore, një dialog të drejtë për drejtë serbo-shqiptar. Vendimi i Rugovës për të qëndruar në Kosovë, për të ardhur në Beograd dhe takuar Millosheviçin, ishte një veprim i pjekur dhe i përgjegjshëm.

 

 

Të firmosësh një deklaratë për nevojën e një zgjidhjeje politike është një akt patriotik, madje e them patriotik në sensin shqiptar.

 

Rugova e kuptoi se viktimat e para të agresionit të NATO-s ishin shqiptarët”.

Pastaj përsërit: “Takimi Millosheviç-Rugova është bërë. Që nuk është bërë e është thjesht montaturë, gënjejnë Klinton, Bler…”.

 

Pak më pas: “Nuk e di ku ndodhet tani Rugova, mbase në Prishtinë…”.

 

 

 

Deklaratat nga Parisi bëjnë lajm në Romë

 

 

 

Sot, më 3 prill, në mëngjes, teleteksti i Rai-t përhapi lajmin se në periferi të Tiranës ishin dëgjuar shpërthime të fuqishme.

Pas dy orësh, pra në 10.00, ky teletekst përcolli njoftimin e ministrisë së Brendshme shqiptare se shpërthimet qenë shkaktuar nga dinamit i vënë në një gurore të “Dajtit”, ku nxirrej gurë dhe se nuk kishte pasur asnjë dëm në njerëz dhe banesa.

 

 

Njëkohësisht teleteksti i Rait dhe i Mediaset spikatën lajmin se “shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare i bën thirrje botës për të mbrojtur popullin e tij nga fashizmi serb”.

 

Lajmi thoshte se kjo intervistë qe botuar në gazetën franceze “Liberation”.

Sipas njoftimit Kadare kishte thënë se ai nuk e donte luftën, por në këtë rast ajo ishte “një e keqe e nevojshme”.

 

 

Teleteksti njoftonte se në “Liberation” pati dhënë intervistë për luftën e Kosovës edhe presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani.

Deklaratat e të dyve që nga Parisi shkaktuan lajm në Romë.

 

 

 

Ismaïl Kadaré: “Populli im po shfaroset”

Nga Annette Levy-Willard

 

 

 

“Populli im, populli shqiptar, është në sy të stuhisë.

Është në qendër të një ingranazhi që shkon përtej saj, e rrëmbyer nga një makinë botërore.

 

 

Është një luftë e pamasë, e cila shkon përtej çështjeve të Ballkanit, edhe nëse nisi prej andej.

 

 

Është një luftë mes qytetërimit të Evropës dhe barbarizmit, fashizmit ballkanik të Serbisë.

 

 

Çdo ditë, gjërat përshpejtohen në mënyrë dramatike dhe rëndojnë shumë mbi një popull të vogël, të brishtë, të paktë në numër.

 

 

Shqetësimi im kryesor është që populli im të ruhet. Është e nevojshme që të gjithë ata që marrin pjesë në këtë luftë, e veçanërisht drejtuesit, të jenë të shqetësuar, në këto strategji komplekse, për të ruajtur jetën e një populli që rrezikohet të shfaroset.

 

Të mos harrojmë: një popull sot kërcënohet me shfarosje, gjë e rrallë në histori.

 

 

Unë jam shkrimtar dhe duhet të pranoj se sulmet ajrore më trishtuan, nuk ndjej asnjë gëzim para këtyre operacioneve ushtarake.

Nuk më pëlqen lufta, por e di që është një e keqe e domosdoshme.

Unë ende dëshiroj që kjo të përfundojë sa më shpejt dhe në bazë të marrëveshjes së paqes të nënshkruar në Rambuje, e cila, siç thashë gjatë negociatave, ishte një marrëveshje e mirë.

 

 

Por kjo aleancë evropiane nuk duhet të tërhiqet tani.

Të tërhiqesh përpara krimit do të ishte fatale për fatin e botës.

Ismaïl Kadaré sapo ka botuar “Tri këngë funerale për Kosovën”, të përkthyer nga shqipja (Fayard 1998)”.

 

 

 

 

Drejt Beogradit, i hipur në një BMW të policisë

 

 

 

Me pështjellim lajmesh ndodhet i zhytur edhe 4 prilli 1999.

As e nesërmja nuk kthjellohet plotësisht nga ditari i ditëqendrimit të një gazetareje gjermane pranë Ibrahim Rugovës, pikërisht kur ja behu policia serbe.

 

 

Sipas “Der Spiegel”, ku ishte publikuar reportazhi, kur erdhi policia në shtëpinë e presidentit kosovar, në opinion ishin përhapur fjalë se ai qe vrarë.

Sipas saj, me të ardhur në shtëpinë e Rugovës, policia theu kamerën tek porta, hoqi antenën satelitore, këputi kabllot telefonike dhe i tha të delte para tv që ta shihnin se ishte gjallë.

 

 

Pastaj në darkë i komunikuan urdhrin se të nesërmen e priste Millosheviçi.

Gazetarja shkruante se atë natë lideri shqiptar kishte fjetur rëndë dhe qe zgjuar vonë, madje i zëmëruar.

 

 

Menjëherë, në orën 9.00, e kishin  hipur në një BMW të policisë dhe ishin nisur për në Beograd.

 

 

Gjithnjë sipas gazetares, rrëfyer kjo nga Ibrahim Rugova, Millosheviçi i kishte mallkuar të gjithë, Klintonin, Hillin dhe Hollbrukun, deri edhe Shrëderin dhe i pati thënë politikanit shqiptar se po të ishte në krye të Gjermanisë Helmut Kohl ai nuk do ta kishte sulmuar Jugosllavinë.

 

 

Gazetarja përshkruan edhe një hollësi tjetër.

 

Ibrahim Rugova i kishte pohuar se, gjatë udhëtimit për në Beograd e gjatë kthimit, ai ishte tronditur shumë nga pamja që kishte parë: rrugë bosh, krejt të braktisura, rreth e rrotull shkreti, madje nuk kishte parë as edhe ndonjë qen.

Pastaj ulërima e dhimbshme e Rugovës: “Unë jam një president pa popull, çfarë karte mund të luaj unë këtu! Unë nuk kam çfarë bëj më në Prishtinë dhe kërkoj që të dal për qëllime humanitare në Shkup”.

 

 

Por më 5 prill televizioni shtetëror serb ekzekuton të papriturën tjetër.

Tregon pamjet e takimit të Ibrahim Rugovës në Prishtinë me ambasadorin rus në Beograd, Juri Kotov.

 

 

Rreth e rrotull pak gazetarë. Lideri shqiptar buzëqesh, nder krahët, thotë se “Unë jam këtu, këtu është edhe policia e shërbimi sekret serb”.

Media kudo nëpër glob veçon e përsërit këto fjalë, të cilat i merr si kod të faktit që Rugova ka të ngjarë të jetë peng i Millosheviçit.

 

 

Po kështu u komentuan edhe fjalët e tij, sipas të cilit ai e kishte takuar Millosheviçin, por nuk dëshironte të spekulohej për këtë gjë.

 

Një ditë më pas, më 6 prill, agjencia e lajmeve ENTER shpërndau në shqip një intervistë të saj me Adnan Merovcin.

 

Në tekstin hyrës agjencia shpjegonte se “dje …shefi i protokollit i presidentit Ibrahim Rugova arriti të kontaktojë me telefon me redaksinë shqiptare të radios “Evropa e Lirë”.

 

 

Telefoni, i cili kishte heshtur për ditë të tëra, u hap papritur dhe zëri i Merovcit në anën tjetër ishte befasues për redaksinë.

 

“Ne ishim shumë të interesuar rreth Rugovës”.

 

Kjo ishte  njëkohësisht edhe kërkesa me gjak të ngrirë që bëhej përtej telefonit.

“Rugova nuk preferon të dalë vetë e të japë deklarata. Ai më ka autorizuar mua që (pauzë) sendet kështu-janë tema politike-e unë mund të komunikoj, domethënë rrethanat e këtijit janë kështu”.

 

 

Kjo ishte fjalia e parë e Adnan Merovcit, një zë në dukje i sigurt, por me një intonacion që ndryshonte papritur, ndoshta nga sytë që e përcillnin në dhomën ku besohet se është telefoni.

 

“Po, ne kemi dëgjuar se ka dhënë deklarata” këmbëngul “Evropa e Lirë”.

“Jo, jo, deklarata s’ka dhënë, por mos e zgjat tani se nuk kemi rrethana me u shty”.

 

 

Deri këtu Merovci ishte i sigurt se nuk po incizohej nga redaksia.

“Po qe se më ke marrë mua, mund të bisedosh, nëse don mund me e dhënë, kur të duash thirr më vonë”.

 

 

Fjala e tij ishte sërish e pasigurt dhe e paqartë.

 

Evropa e Lirë: “Mirë atëherë fillojmë…por a po dëgjoheni mirë?

Merovci: Po, unë po dëgjoj mirë, nejse po qysh jeni?

 

-Mirë, ku gjendeni aktualisht?

 

-Ne momentalisht jemi në Prishtinë, në rezidencën e presidencës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Velani, Nr.24.

 

-Me kë jeni aty?

 

-Unë jam (pauzë disa sekondëshe) është presidenti Rugova me familjen e tij dhe disa (pauzë) disa pjesëtarë të familjes, kurse nga ndihmësit, bashkëpunëtorët e zyrës jam vetëm unë.

 

Të tjerët janë shkëputur, nuk kam informata ku ndodhen, mendoj se nuk janë në Prishtinë.

-Prej disa ditësh zyrtarët jugosllavë deklaruan se kryetari Rugova ka deklaruar se “kryetari Rugova gjendet nën mbrojtjen e policisë”. A është e vërtetë një pohim i tillë?

 

-Më 31 mars, që do të thotë para një jave, ne ishim në shtëpinë e presidentit, ishte duke bërë punën e përditshme në rezidencën e tij.

 

 

Unë ndodhesha aty, kur ja behën njësitë policore dhe në fillim hyrja e tyre ishte me dhunë, dmth pak a shumë brutale.

 

 

Vetëkuptohet se dola përballë tyre dhe komunikova me ta dhe u thashë se aty ndodhej presidenti Rugova.

 

 

Ata u ndaluan dhe na mbajtën nja tre katër orë në një dhomë, deri sa morën instruksionet e tjera, deri sa erdhi një epror i tyre dhe pastaj na komunikuan se prej atij momenti ndodheshim nën sigurinë e policisë serbe dhe se “ne kemi ardhur këtu që t’u garantojmë ju sigurinë fizike, kështu që ju mund të vazhdoni aktivitetin tuaj”.

 

 

Edhe momentalisht sot kur po flasim, ne jemi të vetmit që jemi të rrethuar nga forcat policore, të cilat thonë se janë për të siguruar sigurinë fizike të tij dhe familjes së tij.

 

 

-Adnan, në shtyp dëgjuam se zoti Rugova është takuar me zyrtarët rusë. A ka ndodhur të takohet me dikë?

-E (pauzë) në këtë situatë që e përshkrova më herët (pauzë) dolën shumë ide si edhe çfarë të veprohet. Presidenti Rugova, siç thashë, ka vendosur të rrijë në Prishtinë, domethënë do të vazhdojë aktivitetin e tij.

Ne kemi pasur oferta për t’i pritur në takime disa diplomatë…é…deri tani është realizuar takimi me ambasadorin rus në Beograd, i cili ishte dje në takim dhe kjo qëndron.

 

 

-Kemi informata se zyrtarë të NATO-s dhe Pentagonit, të paktën në telefon, përpiqen të kontaktojnë Dr. Rugovën, por…

 

-(E ndërpret pyetjen) Jo deri tash nuk kemi pasur ndonjë kontakt.

Në telefon kemi pasur kontakt me ambasadorin Hill, pothuajse disa kontakte të rregullta, i kemi pas, dhe gjithë bisedat i kam zhvilluar unë.

Por nga zyrtarë të tjerë të NATO-s apo dikë tjetër deri tash nuk kemi pasur kontakt.

 

-Opinioni është shumë i shqetësuar me spekulimet që po bëhen deri tash, rreth tërheqjes ose humbjes pa gjurmë të Ibrahim Rugovës.

A ka mundësi që së paku, të tentohet që zëri, vetëm zëri i tij, të dëgjohet në telefon?

 

-Unë jam Adnan Merovci dhe gjithë opinioni që e njeh Rugovën, më njeh edhe mua…Unë merrem me protokollin  dhe kujdesem për sigurinë e tij dhe unë me përgjegjësi të plotë them se presidenti Rugova është në dhomën time, pranë meje dhe në dhomën e tij, pra në rezidencë, është duke zhvilluar aktivitetin e tij…

 

-Ju si shef i protokollit të Ibrahim Rugovës sigurisht jeni në kontakt të vazhdueshëm me të. A keni ndonjë mesazh të tij për opinionin?

 

-Nuk kam ndonjë mesazh për të dhënë dhe nuk jam as i autorizuar dhe as i obliguar që t’u them, por ai ndodhet këtu dhe ai e zhvillon aktivitetin e vet…ai mendon se me përpjekje do të gjendet një zgjidhje edhe në këtë situatë të vështirë.

 

-A është e vërtetë që Dr. Rugova ka kërkuar ndërprerjen e sulmeve të NATO-s ndaj pozicioneve ushtarake të forcave të Jugosllavisë?

 

-Presidenti Rugova ka kërkuar që të tërhiqen forcat dhe t’i mundësohet njerëzve të kthehen mbrapa dhe me një monitorizim të një lloji, çfarë do të kishte qenë i arsyeshëm, të bëhet kjo dhe pastaj të ndalet bombardimi.

 

-Të ndalet bombardimi pas tërheqjes së forcave serbe?

 

-Po.

 

-Çështja që zoti Rugova nuk paraqitet në opinion është çështje e vendimit që don t’i ikë opinionit apo e pamundësisë së tij për t’u paraqitur në opinion?”

 

-Jo, nuk është as njëra, as tjetra. Dmth as nuk është dëshira, as nuk është se pengohet…

 

-Mirë, kur mund të provojmë ta marrin në telefon zotin Rugova?

 

-Mund ta provoni, ju jeni gazetarë dhe ju…

 

(Pas intervistës, në të njëjtin numër telefoni, nuk përgjigjej më njeri).

 

 

 

 

Ambasadori Leontiev Çuçi

 

 

 

Në 19 prill, orën 11.00, kryediplomati shqiptar në Romë Leontiev Çuçi dha në mjediset e selisë së ambasadës një konferencë shtypi.

Merrnin pjesë një grup televiziv i Raiuno, i Telenorbës dhe i televizionit publik brazilian.

 

 

Po kështu kishin dërguar përfaqësuesit e tyre edhe dy agjencitë kryesore të lajmeve Ansa dhe Adnkronos.

 

Në fillim Ambasadori lexoi një deklaratë për shtyp.

 

 

Në të thuhej se qeveria shqiptare pati vendosur të pranojë në territorin e vendit të gjithë refugjatët kosovarë që po vuanin pasojën e pastrimit etnik.

Po kështu në këtë deklaratë kërkohej, për shkak të numrit të madh të refugjatëve,  të përshpejtoheshin ndihmat humanitare për ta.

 

 

Më pas ambasadori çmonte kontributin e bashkësisë evropiane, të SHBA, Kanadasë dhe vendeve të tjera që po e ndihmonin Shqipërinë.

Ambasadori Çuçi veçanërisht falënderoi qeverinë dhe popullin italian.

Ai i shprehu falënderimet edhe medias italiane.

 

 

Për afro tridhjetë minuta u bënë pyetje nga të gjithë gazetarët e  pranishëm, midis tyre u realizuan intervista edhe nga Raiuno,  Telenorba dhe televizioni publik brazilian.

 

 

Pyetjet e gazetarëve lidheshin me përmasat e ndihmave italiane dhe se a ishin ato të mjaftueshme. Po kështu pyetje iu bënë edhe për lajmin e shpërndarë këtë mëngjes nga media italiane për shkëmbime zjarri mes ushtrisë serbe dhe asaj jugosllave.

 

 

Kësaj pyetjeje Ambasadori i u përgjigj se njoftime zyrtare nuk ka, por ngjarje të tilla janë të shpeshta dhe agresionet apo incidentet gjithnjë janë bërë nga pala serbe.

 

 

Po kështu u bënë pyetje për situatën e shqiptarëve në Kosovë, për fatin e rreth dhjetë mijave që konsiderohen “të zhdukur” etj.

 

 

Ambasadori iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe nuk pati asnjë mosmarrëveshje apo keqkuptim nga gazetarët.