Shoqata “Tomorri”, ç’na duhen degët, kur janë tharë rrënjët?!…
Rushan Dosti
Ka disa muaj që ka nisur një fushatë përçarëse në riformatimin e Shoqatës Kulturore “Tomorri”, fushatë që ka krijuar një pështjellim të madh tek skraparllinjtë që besojnë në shenjtërinë apo virgjërinë e kësaj shoqate.
Ogur i mirë është fakti që kjo shoqatë mban firmën e të madhit Xhevahir Spahiut, një nga xhevahirët më xhevahirë skraparas.
Dhe një tjetër ogur i mirë është fakti që, njerëzit e kultivuar, njerëz të mençur të shkencës dhe të kulturës, ajka intelektuale skraparase, kudo që ndodhet, nuk është përzjerë në balturinat e disa njerëzve pa vlera intelektuale që duan të identifikohen, duan të duken dhe të maten me “hijen e mëngjesit”, siç thotë populli, kur nuk kanë asnjë lidhje, asnjë kontribut në këtë shoqatë me emër të madh, por, fatkeqësisht, kohët e fundit të përdhosur keq.
Nuk ka luftë, dhe këto fjalët e mia në këtë reagim, nuk janë luftë, janë dhimbje, thirrje për debat për të qënë të gjithë bashkë. Jo për t’i dhënë mend njeri – tjetrit, por për të respektuar njeri – tjetrin.
Në këtë situatë, gjykoj që nuk mund të bëhen zgjedhje degësh të Shoqatës, sepse nuk është çudi, që këta të bëjnë zgjedhje edhe në Kukës, pa patur parasysh faktin që nuk mund të ketë degë, atje ku janë tharë rrënjët.
Të parat janë rrënjët, pastaj flitet për degët.
Ore njerëz, që keni marrë këtë barrë përsipër!
Thirrini arsyes së thjeshtë dhe të vetme. Rregulloni më përpara veten, pastaj të tjerët. Ushqimin degët e marrin nga rrënjët, ky është ligji i natyrës.
Ne presim nga ju. Nëse ju jeni të përçarë që në gjenezë, ne mos na shqetësoni, na lini rehat në letargjinë tonë, që ju na e këni imponuar prej vitesh, pa asnjë veprimtari, pa asnjë zë, pa u parë asnjë herë fytyrën, veçse ku keni nevojë ju!…
Populli thotë një fjalë të urtë: “Kur ndryshket floriri, ç’pret nga bakrri”!
Ju ini ndryshkur, ini tharë e ini vyshkur prej vitesh, u ka mbaruar oksigjeni, mos kërkoni ta merrni atë nga ne!
Se fjala vjen u bënë zgjedhjet e degës në Berat, pasi njëra degë kur pa se nuk kishte kourumin e nevojshëm, la në drejtim me ”të lutur dhe me të puthur” drejtuesit e degës kundërshtare(!).
Për arsye personale, nuk dua të hyj në hollësira, por…
…as mbledhje, as zgjedhje, një foto me katër veta, tre të ardhur dhe kjo qe shoqata!
Nëse është bërë kështu edhe në vende të tjera (dhe kam të dhëna që është vepruar kështu), ky është skanadal, ky është turp.
E kuptoni se çfarë po bëni dhe çfarë po ndodh? …
Ka një histeri nga një grup biznesmenësh skraparllinj, shpërndarë si degë në metropolin shqiptar, të mbështetur nga intelektualë që janë pensionistë, që fatkeqësisht mohojnë rrënjët dhe u gëzohen degëve të thara.
Nuk është koha që të japim mend, sepse nuk gjen një kioskë ku shitet mend, por është koha që degët që ka rritur me aq mund Skrapari, t’u falen rrënjëve.
Rrënjët janë në Skrapar.
Të shkojmë tek rrënjët!