Sefedin Çela: Nuk ishte për mua kjo Ditë Vere

Sefedin Çela: Nuk ishte për mua kjo Ditë Vere

 

A mund të vrasësh për një “like”? Pse ka kaq padurim, zëmërim, kur dhe në ditë shiu ka, e, po të duash, sheh ylberë?

 

 

Sefedin Çela

 

Këtë Ditën e sotme të Verës me diell shkrepa një foto me qingja në Parkun Rinia e u ktheva në shtëpi tërë turinj, si të të kenë bërë përshesh përsheshin.

 

 

Diellin e  harrova jashtë derës.

 

 

Në  një nga aplikacionet e rrjeteve sociale, të cilave disi  ua kam marrë dorën, nga dikush që s’e prisja m’u postua linku i lajmit tashmë bërë viral “E vranë për një “like” në Facebook”.

 

 

Ka plot altrnativa për të zgjedhur sherrin virtualisht, mund të bësh “like”, të ngjitësh emoji me lloj-lloj përbindëshash, të kopanisësh a të të  kopanisin me sharje në gjuhë të ndryshme, që vrasin njëlloj, edhe pse shkruar me gabime ortografike.

 

 

Vdekja të pret pas tyre njëlloj. Po të jesh disi i veçantë, dava vipi, tororisjet e mediave e “pëlqimet” janë në raport me statusin special…

 

 

Kur lajmin ta dërgojnë posaçërisht, si në rastin tim, zë e vret mendjen i ziu njeri; në rrethana të tilla, ç’do të bëje? Do të vrisje? Do të vrisje nëse dikush që pëlqen ti pëlqen dikë tjetër, nëse dikush që do ti do dikë tjetër?

 

 

Unë nuk do të vrisja për një like! Nuk do të vrisja për çfarëdo rrethane.

 

 

Për gjithçka kam patur e kam  të shtrenjtë në jetën time nuk do të vrisja kënd, po  pa hezitim mund të vritesha për to.

 

 

Në këtë pyllin e jetës time, si e di unë më mirë, gjërat nuk kanë qënë kaq të ndara e as kaq të ngatërruara, si po dëgjojmë: në një anë xhungla e pyllit, ku kafshët shqyejnë njëra-tjetrën, e në anën tjetër xhungla njerëzore ku njerëzit nga lart poshtë i hanë kokën tjetrit.

 

 

Dikur kishte nga ata që ngrinin majë shtyllës për të lidhur dy fije telefoni, pa u shkuar në mend se po bënin heroin, pa e ditur se do t’i bënin heronj e pa imagjinuar kurrë se do të vinte një ditë si sot, në kohën e lirisë se Fb e  Tik Tokut, që  do të talleshin me aktin e tyre.

 

 

Nuk kam bërë asgjë heroike në jetën time,  dje  e deri sot nuk kam ngrirë  asnjëherë majë shtylle, nuk kam krijuar e drejtuar parti,  veç as nuk kam ndenjur mënjanë e nuk më vjen turp për ato gjëra të zakonshme që kam bërë.

 

 

Jeta ime ka qënë e mbushur plot jo me vite të tëra plot, po me punë të vogla të përditshme që i kam bërë me dashuri të madhe, me çaste të panumurta  lumturie prej atyre gjërave të vogla të mrekullueshme, një dorë e harruar në dorën time si putër, gishta të shtrenguar në xhepin e xhupit tim,  tërr-tërre pa fund, që duket se  nuk thonë asgjë e thonë gjithçka, përmbushjen njerëzore edhe kur thua se je difekt i gjallë, që të kujtojnë kudo të jesh shtëpinë, që nuk të lënë të harrosh.

 

 

Një shumatore orësh të bukura  e jo një shumatore vitesh të tëra për t’u mbajtur mend, kjo është jeta ime e kësaj i them unë jetë!

 

 

Fundja, mund të më rrëfejë kush se gjithë jetën e ka patur fjollë, shënd e verë?

Dhe ja si të prishet humori e të shkon dëm Dita e Verës, midis turmës festive në Sheshin Skënderbej të shpifet në tru linku:  “E vranë për një “like” në Facebook”.

 

 

A mund të vrasësh për një “like”?

 

 

Pse ka kaq padurim, zëmërim, mosbesim, ndarje i miri i keqi, viktima e kriminelë, vetëm dy ngjyra, –  bardhë e zi, kur dhe në ditë shiu ka e, po të duash, sheh ylberë?

 

 

I vë gishtin kokës  e i thuaj vetes: Të keqen e mendjes që më ke, o mendje,  more kum te bova, si thotë miku im vlonjat, Bert Minga. Ka edhe një shprehje më popullorçe të anëve të mia për mendjen, nuk po e them për të mos u vënë në siklet për mendjen që kam, sidomos për të mos u ndjerë keq miqtë e fb për mendjen e tyre.

 

 

Epo, i them vetes, i bëre ditët e tua, o njeri, ngece me veten Ditën e Verës!

Nuk ishte për mua kjo Ditë Vere e ky diell sot. Ngeca  në dilemën të të bëjnë a të mos të të bëjnë “like” , si Hamleti në dyzimin e madh të rrosh a të mos rrosh!

 

 

Dita si niset, griset. Me këto mend, pa  mbaruar kafen e mëngjesit, vë gishtin në tëmtha dhe i them mikut tim Koç  Baç “bëj një shkrepje!”

 

 

Për t’i vënë kapakun  i kam postuar  pranë e pranë këto dy foto që nuk ngjitin fare me humorin tim kaps, me to mund të argëtohen miqtë e rastësishëm virtualë: qingja që krijojnë atmosferë gëzimi e unë që, më në fund, i kam vënë gishtin kokës!

 

 

Gëzuar Ditën e Verës! Unë po pres 14 marsin që vjen, deri atëhere do ta kem zgjidhur dilemën. Besoj  do t’ia arrij!