“Sa herë shikoj filmin ‘Njeriu me Top’, me skenar të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës, i cili…”

“Sa herë shikoj filmin ‘Njeriu me Top’, me skenar të Dritëro Agollit, më kujtohet italiani që kemi mbajtur në shtëpinë tonë, në Qafë të Skraparit, në kohën e Luftës, i cili…”

 

 Nga Zylyftar Hoxha

 

 

 

Çuditërisht, ato që tregon filmi, unë i gjeja te ato që më rrëfente gjyshi im, Rushani. Italiani ynë quhej Mario dhe ishte nga Italia e Veriut.

 

 

Gjyshi, me sa dukej e kishte dashur shumë, se fliste me pasion për të, duke i mburrur cilësitë njerëzore: mbi të gjitha, i urtë-dele dhe shumë punëtor. I vinte inat që, megjithëse e pyeste çdo ditë, nuk mbante mend emrin e ngatërruar të  vendit nga ishte Mario. Bashkë me Marion, Rushani hapi një arë të re 4-5 , që ne e quanim “Pusez”.

 

 

Megjithëse i thoshte italianit në drekë kur vinte të merrte bukën në shtëpi të pushonte, ai s’ulej asnjëherë. Bënte punë skllavi i shkreti dhe në darkë flinte në plevicën e kashtës, pasi ne nuk kishim shtëpi, pasi na i kishte djegur gjermani.

 

 

Nga Mario, fshati ynë, sidomos shtëpia jonë, që ishte në lartësinë 900 m. mbi nivelin e detit, kishte dhe një kujtim, ai kishte mbjellë për herë të parë domate, për të cilat të gjithë thoshin se nuk i “bënte vendi”, por që ai ia kishte arritur.

 

Që atëherë, domatet tona, sidomos të vjeshtës, “Zemër-kau” dhe “Sanjollas”, linin nam.

 

 

Kur kishte ikur, Mario i ishte hedhur në qafë gjyshit dhe kishte qarë si kalama. Nuk ishte përmbajtur dot as Rushani, që, siç mburrej, nuk kishte qarë kurrë ndonjë herë, por ai “lanet” e kishte bërë të derdhte lot.

 

 

Ndaj për të justifikuar atë çast dobësie, ai shpesh thoshte: “Ishte me të vërtetë flori djalë, ia vlenin lotët që më rrodhën për të”!

 

————

Botuar dje edhe në “Memoria.al”