Servilizmi
— Mos fol, moj dinake dhelpër!
Servile gjithë kohën ke mbetur.
Edhe kur ecën, kudo që shkon,
bishtin sa majtas-djathtas e çon.
Qeshi dhelpra: ha… ha… ha!…
— Më budalla se çakalli nuk ka!
Unë bishtin majtas-djathtas e kam tundur,
Po më thuaj: kush nga servilizmi ka humbur?
Pula dhe Këndesi
I thotë pula këndesit:
— I dashur këndes,
libër paske botuar?
I përgjigjet këndesi:
— Ty s’të jap dot,
i kam të limituar!…
Kokoshi mburravec
Gjel kokoshi mendjemadh
u mburrej pulave majë një huri.
Me të parë zonjën dhelpër,
fluturoi drejt te hahuri.
Zgjuarësia
— Jam shumë e zgjuar! — thoshte dhelpra.
Mburrej dhe tundte bishtin si dragua.
Sapo dëgjoi të lehurat e qenit,
futi bishtin ndër shalë dhe u largua.
Delja syskë e turpëruar
Delja Syskë rri e turpëruar,
se dhia Çile e mban zbuluar?!
I thotë Kaleshja me qetësi:
— Jo, teze! Kot shqetësohesh.
Shiko “Përputhen” dhe mësohesh!…
Kali dhe gomari
Kali dhe gomari ecnin të ngarkuar.
Kali shpejtonte hapat,
gomari shtruar-shtruar.
— Shpejto hapat! — e qortoi kali.
Qetë-qetë përgjigjet gomari:
— Kush shpejton në këtë botë,
mund të bjerë edhe në gropë.
Betimi
Hipur mbi një gur të lartë,
Shokëve u betohej ujku plak:
“T’mos më mbetet këmbë e dorë,
Po s’e hëngra sot dashin me këmborë.”
Në darkë u nis avash-avash,
U mbështet pas kërcurit të trashë.
Priti tërë natën me sytë nga qielli,
Deri në mëngjes, sa e zuri dielli.
Ikte rrugës, menduar-menduar,
Dhe nuk rrinte pa u betuar:
“T’mos më mbetet këmbë e dorë,
Po s’e hëngra sot dashin me këmborë.”
