Sadik Bejko: Në Tomorr, pas 70 vjetësh
Nuk e mendoja se ndonjëherë në gjalljen time do ta arrija prapë majën e malit të Tomorrit.
Kisha qenë një herë atje shtatëdhjetë vjet më parë me babanë tim. Ishim ngjitur me këmbë nëpër një rruge dhish, kishim ecur muzgut të mbrëmjes e mugullimës së agut. Një kalë që e mbante im atë për kapistre, një manar, kurbani ynë që do ta prisnim në altarin e malit të Tomorit.
Iknim të katër, babai, unë, kali dhe kurbani. Më i rëndësishmi ishte kurbani. Pa atë të therur do të na pranonte maja, zoti i majës së malit të Tomorit? Babai manarin e kishte taksur nuk di se kur.
Dy ditë. Kishim fjetur në truall, këmbët drejt një zjarri, një batanije mbi supe, mbështetur në samarin e kalit me kurbanin të mbërthyer në gjokset tona. Jo se na mbante ngrohtë. Por pa atë ku të shkonim? Pse të shkonim te majëmali i Baba Tomori?
Isha rreth 11 vjeç. Babai rreth 40 vjeç. Ai kujdesej për ne. Kishte marrë ushqim për udhëtimin tonë, për … të katërt.
Në majë pashë një tempull katror guri pa çati, në një gur për së gjati shkruhej me shkronja të mëdha: JA ABAS ALI TOMORI.
Dervishi me fustanellë të bardhë e preu kurbanin tonë. Një gisht e ngjeu në gjak e ma vuri në ballë. Në çast i hoqi lëkurën dervishi tjetër. Mishin e kurbanit, gjithë të përbrendshmet na i dha në duar. Babai i mori në një trastë pëlhure të bardhë. Zbritëm me të shpejtë. Mishin e kurbanit në samarin e kalit.
Bargullas.
Një pyll ku ujërat gurgullonin nga të gjitha anët. I lamë, i pastruam mishërat në ujë mali . I kripëm. Në hell. Në zjarr. Këto ishin gati nga ata para nesh. Të përbrendshmet kukurec.
Në Bargullas zjarret nuk shuheshin ato ditë. Të pjekura mishin e kukurecin babai i vuri në një xhake, trastë bezeje e bardhë. Me një naxhake (sëpatë ) të vogël i preu në racione të pakta sa dy- tre gishte.
Mishin e Tomorit, të kurbanit, duhet ta ndaje në të gjithë ata që do të zgjatnin dorën gjatë rrugës. Në shtëpi te njerëzit e tu mund të mos u çoje as dy tri brinjë nga kurbani i Tomorit. Po ky ishte bekimi. Atë mish nuk ia falje malit.
Në mal duhej veç gjaku për bishat a zogjtë e lartësive. Mishin e bekuar, mish Tomori, duhet t’ua shpëndaje njerëzve në nevojë. Njerëzit si mizat e tokës me farat, do të ndjeheshim të kënaqur.
Na pritën gjer te dera… na morën në grykë njerëzit e shtëpisë? Nuk e di. Më kishte zënë gjumi në samarin e kalit.
Pas dy a tri ditësh e mora veten dhe dola të luaj me shokët. Mund të mburresha se kisha qenë në Tomorr, … por babai … më tha: mos fol, ne e bëmë për vete, jo për ta shitur gjetkë.