Shkrim – homazh për një italian, dëshmor i LANÇ, rënë në Çepan të Skraparit
Ilmi S. Qazimi
Çepani i Skraparit i ka dhënë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe gjashtë bij nënash, pesë nga të cilët: Hysen Dilaver Zyka (04.03.1923 -10.08.1944); Ismail Haxhi Hodo (1912-1944); Myftar Shahin Osmani (1883 – 05.05.1914); Rustem Hajrulla Osmani (1860 – 10.06.1944); Sako Hallko (Puluzi), 1913-28.08. 1943.
Njëri, i gjashti, Rajko Giusseppe kishte lindur në …Itali. Dhe u vra në Çepan të Skraparit më 30.09.1944. Data e vendimit që ai ka marrë statusin e dëshmorit të Atdheut në Shqipëri është 25.11.1971. Kjo datë është edhe për shtatë dëshmorë të tjerë italianë të rënë në rrethin e Skraparit.
Po kush ishte luftëtari italian që derdhi gjakun për Shqipërinë
Quhej Rajko Giusseppe. Ishte kthyer nga ushtar i një ushtrie fashiste pushtuese në partizan heroik që shërbeu më shumë si mjek lufte në batalionin “Antonio Gramshi”. Pjesëtarë të “personelit ” të spitalit partizan të Çepanit ishin major D’Alesio italian, i cili kishte si ndihmës Petro Canin, që më pas u bë mjek shumë i njohur i vendit tonë.
Ishin gjithashtu Çorusio Remo dhe Raiko Guizeppe. Ky, i treti, ka qenë njëri nga tre mjekët, por atë kohë lufte edhe infermier të ishte, ai iu ka shërbyer partizanëve sa një mjek.
Raiko ra në Çepan duke qënë në krye të detyrës për të kuruar e shëruar partizanët e plagosur shqiptarë, në spitalin partizan të Çepanit. U pushkatua nga forcat e errta e të gënjyera balliste me urdhër të Xhelal Staraveckës, komandantit shumë fytyrësh të batalionit ballist. Ishte një masakër e rëndë në atë vit me klimë të ashpër.
Kryetari Krahinor, çepanlliu i zgjuar, Rustem Hajrulla Osmani, i cili e takoi, por nuk e sajdisi e as e dëgjoi kërkesën e Xhelalit që Çepani të kalonte me forcat e Ballit Kombëtar, e dënoi këtë akt të rëndë duke e ironizuar: “Të kesh turp, o Xhelal Staravecka! Ke vrarë mish të ngordhur!
”Për këtë ngjarje vetë Xhelali, ky personazh kontravers i historisë së paqme luftarake së Skraparit,në librin e tij “Para gjyqit të historisë”, botim i vitit 2012, Tiranë, faqe 314 tregon: ”…arrita në Çepan , në krye të Skraparit. Atje gjeta dy doktorë italianë, të cilëve roja ime personale u kapi një letër ku informonin dy batalionet komuniste të komanduara nga Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku që ishte komisari politik, mbi ndodhjen time në Çepan…dhashë urdhër t’i pushkatonin, pushkatim ky që më ka kushtuar shumë shtrenjtë në gjyqin e Romës…”.
Lexuesi tashmë e di që Xhelali atje, në Romë, u dënua me shumë vite burg, përveç të tjerash edhe me akuzën për vrasjen e dy italianëve krejt të pafajshëm në Çepan, Skrapar. Të gjithë banorët e Çepanit u indinjuan thellë për aktin e Xhelal Balës dhe gjithnjë tregonin me urrejtje atë veprim antinjerëzor. Ata i quanin të dy italianët e vrarë bij të fshatit të tyre dhe varret ua ruajtën me përkujdesje të veçanta.
Shumë vite më pas, kur në Shqipëri erdhi ekipi italian me një gjeneral në krye, për të mbledhur eshtrat e të vrarëve, çepanllinjtë ishin të gatshëm për të treguar me saktësi atë vend dhe ndihmuan konkretisht. Për efekt të vërtetësisë historike në rrjedhjen e ngjarjeve të tilla, duhet t’ua themi lexuesve se ishte kolonel Njazi M.Çepani ai që ndikoi në dhënien e statusit të dëshmorit të këtij partizani italian.
Çepanllinjtë kanë ditur e dinë gjithnjë të vlerësojnë e të ndëshkojnë këdo e kurdoherë bazuar në të vërtetën historike.
Në këtë 78 vjetor të çlirimit të atdheut, le të shërbejë ky shkrim si homazh – kujtesë për gjakun e dëshmorit italian të rënë në Çepan, për të cilin nuk kemi mundur të gjejmë më shumë të dhëna dhe as foto.
Shënim:
Fotoja në kopertinë është shtëpia ku ka qenë spitali partizan