Shoqatat janë bashkim vlerash, nuk janë numra, por janë frymë: Reagim i fortë i kryetarit të degës së Durrësit, Hajri Nuhu pas ndarjes së shoqatës kombëtare “Tomorri” në dy pjesë
Nga fjala e kryetarit të degës së shoqatës “Tomorri” Durrës, Hajri Nuhu, në kryesinë e shoqatës atdhetare e kulturore “Tomorri”, dega Durrës të datës 26. 04. 2024
Në fund edhe vendimi i Kryesisë
Hajri Nuhu
Jemi mbledhur në një situate të pazakontë. Ne qendër janë mbledhur dy kuvende të shoqatës “Tomorri”, një i madh e një i vogël, një “i vulës” dhe tjetri “vulëhumburës”, një me siguri i ligjshëm dhe tjetri i jashtëligjshëm.
Tek asnjëri nuk morëm pjesë: Tek i pari njoftimi u bë brenda dy ditësh, pothuajse “për të larë gojën”, tek i dyti nuk morëm asnjë lloj njoftimi edhe pse unë isha i ngërthyer ne një hall familjar. Përfundimisht jemi ndarë më dysh, në gjykimin tim, se shoqata nuk është numur njerëzish, ajo është frymë dhe veprimtari.
Dhe ne, si Durrës, në qendër të dy grupimeve gjendemi papritur si 6 vite me pare, kur ishin zgjedhjet e shoqatës. U bënë ndryshime në statut pa na pyetur, ndyshoi logoja e shoqatës dhe e gazetës, pa na pyetur, u bënë zgjedhje në Kuvendin Kombëtar pa garë e shpejt e shpejt.
I vetmi ndryshim është që, këtë radhë, më keq se atëherë kemi këtë përçarje.
Ne kemi funksionuar, kemi bërë një jetë aktive në këtë degë. I kemi bërë se ishim bashkë, se e pamë njëri-tjetrin në sy, se patëm miq e shokë si Fatos Çerenishti, Rako Paja, Arben Qato,Fejzo Hysi që na sponsorizuan e ndihmuan financiarisht.
Se ditëm të shfrytëzonim çdo potencial intelektual këtu, në qytet, se tërhoqëm nga Tirana me veprimtaritë tona miq e anëtarë elitarë, që nuk e gjetën veten atje, si Prof. Ajli Alushani, dr. shk. Hysen Binjaku, publicistë si Naim Zoto, Sefedin Çela, Zylyftar Hoxha, Mësuesin e Merituar Qani Zaimi të ndjekur nga mësuesit e njohur Hajri Kapllani dhe Dashnor Dosti, studiuesin e ndjerë Abdulla Bregun, të rinj të suksesshëm në veprimratitë e tyre, Oltion Dervishi, Fatos Muçaj e shumë e shumë të tjerë.
Në bashkëpunuam me struktura e shoqata të tjera të qytetit e më gjerë. Bashkëpunuam në veprimtari më Bibliotekën e qytetit, me shoqatën “Gramshi”, me Komitetin e Veteranëve, por edhe më shoqatën e Ish-të Përndjekurve politikë.
Veprimtaritë u shtrinë nga Çorovoda e Vëndresha në Skrapar deri në Kërçovë të Maqedonisë.
Gabuam disa vite dhe ramë nën ndikimin politik. Sallat mbusheshin, por shumica ishin militantë, disave syresh “as që ua ndiente “ për shoqatën, për Tomorrin dhe Skraparin.
Bëmë punë të mira dhe këto i thamë në konferencën e degës që bëmë në në fund të vitit 2023.
Në atë konfererencë zgjodhëm delegatë dhe këtë kryesi që kemi edhe sot. Për korrektesë e lamë pas krahëve njëlloj neutraliteti dhe thamë, pse jo të bëhemi pjesë e së tërës.
Zgjedhjet kishin filluar. Ndonjë program nuk na erdhi nga qendra, por gjithësesi unë, me cilësinë e kryetarit, njoftova sekretarin e Përgjithshëm. Ai u hakërrye sikur unë isha rrogëtar i kësaj pune dhe më kujtoi statutin!…Një statut që ne nuk e kishim votuar, nuk e kishim njohur.
Atëherë qendra ishte e bashkuar dhe kryetar e sekretar realizuan edhe konferencën e Tiranës. Postuan të zgjedhurit, fotot. U duk që Tirana do të ishte lokomotiva në vijimësi. Bukur, se ajo duhet të jetë!…
“Hë, hë i thashë vetes, nuk je më lokomotivë, do mbetesh në vagon”!…
Ngushëllohesha.
Ne, skraparllinjtë e Durrësit mirë jemi edhe në vagon, mjaft që vagoni të jetë pas lokomotivës. Pas konferencës. Kur ata ishin bashkë dërgova edhe proces-verbalin e mbledhjes, edhe emrat e delegatëve e të kryesisë.
Prit, por asnjë përgjigje!
Po ku është përgjegjësia ime? Unë nuk jam orakull, nuk mund të parashikoja që krerët në qendër, që shkonin aq mirë në atë kohë, papritur bëhen “armiq” dhe luftojnë fort kundër njëri-tjetrit.
Pikërisht kur në një pjesë të mirë të degëve ishin bërë zgjedhjet, loja u anulua. Do të rifillojmë nga e para se nuk kemi anëtarësinë të sistemuar në databezë!… Pra gjashtë vite kishin ikur kot, nuk kishim lista. Pse nuk i bëmë? Me të drejte u tha që nuk ka degë në Berat, Skrapar, Poliçan ku Tomorri “të vret sytë”.
Ne këtë problem e kishim ngritur dy vjet më parë, edhe më pas në një takim në 10 -vjetorin e shoqatës Tiranës (edhe këtë e kundërshtuam se kurrë nuk besoja që dega e Tiranës ishte formuar në vitin 2013?!) U tha edhe se duhet gazeta “ Dielli i Tomorrit”. Po pse dhe kush e mbylli, jo.
Në një takim me kryetarin dhe miqtë e Komisionit të Riorganizimit kërkova që konfrencë në Durrës të mos bëhej. Komisioni i organizimit në qendër e mori parasysh. Diskutuam që gara të zhvillohej jo si 6 vite më parë, të bëhej analizë për kohën e humbur.
Në diskutime me ju, me anëtarë të kryesisë këmbëngulej që shkarkimi i sekretarit duhej të shoqërohej edhe me tërheqjen e kryetarit dhe komisioni i organizimit të bënte zgjedhjet, të shpallej një platformë, të vendoseshin kritere për kanditatët etj.
Nuk ndodhi asgjë. E dhimbshme, tragjikomike, kur një palë shkon e bën zgjedhje në qytetin e Çorovodës, bash në qytet dhe tjetra në Çerenisht!…
Dhe ku, në Skrapar!
Këtu, të jem i sinqertë, reflektova, u ndjeva vërtet keq se të dy palët e zgjedhura ishin miqtë e mi…
Përçarja u thellua kur më njoftuan se grupi nr. 1 i sekretarit të shkarkuar do të bënte kuvendin. Ndoshta duhet të njoftojë kryesinë që po bëhet kuvendi i parë.
Bëra edhe përpjekjen e fundit. Fola atë ditë edhe me kryetarin e “madh” dhe i kërkova ta takonte sekretarin e shkarkuar. I kërkova ta shtynte kuvendin deri sa të gjendej një zgjidhje.
Por atij i ia kishin bërë tablonë sinoptike. Ai shikohej si e keqja e vetme. Ai nuk ishte dakord.
Unë i thosha vetes: Po çudi si nuk e paskan zbuluar më parë?!
Ai nuk u tërhoq dhe betejën me kryetarin e thelloi me betimet “Deri sa të jem unë, nuk zgjidhesh kryetar!”…
Kryetar të zgjedh vota. Pasi ndodhi kuvendi i parë u ndjeva keq. Jo për sekretarin e shkarkuar. Por për ata që ishin në kuvendin që bëri ai. Shkuan “pa lejën” tonë edhe dy-tre delegatë. Aty unë nuk i njihja të gjithë,por një pjesë i kisha miq, ata nuk ishin më pa vlerë se ata të krahut tjetër. Ka nga ata si R. Paja që na ka sponsorizuar, që grupin popullor na i ka sjellë në veprimtari e çdo shpenzim e ka përballuar ai.
Nuk mund të ndahet kënga. Rrezik ai që merr këngën është në një grupim, është në një kuvend, dhe ai që pret është tek tjetri. Ja, pra, që nuk është aq e lehtë për t’u bërë palë.
Edhe sikur të doja unë, pati reagime. Për të mbajtur bashkë zgjodha neutralitetin. Nëse isha i dyzuar, kjo buronte se po ndjeja që çdo hap për t’u bërë palë do të na çonte në përçarje.
Shoqata nuk ka interesa ekonomike, ajo është bashkim vlerash. Cili e vë peshoren e të thotë që ata të ish-sekretarit janë pa vlerë. Nuk ka vlerë sekretari dhe ti e shkarkon, por ai që merr përsipër të drejtojë si kryetar atë grupim, është një mjek me emër, me gradë shkencore, intelektual. Nuk mund të jetë pa vlera një figurë e nderuar e shkencës dhe jo vetëm si prof. dr. Ajli Alushani që ky grupim e zgjodhi Kryetar Nderi.
Nuk kemi gjë as më grupin tjetër “më të madhin e më mediatikun”(!…). Nuk na njoftoi kush. Ndoshta nga disa qëndrime të miat. Po kryetari është një, ai thjesht mund të mendojë ndryshe. Nëse do të kisha njoftim (nuk pati as në rrjetet sociale) do t’ju kisha njoftuar dhe, si në rastin e takimit të parë, ju mund të kishit shkuar.
Sipas vendimit të Komisionit të Organizimit dinim që Kuvendi Kombëtar kulmonte në Maj. Çfarë ndodhi, nuk mund të them?! Edhe në këtë grupim kemi miqtë e shokët tanë. Respekt për ata që zgjidhen me votë.
Cili prej kuvendeve është i paligjshëm, por këtë nuk e zgjidhim dot ne (A nuk po ndodh kështu me dy parti të opozitës?!). E drejta nuk është gjithmonë çështje numurash. Duhet interpretim edhe juridik dhe të drejtën më pas e provon koha.
Për problematikën e krijuar, për veprimet e mosveprimet e mia si kryetar ndjej përgjegjësi, ndaj me sinqeritet iu afroj dorëheqjen time.
Ndaj meje ka rezerva, ka kritika e qejfmbetje. Rëndësi ka që deri në këtë moment jemi të bashkuar. Jam ndjerë keq, shumë keq në këto situata. Nuk dua të humbas qoftë edhe një shok e mik, pse është në grupin ku nuk jam unë.
Shoqatën e kam parë si mision vlerash.
V E N D I M
Pas fjalës së kryetarit dhe diskutimeve të shumta në kryesinë e shoqatës, dega Durrës, të mbajtur 26.04.2024, në fund në mënyrë unanime
u vendos:
– Dega do të ruajë këtë lloj neutraliteti deri në një zgjidhje të mosmarrveshjeve e konflikteve në qendër,qoftë edhe juridikisht. Ai që do të marrë skeptrin e shoqatës do të na bëjë pjesë. Deri atëherë, dega do të ketë jetë dhe në emër të luajalitetit dhe bashkimit përfaqësues të dy grupeve, nëse dëshirojnë bëhen pjesë e veprimtarive tona.
-Do të mbajmë larg shoqatës politikën e të dy krahëve dhe nuk do të rikthehemi kurrësesi në gabimet e së shkuarës. Dega vendosi që do të distancohet nga çdo veprimtari që rrezatojnë ndikime të tilla.
-Pas zgjidhjes së konfliktit në kohën dhe vendin e duhur tek ai që merr “fronin” do të bëjmë propozimet tona që lidhen me ndryshime në statut, në logon e shoqatës dhe me përfaqësimin tonë në struktura.
Nëse propozimet tona nuk merren parasysh, do të shikohen zgjidhje të tjera. Shkëputjen (edhe me veprim juridik) nuk e kemi alternativë. Jemi dhe këmëbngulim për bashkim.
-Të përfundojë databeza e anëtarësisë mbi vullnetarizmin dhe mbi një kuotazicion që vlerësohet si përgjegjësi për atë që përfaqëson anëtarësimi.
Nuk jemi për të “mbyllur porta”, por as edhe për “ t’i shqyer” ato si forcat politike në prag zgjedhjesh.
KRYESIA E SHOQATËS
DEGA DURRËS