…Se kështu e ka tomorricari: të bën mik, pa mik, edhe me një “cingar duhan” në mes të udhës!…
Zylyftar Hoxha
Që para 300 e ca vjetësh, Evliha Çelebiu thotë se që nga Evropa mjekët e atëhershëm i dërgonin pacientët e tyre në Tomorr për barërat shëruese të këtij mali; gati 160 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir bën një nga pikturat më të bukura dhe që ngeli kryevepra e tij me pamje të Tomorrit dhe të zonave përreth tij.
Ja si shkruan ai në ditarin e tij: “Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”.
Më vonë janë të njohura dhe të dokumentuara udhëtimet e studimet në Tomorr të udhëtarëve e dijetarëve të shquar evropianë si Martin Lik, Margaret Halcuk e të tjerë.
Antonio Baldaçi në ekspeditat e tij shpateve të Tomorrit dhe të Tomorricës, la dhe një monument botëror natyror, zbulimin e bimës endemike që mori emrin e vendit ku u gjet, Nepenthis Tomorriana (Zambaku i Tomorrit).
Naim Frashëri, jo pa një ngacmim, shkruan “A mos vjen prej Çamërie,/ prej Skrapari, prej Dobreje”. Muza poetike i solli me njëherë në mend Dobrenjin, se ai aty kish njerëz të gjakut të tij, hallon e babait të vet.
Eqerem bej Vlora shkruan gjatë për udhëtimin e tij në librin “Nga Berati në Tomorr e kthim”. Duke shprehur pasionet e tij aventurore, udhëtimet dhe gjahun, ai gjeti në këtë vend gjithçka donte, të cilat i hodhi bukur në letër, ku bën përshkrime piktoreske të natyrës, por edhe të gjendjes së mjeruar të njerëzve. Ai ka bujtur në shtëpinë e Mahmut Zaloshnjës, por pa pyetur dhe pa e ditur se i zoti i shtëpisë ishte një luftëtar i shquar, se ky ishte ai “Mahmut nga Tomorrica/ me njëqind e ca kastriqa”…, siç i këndonte populli.
Beu i bredhur, i zgjuar, por shumë qibar, veç një përralle të bukur që dëgjoi nga Mahmuti dhe e botoi më vonë, nuk e pa me vend të shkruante më gjatë për këtë fisnik krahine, që e priti si të priturit, me të gjitha nderet që i takonin sërës së tij.
Po kështu, megjithëse Zybë Ujaniku “rrëzoi shtëpinë mbërdhe” për Beun vlonjat, ai e përshkruan atë ftohtë dhe pa një pikë simpatie, por më tej shënon se i kishte bërë shumë përshtypje zgjuarsia e atij njeriu për ta vënë shpejt paranë.
Sido që të jetë, fisnikët tomorricarë e bënë detyrën, e diti a s’e diti miku, tjetër gjë. Dhe kjo besojmë se nuk i bën dëm figurës së Beut të shquar dhe tepër të kulturuar. Ndaj ne sot e quajmë nder të veçantë që ai ka shkelur në këto anë, që ka qenë mik e dashamirës i Tomorrit dhe i Tomorricës.
Sali Butka kishte dy çeta në Tomorricë që komandoheshin nga Dostllarët e Zaloshnjes, Serveti dhe Mahmuti, me të cilët kishte lidhje të afërta miqësore. Ai ka vepruar gjatë në këto anë. Dhe siç thotë kënga: “Në Konak thërret tellalli,/ thërret Sali Kapedani”…
Në vitin 1923 Fan Noli kalon një natë në Dobrenj. Në një debat që bën në Parlamentin shqiptar të asaj kohe ai thotë: “Sa për Shqipërinë e këtushme, kam parë rasën të udhëtoj nga Dobreja në Voskopojë 25 orë me kalë dhe kudo kam parë katunde të prishura…Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk është kursyer aspak”.
Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare puna solli në këto anë, më saktësisht, në Çetën e Plakut të Maleve, Mestan Ujaniku, dy luftëtarë të shquar me përmasa kombëtare, Heroin e Popullit Ramiz Aranitasin nga Mallakastra dhe Gjin Markun nga Mirëdita, të cilët populli i Skraparit dhe i Tomorricës i deshi dhe akoma i do e i nderon si bijtë e tij.
Poeti Ali Podrimja nga Prishtina, më shumë se nga mali, u befasua, thuajse mbeti pa gojë, kur dëgjoi vargjet e tij të recituara nga një mësuese atje, në Tomorr.
Me atë famë që mori në vitet ‘70-‘80 me zërin e tij brilant, Artisti i Popullit Demir Zyko, domosdo që do të kishte miq të shumtë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë si Petro Marko, Endri Keko.
Por më i veçanti, që bujti disa herë në shtëpinë e tij dhe që u bënë miq të vërtetë, ishte Dritëro Agolli, i cili, pas kësaj njohjeje, nuk e linte më të flinte Xha Demirin në hotel kur ai vinte në Tiranë, por e merrte në shtëpi.
…Se kështu e ka tomorricari, të bën mik pa mik, edhe me një “cingar duhan” në mes të udhës!…
Shënim:
Kjo pjesë risillet në “Orakujt e Tomorrit” me shkurtime nga libri “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Zylyftar Hoxha, viti 2019, faqe 124 – 129
