Sali Butka, plaku që uli në gjunjë gjeneralë e diplomatë të huaj

Sali Butka, plaku që uli në gjunjë gjeneralë e diplomatë të huaj

Zylyftar HOXHA

 

Para një viti në qytetin e Ersekës është vendosur përmendorja e patriotit Sali Butka. Me vonesë, por më mirë vonë se kurrë…

 

Shqetësimin për vlerësimin e kësaj figure, siç shihet më poshtë, unë e kam ngritur që në vitin 2014 në një shkrim botuar në gazetën DITA me titullin: “Historia e Plakut të Butkës, kolonjarit trim dhe simpatik, e kthyer në legjendë, por tashmë e lënë fare në  harresë”.

 

Kam dëshirë që këtë figurë të ndritur të historisë së Shqipërisë ta sjell shpesh herë në vëmendje, edhe për një arsye të thjeshtë: Ai sa ishte kolonjar, ishte edhe skraparlli. Pas djegjes së shtëpive në Butkë nga greku, erdhi me gjithë familjen në Skrapar, në krye të çetave kryengritëse me kolonjarë e skraparllinj bashkë.

 

Kush është Sali Butka

 

  Sali Butka lindi në fshatin Butkë të Kolonjës, në vitin 1857, në një familje të madhe me origjinë të hershme nga Frashëri i Përmetit, të cilët janë njohur me mbiemërin Aliçkaj, ishin shpërngulur nga trojet e tyre aty rreth vitit 1630 dhe u vendosën në Butkë të Kolonjës. Një familje e madhe, por e thjeshtë filloi të ndihej e të merrte emër në të gjithë zonën Kolonjë, Përmet, Korçë e Skrapar, kur i biri i Tahirit, Saliu, u lidh me çetat që u ngritën në fillim të shekullit të 20-të kundër Turqisë.

 

Në çetat e para për liri

 

Ai ishte anëtar i Komitetit të Manastirit “Për Lirinë e Shqipërisë”. Në dhjetor të vitit 1905 Bajo Topulli shkoi vetë në fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës, ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur. Në këtë çetë, me komandant Sali Butkën, bënin pjesë edhe patriotë të tjerë si: Qani Starja, Qamil Panariti, Riza Veleishti, Selim Pojani, Sefer Panariti, Dilaver Lubonja, Hasan Qinami, Myftar Butka, Pituli etj.

 

Në vitin 1907, çeta e Sali Butkës dhe ajo e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, organizuan një aksion të përbashkët për vrasjen Dhespotit grek, Fotit, i cili konsiderohej si një nga armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Pas atij aksioni, qeveria turke e futi në burg Sali Butkën dhe i dogji shtëpitë në fshatin Butkë. Më pas Porta e Lartë vuri Dajlan Bej Qafzezin, veglën e saj në Kolonjë, për të vrarë vëllanë e Saliut, Selman Butkën.

 

Në Vlorë, në mbrojtje të flamurit

 

Duke parë kontributin e madh në mbrojtjen e krahinave të Jugut dhe Qeverisë së Vlorës, Kryeministri Ismail Qemali e thërriti Sali Butkën në Vlorë. dhe e priti atë përzemërsisht. Plaku i famshëm i Butkës u takua aty edhe me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj. Në atë kohë ai organizoi mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar nga sulmet e ushtrisë greke. Lidhur me këtë, në atë kohë gazeta “Liri e Shqipërisë”, midis të tjerash shkruante: “Sali Butka ka zhveshur pallën dhe po lufton me grekët nga ana e Naselishtës dhe nga ana e Korçës dhe po tregon trimërinë e tij si në kohë të Skënderbeut”.

Me pushkë e penë për mëmëdhenë

 

Që në moshë të re ai lexonte dhe shpërndante veprat e rilindasve në të gjithë territorin ku vepronte, të cilat i sillte nga Manastiri dhe Sofja. Sali Butka bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë. Saliu, së bashku me Nasuf Bej Novoselën, ishin dy njerëzit që e morën në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë e kundërshatërt e tij që e kercënonin vazhdimisht për të eleminuar fizikisht. Që në atë kohë ai filloi të shkruajë e të botojë vjersha me temë patriotike, të cilat më pas u kthyen në këngë popullore që këndohen edhe sot.

 

Në vitet 1906-1908 ngriti dhe organizoi çeta të tjera të armatosura në zonën e Kolonjës dhe të Leskovikut. Në vitin 1910, Sali Butka së bashku me 2500 kolonjarë, mori pjesë në mitingun e madh të shkronjave shqipe që u organizua në qytetin e Korçës. Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, patrioti i madh Mihal Grameno, në shkurtin e vitit 1910, në gazetën “Lidhja Orthodhokse”, midis të tjerash shkruante: “Gjithë qyteti, burra e gra, kishin dalë për të pritur kolonjarët, që çuditën botën me taktikën e tyre”.

 

“Burrë i thjeshtë i Shqipërisë”

 

Në mars të vitit 1911 patrioti i njohur, Spiro Bellkameni, u kthye nga mërgimi dhe shkoi në fshatin Butkë duke qëndruar disa ditë në çetën e Kolonjëse cila udhëhiqej nga Sali Butka. Me qëllim që të zgjerohej lëvizja kryengritëse, Sali Butka i dha Bellkamenit, vëllanë e tij, Myftarin, djalin, Ganiun dhe Thoma Pitulin, për të formuar një çetë më vete në Fushë të Korçës, e cila u bë e njohur në luftën e Orman-Çifligut, ku mbetën të vrarë gjashtë pjestarë të saj të cilët më pas u shpallën dëshmorë të atdheut. Në krye të forcave të bashkuara kryengritëse, Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë me çetat e Spiro Ballkamenit e të Kajo Babjenit në gushtin e vitit 1912, ato çliruan Korçën.

 

Lidhur me këtë ngjarje, gazeta “Koha” e datës 19 gusht të vitit 1912, midis të tjerash, shkruante: “Në ballë të çetës së dytë ishte kapedani dhe trimi i Shqipërisë, i dëgjuari patriot Sali Butka, burrë i thjeshtë shqiptar dhe me gjithë zemër mëmëdhetar” .

 

’14-a, me dy plagë të mëdha për Plakun

 

Gjatë vitit 1914 Plaku pati dy plagë të mëdha. Në luftën e Qafës së Martës kundër grekëve iu vra Nasi Qafzezi, të cilin ai e donte si djemtë e tij, ndaj në këngën që ngriti për të e quajti Nasi Spiro Butka; dhe plaga e dytë ishte vrasja e djalit të tij 23-vjeçar, Ganiut, në Pogradec, më 2 korrik të vitit 1914, në përpjekje me forcat e reaksionit.

Edhe për këtë ai ngriti këngën “Malet e Gramozit qajnë, për Gani Butkën që vranë”, një këngë që këndohet në çdo gosti e muhabet edhe sot në Kolonjë, Përmet, Korçë, Skrapar, Dangëlli e Berat. Veç kësaj grekët i dogjën shtëpinë dhe familja  tij u detyrua të jetojë në Skrapar, nëpër miq dhe shokë.

 

Ja si shkruajtën gazetat italiane kur Plaku hoqi syrin pa narkozë

 

Në vitin 1914 kur në jug filluan maskrat greke, Sali Butka me familjen dhe me mijëra refugjatë të Kolonjës u hodh në Vlorë dhe u sistemua në ullishtet e saj. Plaga në sy që kishte marrë atë vit në Nikoliçë, e bezdiste shumë dhe ishte bërë e padurueshme. Miqtë i thanë të shkonte në Itali ta hiqte syrin. Me qenë se ishte aty afër, i hipi një anijeje mallrash dhe shkoi në Bari. Atye pritën shumë shqiptarë emigrantë dhe e ndihmuan të mbaronte punë shpejt.

 

Pas dy vizitave në një klinikë të njohur, u vendos që të operohej për t’i hequr syrin e dëmtuar. Kur vajti në sallën e operacionit, doktori i thase do t’i bënte narkozë për ta vënë në gjumë, që të mos ndiente dhimbje. Plaku nuk pranoi. “S’dihet se ç’bëj në gjumë, i tha, më shpëtojnë nga poshtë apo pëllas si ka në mes të Italisë dhe të turpërohem. Më bën dot pa ilaç”? Mjeku ngulte këmbë për narkozë, plaku po si mushkë në të tijën. Operacioni nuk u bë atë ditë. Pas konsltës së dytë, kërkesa e Plakut u pranua. Operacioni u krye pa narkozë. I a lëshuan në dorë kokordhokun e syrit të dëmtuar. As zëri më i vogël nuk doli nga goja e të sëmurit, vetëm djersët dinin sumbulla-sumbulla nga fytyra e zbehur nga dhimbja.

 

Të nesërme gazeta “Corriere della Puglia” botoi një lajmë në krye të faqes së parë, se një shqiptar kishte nxjerrë syrin pa narkozë. Askush nuk do t’i ishte nënshtruar vullnetarisht një rasti të tillë, duhet të jesh shqiptar, duhet të jesh trim dhe guximtar që të bësh një gjë të tillë”, shkruante gazeta. Ky lajm mblodhi gazetarë dhe mjekë kirurgë nga e gjithë Italia, dhe ngjarja u pasqyrua edhe në gazeta të tjera. Ajo u pasqyrua edhe nga shtypi shqiptar i kohës.

Mihal Gramenua në gazetën “Koha” shkruante: “Atë ditë të mos e harrojmë kurrë! Vammë të gjithë luftëtarët ta ngushëllojmë, kur nathotë duke qeshur:” Mos kini frikë, o vëllezër, se nuk do të turpëroj Shqipërinë dhe asnjë pëlumb kundër armiqve s’ka për të shkuar dëm”.

 

Fshatari i zgjuar e dinak bëri atë që bëri Kutuzovi 100 e ca vjet më parë

 

Mbasi morën ultimatumin francezët dërguan në kampin e Saliut një përfaqësues të bisedonte me Plakun, por më tepër ai donte të merrte vesh se sa forca kishte plaku që t’i binte Korçës. Por ai nuk mund ta merrte me mend intuitën e fshatarit të zgjuar e dinak që shikonte prapa gardhit.

 

Ai kish porositur që ato 5.000 forca që kishte në moment të lëviznin, ca të shfaqeshin dhe ca të zhdukeshin matanë kodrës së Gjergjevicës, dhe të vazhdonin kështu deri në akshëm, sa t’u griseshin këpucët. I ardhuri, duke parë këtë lëvizje, që ata që kishin dalë para dhjetë minutash, dilnin përsëri, por që ai i dinte si forca të reja, bëri llogaritjet se do të ishin aty te 10 mijë forca. Duke shtuar edhe rezervat që do të ishin pak më lartë, ai llogariti se plaku i kishte të sigurta 12 mijë forca. Është e çuditshme, por këtë kishte bërë edhe Ilarion Kutuzovi 100 e ca vjet më parë, kur Napoloni i ishte afruar Moskës. Ai kishte parë se pas çdo zjarri kishte pasur 5-6 ushtarë, atëhere ai urdhëroi të që çdo ushtar të kishte një zjarr. Ushtria franceze u rrethua në një oqean me zjarre.

 

\Në këto kushte ata u kthyen mbrapsht. I bindur mbi fuqinë e madhe të Sali Butkës. Oficeri francez i telegrafoi komandantit në Selanik se 12 mijë vullnetarë mund të sulmojnë Korçën nga çasti në çast. Telegrami ndiqte telegramin, nga Selaniku në Athinë, nga Athina në Paris, deri sa u kthye përgjigja se Korça është e shqiptarëve.

 

Kështu Plaku i famshëm i Butkës mbrojti jo vetëm Korçën, por të gjithë Shqipërinë Juglindore nga synimet e sulmet e shovinistëve grekë. Nisur nga kontributi dhe fama e madhe që mori Plaku i Butkës gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, në 1920 ai u zgjodh dhe mori pjesë si delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjës.

Ultimatumi

Ishte gushti i vitit 1919. Shqipëria jetonte, ndoshta, çastet më kritike të historisë: Italianët siguruan Vlorën dhe Sazanin, serbët veriun e Shqipërisë, francezët që e mbajtën aq kohë Korçën, tani donin t’ua dorëzonin grekëve. Populli i Korçës vendosi të kundërshtojë. U ngrit një komision me 13 veta, me njerëzit më të shquar të qytetit. Qyteti duhej të mbrohej me forcë, po ku ta gjeje këtë forcë? Iu kërkua ndihmë qeveisë së Durrësit për 200 000 franga ari të mbaheshin me ushqim vullnetarët, por ajo nuk u tregua e gatshme. U mendua dhe iu bë thirrje Sali Butkës që ishte në Konak të Tomorricës me pushime në atë kohë. Pas kësaj, kur dëgjoi edhe se Themistokli Gërmenjin e kishin vrarë francezët në Selanik në kokën e Plakut shpërtheu stuhia. Brenda pak ditëve ai solli në Gjergjevicë, afër Korçës 1500 vullnetarë. Në fiillim të shtatorirt 1919 ai u dërgon një ultimatum të butë me 14 pika forcave franceze në Korçë: Po pse të butë, sepse duhej shmangur gjakderdhja, sepse Franca ishte fuqi e madhe.

Ultimatum

Në emër të popullit shqiptar

Sali Butka. Komandant i trupave vullnetare të lidhjes së Shqipërisë Lindore

Zotit komandant i forcave franceze në kufijtë shqiptarë në Korçë

Komandant, Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar duke i dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës, veprim ky arbitrar dhe kriminal, që është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësja e kombeve të shtypur, mbrojësja e të dobëtve….Të shturë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla përdhunime e të tilla poshtërime, ne eshohim veten të detyrauar t’iu paralajmërojmë, të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi….

Gjergjevicë, shtator 1919

Kryekomndanti i Trupave Vullnetare të Shqipërisë Lindore

Sali Butka

 

Fundi, kapak floriri

 

Plaku, pasi i maroi të gjitha u kthye më në fund në shtëpi, në Butkë, filloi të ngrinte shtëpitë nga themelet pasi i kishte djegur greku. Jetonte ditëtë e tij i qetë, duke kujtuar djemtë që kishte lënë maleve. Një ditë i thanë se Zogu kishte thyer qafën. Ahir, ishallah, kishte shfryrë plaku. Por s’kaloi shumë dhe i thanë se ai ishte kthyer prapë. Prefekti i Korçës, Beqir Gjylbegu i kërkon ndihmë Plakut.

 

Dhe ai me 300 kolonjarë dhe në moshë të thyer zuri kufinjtë, por Zogu paskësh hyrë në anën tjetër. Kërkuan ta arrestonin, por s’mundën herën e parë, herën e dytë në Kryengritjen e Fierit e arrestuan, por ai tani nuk ishte gjë tjetër veçse një grusht kockash, ndaj e liruan. Kur u kthye mori dy oparkë t’i bënin gurin e varrit me një shqipe të skalitur. Ua ktheu dy hërë, deri sa gjeti karar. Vdiq më 20 tetor 1938.

 

Derë e madhe historike

 

Mbas largimit nga jeta të Plakut legjendar të Butkës së Kolonjës, jeta e pinjojve të kësaj shtëpie eci sipas traditës së krijuar, me angazhim në punët e atdheut. Myftari, i vëllai Saliut, si i dyti i fisit, mbajti hatërin e plakut dhe nuk mund t’i dilte përpara, megjithatë qëndroi në kahun e duhur; dy djemtë e Plakut, Iliazi dhe Ganiu u vranë në luftë kundër grekut; Safeti, me idetë e tij ekstreme, i mençur, trim dhe luftëtar i vendosur, mori një drejtim, që, po të ishte gjallë plaku, nuk do ta kishte lënë të shkonte andej ose do të ishin prishur për jetë; ndërsa sot, më i dëgjuari i fisit, nipi, Urani, djali i Safetit, i zgjuar, i mësuar dhe i zoti, natyrisht, doli në mbrojtje të kauzës të të atit.

 

Shënim:

Siç është thënë edhe më sipër, shkrimi  është i risiellë për ata që nuk e kanë lexuar, pasi është botuar më parë në gazetën “Dita”