Sali Butka dhe Mahmut Zaloshnja, kapedanë të shquar, por dhe miq të pandarë

Sali Butka dhe Mahmut Zaloshnja, kapedanë të shquar, por dhe miq të pandarë

 

 

Petrit F. Zeneli

 

Mblesëria më e bukur që kam dëgjuar e lexuar ndonjëherë, derdhur në art nga pena e argjendtë e Hekuran Zhitit (babai i Visar Zhitit).

 

Me një frymë e lexova librin që më dhuroi sot miku im i shtrenjtë, Dragush Muharrem Butka “Rruga e Vështirë e Lirisë”, përmbledhje biografike e të atit, nga e cila po shkëpus këtë episod, që e sjell për kënëqësinë tuaj, si fundjavë.

 

Kolonjë e Skrapar, miqësi e pandarë! Muharrem Sali Butka – Jemine Mahmut Zaloshnja, nga dyer të mëdha, çifti ideal!

“…Në vitin 1924, u martova me vajzën e Mahmut Zaloshnjës nga Tomorrica e Skraparit…

 

 

Po martohesha me mblesëri, me vajzën e një kapedani me famë. Ishte mik me plakun. U bë dasmë e madhe.

 

 

Martohej i biri i Sali Butkës më të bijën e Mahmut Zaloshnjës, të dy kapedanë të dëgjuar.

 

 

Unë e kisha harruar se si u bë mblesëria e si u lidh krushqia. Një ditë vjen në shtëpi për vizitë Hekuran Zhiti e më thotë me shaka se po shkruante një poemë të madhe, si “Iliada” e Homerit…

 

 

Qeshëm…, por vërtet më tregoi se po shkruante një poemë epike shumë të gjatë. Ai më tha se në këtë poemë tregohet edhe se si u bë mblesëria…

 

 

Mes të tjerash:

 

 

…Para nisjes së udhëtimit,

Saliu i shkroi Mahmut trimit.

Edhe ky në çast i erdhi,

E qafoi e lotët derdhi.

Të dy bashkë me Salinë,

Folën mjaft për Shqipërinë.

Pastaj Butka ndërroi fjalë:

“Mahmut, unë kam një djalë,

Të mos ftohet miqësia,

Them ta thellojë krushqia.

Ti e njeh mirë tim bir,

Muharremin, Xhevahir,

Që me shpirt do Shqipërinë,

Kur e shoh, kujtoj Ganinë…

Gjer këtu po e pres fjalën,

Nuk flet shumë babai për djalën”.

Mbet Mahmuti i habitur,

Nga kërkesa e papritur…!

A nga malli, a nga halli,

Plot me rrudha iu mbush balli:

“Dhe ime bijë, Jemineja,

Si dielli kur del nga reja.

Na ndrit zemrën dhe shtëpinë,

Me sjelljet dhe bukurinë.

Kur del kjo, na fshihet Hëna.

Lum babai e lum nëna!

Këto fjalë po t’i themi,

Se më the ç’është Muharremi”…

“Mos më hidh cep më cep,

A ma jep, a nuk e jep?!”.

Mahmutit i dhimbsej vasha,

Uli vetullat e trasha.

Jeminenë kaq e donte,

Sa që desh mos e martonte.

Dhe ajo kish dhënë fjalë:

“Baba, do të bëhem djalë,

Me armë e veshje, si burrë,

Dhe nga ti s’do ndahem kurrë!”

Po mendon Mahmuti ynë:

Saliu i ka qepur synë,

Atë sy si të skifterit,

Që s’ia ndau maliherit:

“Dëgjo, o Sali, Kapedan,

Çupën ta bëra kurban!”…

Dhe kokën tani e ngriti,

Po një lot faqes rrëshqiti.

Ky pohim Salinë e ndezi,

Nxjerr koburen nga brezi,

E ngriti lart si mënjanë,

Dhe flakë e ndezi tavanë.

Hynë gratë me lemeri,

Se pandehnë mos u vranë…

Plaku tha: “Qe sihariq,

Dy shtëpi u bënë miq!”

“Miq na ka bërë ideali,

Jo krushqia, çupa, djali!”

Tha Mahmuti, shqipe mali.