S H Q I P J A

S H Q I P J A

 

Sefedin Çela

 

  Rrallë mund të ndodhë që dita e parë e punës të qëllojë 1 Prill, si as mund ta marrësh me mend që brenda pak kohësh të emërohesh sërish gjetkë në rreth tjetër, 150 km larg.

 

Pas tre muajsh te Zëri i Rinisë, janar- mars 1972, në 1 Prill isha para një tavoline tjetër në një redaksi tjetër, te “Jehona e Skraparit”!

 

 

Prilli zyrtarisht njihej si muaji i vajzave, i të rejave. Një prilli në traditën e popullit është ditë e gënjeshtrave: nuk duhet të tregosh ndonjë gjë të pazakontë, se nuk ta beson njeri.

 

Më qëlloi mua të përgënjeshtroj këtë datë: marrëdhëniet e reja financiare te “Jehona…”, pra rroga, fillojnë nga kjo datë!

 

 

Po në 1 prill jam njohur me dy personazhet me të cilët për 15 muaj me radhë puna na lidhte çdo ditë: Avdulla Braçe e Shqiponja Sollaku. Nuk thonë kot rasti është mbret i fatit. Rastet e mia kanë qënë fat për mua, më ka qëlluar të kem afër njerëz nga ata që ta bëjnë punën të lehtë!

 

 

Kam shkuar e ku nuk kam shkuar, Kiu-fiu, deri sa dola në pension, e kam Librezën e Punës dinga firma e vula, kam njohur e më kanë njohur të zes e të bardhë, po si këta dy personazhe të jashtëzakonshëm , që m’u bënë të afërt që ditën e parë pa pirë akoma një gotë rehani, rrallë të ndodh t’i hasësh radhë në jetë.

 

 

Ndoshta se puna e asnjërit nuk kishte duk pa punën e tjetrit, ndoshta se të tre kishim njësoj dhuntinë e humorit të mirë e ndoshta se të tre i harronim shakatë në punë e ishim njësoj seriozë.

 

Mund të mos ketë qënë plotësisht kështu, por në moshë të re edhe kumbullat e tharta të duken si fruti më i ëmbël ekzotik .

 

 

Dulja ende nuk ishte shkëputur plotësisht nga puna si agronom në NB “5 Shtatori”, edhe pse tërë kohën merrej me gazetën, që kur ajo ishte buletin. Që në orën e parë e ndjeva se çdo hall me të ndahej përgjysmë.

 

 

Kam patur një huq të hershëm, ta bëj shkrimin me gërma sa më të vogla, nuk i duroja rreshtat e gjatë, një fije letër formatat a4 e palosja më dysh. Kisha mbushur nja dy gjysma të tilla me shkrimin tim si këmbë pule e ia tunda Dules para syve: po tani? Trokita me gishta në tavolinë sikur i bija pianos.

 

 

Dulja i ra hiles.

– Dëgjon çak-çak në kthinën ngjitur? Është Shqipja. Ajo deshifron dhe fjalëkryqe jo këtë bukurshkrimin tënd, ke për ta parë!

 

– Shqipja, – thashë unë, – ajo e flamurit, me dy kokë?

 

– Shqipja jonë e gazetës, – tha Dulja e shkoi në kthinën ngjitur.

 

 

 

“ Shqipja jonë” ishte një grua fare e re, megjithëse me tre fëmijë, e paktë, e thantë, e drejtpërdrejtë, nga ato që s’ta përtojnë të ta thonë ç’ kanë për të thënë.

 

 

Llomotita pa pikë zori se nuk e kam vetëm huq që gërmat t’i bëj si këmbë zogu, i bëj qëllimisht që të shkruash çfar kam thënë, pa patur kohë të kuptosh pse e kam thënë.

 

 

Ajo tha se nuk e lexon dot atë që nuk e kupton se çdo të thotë. Kështu që të mos flija në atë krah, ç’kishte për të thënë do ta thoshte!

 

Kështu i qëruam gjërat që ditën e parë dhe gjithçka na shkoi mbrodh deri në korrik të vitit tjetër, kur sërish, Kiu-fiu, u transferova në Tiranë.

Që nga dita e parë, duke qeshur, aty për aty i thashë Shqipëri, jo Shqipe, as Shqiponjë. Dulja ishte dakord, me dy vota e vendosëm, ajo nuk kundërshtoi, po dorën nuk e ngriti.

 

– Më mjafton emri që kam, – tha. – Shqipëri më duket shumë.

 

Shqipen e njihnin të gjithë, se Çorovoda ishte qytet i vogël, me një urë të vetme që lidhte dy gjysmat e tij, ku kalonin e përshëndeteshin të mëdhenj e të vegjël.

E njihnin për atë që ishte vetë, e zgjuar, mama e zonja e bijë e denjë.

E njihnin edhe si çift, burri i saj Eqerem Sollaku ishte inxhinier, drejtor i Pyjores së rrethit, i pashëm e me emër të mirë.

E njihnin edhe nga i ati, Riza Kuçi, ish luftëtar i njohur e me përgjegjësira në Berat.

 

 

Unë, që nuk kam ditur të këndoj kurrë, për ta ngacmuar, një ditë ia mora “Ke ca vjet në komitet, medet o Riza medet!”. Dulia ma ktheu. Ai Rizai me këngë kishte bustin në anë të lulishtes para Shtëpisë së Kulturës me emrin e tij. Shqipja në zyrën ngjitur la makinën e shkrimit e erdhi te ne.

 

– Babai im nuk është bërë për medet, – tha – nuk ka as këngë e as bust, është vetëm babai im.

 

 

Pastaj disa minuta u morëm me domethënien e fjalës medet. Medet o Xake medet!

 

 

Ato kohë kishim zbritur nga zyrat e vjetra sipër, mbi Lapidar, në një godinë një katëshe pas Shtëpisë së Kulturës. Unë e Avdullai, si beqarë që ishim, vinim herët. Shqipja e kishte shtëpinë lart, diku afër godinës së vjetër të komitetit . Vinte përherë në kohë, i zbriste shkallët e gurta duke vrapuar, si çdo grua e zënë me një mijë punë të shtëpisë, që nuk mbarohen kurrë.

 

-Erdhi Shqipëria, nuk na e paska marrë era, – shpotisja unë me Dulen.

 

 

Dy djemtë e saj, trazovaçë e të shkathët sa të trëmbnin, e vinin përherë në merak. Shokë me nipin tim, djalin e madh të sime motre, po aq trazovaç sa ata, pas shkolle linin diku çantat e hidheshin në lumë nga një shkëmb te “plazhi” i Varishtit, diku afër Urës lëkundëse të Sharovës, ku fillonin Kanionet. Harronin të ktheheshin në shtëpi. Unë flija në shtëpinë e sime motre dhe situata të tilla i përjetoja shpesh. E kuptoja Shqipen njëlloj si motrën time.

 

 

Shqipja na jepte siguri , kur dëgjonim çakçuket e makinës së saj të shkrimit na mbushej mendja se numuri i radhës i gazetës ishte në vijë.

 

 

E thjeshtë, punëtore, shpotitëse, si unë e Dulja , Shqipja nuk kishte bërë asnjë luftë, po ajo ishte vërtet luftëtare, nuk qahej e nuk dorëzohej kurrë. Një vit pasi kisha ikur në Tiranë ajo humbi të shoqin në një aksident fatal gjahu. Shumë e re në moshë ia doli të rritë fëmijët!

 

 

Pas viteve nëtëdhjetë, edhe Dulja edhe ajo u vendosën familjarisht në Tiranë.

 

 

Lexova në portalin “Orakujt e Tomorrit” një shkrim përkujtimor të Zylyftar Hoxhës, Shqipja sapo ishte ndarë nga kjo jetë, nga familjarët e saj, nga ne.

 

 

Si dhe unë, për disa vjet në të njëjtën gazetë u bënë miq, shkrimi homazh ishte një obligim moral i të gjallit për atë që tashmë nuk mund ta harrosh.

 

Orakujt këtë punë kanë, të të parathonë e të të shkruajnë fatin.

 

 

Me mikun tim Bashkim Koçi, edhe ai për disa vjet gazetar i “Jehonës…” , jo shumë muaj më parë e kujtuam shoqen tonë të vjetër, po nuk na u bë mbarë të pinim një kafe të tre e nuk na u bë mbarë t’i bënim një vizitë në shtëpi. Më ka ndodhur dhe herë tjetër kështu, ja që nuk shpëtoke në jetë pa ca maraze.

 

 

E kujtoj si e kam parë për herë të fundit, ngjashëm si në këtë foto, në korrik 1973, mbi gjysmë shekulli më parë.

 

 

Ata dy njerëz të jashtëzakonshëm , të vërtetë si buka, që takova në 1 prill 1972, ditën e gënjeshtrave, Avdullai e Shqipja , të dy nuk janë më! Më ka dhëmbur shpirti për Dulen e shkruajta për të e kohët që kaluam bashkë, ashtu si e mbaja mend.

 

 

E kam peng që nuk e pashë edhe një herë Shqipen, atë luftëtaren që zbriste shkallët e gurta me vrap, ashtu si e mbaj mend, me humorin e saj të hollë e me rrahjen e tastave të makinës së saj të shkrimit ende në vesh…

 

 

Ky postim është homazhi im për të!