Shoqëria në krizë, shteti drejt humnerës…

Shoqëria në krizë, shteti drejt humnerës…

 

 Mihal Gjergji

 

Kthehem mbrapa në kohë dhe ndaloj disa çaste në bankat e shkollës. Ata fëmijët e vegjël që dikur mbanin në shpinë çantat e cohëta të qepura nga duart e nënëve, i kam para syve.

 

Të veshur keq e të ushqyer me varfërinë që afronte shteti, buzëqeshnin rrallë, por sytë i kishin plotë dritë e ëndrra.

 

Isha i bindur; mes tyre gjendeshin dhe ata që do shpëtonin Zotin nga gurët me të cilët e qëllonte shoqëria çdo ditë. Brenda kraharorit të tyre lartësohej krijuesi. Edhe unë isha me ta dhe mes tyre.

 

 

Kanë kaluar dekada e unë s’e di ku gjenden dhe a kanë mundur të rriten, por ata e mbushnin shkollën me cicërima gazmore, klasat me  aromë pranvere.  Emërat e mësuesve s’më kujtohen, sepse ishin të paktë ata që kanë lënë gjurmë, që e meritonin këtë titull, por më shumë se kaq, kishin pushuar së qëni prindër, jo vetëm në shkollë, edhe në familjet e tyre.

 

 

Mësuesit e mi të parë ishin Zhyl Verni, Hygoi, Gëtja, Shekspiri, lirikët e shquar të stepave ruse, Serevantesi i Don Kishotit që besoja se m’i lexonte mendimet, e mjaft të tjerë.

 

E, megjithatë bëhej mësim dhe mësimi kishte seriozitet. Askush s’guxonte të fyente mësuesin, sepse kështu ishim edukuar. Tashmë jetojmë kohën e moskurrit. Mësuesit dhunohen me gojë dhe fizikisht, shpërfillen, poshtërohen në mënyrën më të pabesueshme. Drejtuesit e shkollave janë militantët e partisë. Fëmijëve u mësohet e shkuara, jo e ardhmja për të cilën kanë nevojë.

 

 

Lexova një reagim tejet të shqetësuar të një mësuesi nga Lezha, i cili pyeste:

Cila shkollë në Shqiperi apo ne Lezhë i nxjerr femijet të mësojnë të mbjellin pemë, pisha nëpër kënde të ndryshme të Lezhës, kur të rriteshin ata nxënës nuk do ta demtonin kurrë një të tillë në qytet.

Cili mësues në Lezhë i nxjerr nxënësit në lagunën e Vainit, në zonën me të pasur të Europës për dendësi shpendësh për sipërfaqe?

Cila shkollë ka lëndën e edukatës financiare, nxënësit tanë marrin edukatë financiare nga reklamat në TV dhe kanë arritur deri në pikën sa thonë e mendojne se kredia është kur bankat të falin lekë.

Cila shkollë në Lezhë u mëson nxënësve peshkimin, dhe llojet e peshqve?

Cila shkollë u mëson notin?

Cila shkollë ka orë kërcimi, këndimi, pikture në natyrë?

Cila shkollë ka ore përformance teatrale apo dramaturgjie?

Cila shkollë ka në programin e saj sinjalistikën bazë rrugore?

 

 

Me një fjalë, shoqëria shqiptare përjeton krizat më thella, por më e dhimbshme nga të gjitha është ajo e sistemit arsimor.

 

 

Nuk kemi projekte akademike apo shtetërore për të dalë nga humnera në të cilën na ka futur politika e korruptuar 30 vjeçare.

 

Cilësia e teksteve mësimore është e mjerueshme. Po të shikojmë të dhënat e testimit të fundit te mësuesve te Tiranës, mësojmë se 40% e tyre, nuk dine te japin mësim.

Po kaq tronditëse ishin dhe rezultatet e nxënësve te klasave te treta dhe te pesta, ne te gjithë vendin. 10% janë analfabete, ndërsa 60% nen nivelin mesatar.

Kur do hiqen mësuesit e dobët nga sitemi arsimor?

 

Buxheti i shtetit për arsimin vazhdon të jetë 3%, më i ulëti në rajon. Atëherë, kujt i ntereson kjo gjendje, kush e vret të ardhmen e fëmijëve tanë, indiferenca e shoqërisë apo shteti i paqortueshëm nga askush?

Tiranë, Tetor 2023